Ministri i Jashtëm gjerman: Evropa kontribuon në bisedimet për Ukrainën - Gazeta Express
string(70) "ministri-i-jashtem-gjerman-evropa-kontribuon-ne-bisedimet-per-ukrainen"

Lajme

Gazeta Express

26/11/2025 19:52

Ministri i Jashtëm gjerman: Evropa kontribuon në bisedimet për Ukrainën

Lajme

Gazeta Express

26/11/2025 19:52

Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul sheh përparim në bisedimet e paqes për Ukrainën. Në të njëjtën kohë, sondazhet tregojnë se gjermanët duan një Bundeswehr më të fortë, por jo që Gjermania të jetë në luftë.

Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadepful (CDU) vështirë se mund të kishte zgjedhur një moment më të mirë për të bërë disa vërejtje themelore në lidhje me rolin e Gjermanisë në politikën e jashtme në një botë që ndryshon me shpejtësi. Sepse situata në lidhje me një paqe të mundshme në luftën e Rusisë kundër Ukrainës po ndryshon pothuajse çdo orë.

Kështu, në “Forumin e Politikës së Jashtme të Berlinit” të Fondacionit Kerber, Wadephul u pyet menjëherë se si i vlerësonte lajmet e fundit në lidhje me takimin e të dërguarve rusë dhe amerikanë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Përfaqësuesit e vendeve evropiane nuk janë në Abu Dhabi, por politikani i CDU thotë se ata ende kanë ndikim në rrjedhën e negociatave.

“Ky është një lajm i mirë – që ka bisedime. Është nisur një mekanizëm që mund të çojë në përfundimin e kësaj lufte të tmerrshme. Ne po luajmë një rol atje, po kontribuojmë”, tha ai.

Wadephul kritikon Rusinë, flet me kujdes për SHBA-në

Kjo përputhet me tonin që ka mbizotëruar në kryeqytetet evropiane ditët e fundit: plani origjinal prej 28 pikash i propozuar nga SHBA-ja, i cili kryesisht i përshtatej interesave të Rusisë, duket se është hequr nga tryeza e negociatave. Por mbetet e paqartë se si do të vazhdojnë negociatat.

Në fjalimin e tij, Wadephul theksoi përsëri se fati i Ukrainës ka pasoja të gjera për të ardhmen e Evropës.

Rusia “imperiale dhe agresive” jo vetëm që po planifikon të nënshtrojë Ukrainën, por ka edhe qëllime të tjera: “Shërbimet tona të inteligjencës na paralajmërojnë se Rusia po i ofron vetes mundësinë e luftës kundër NATO-s, dhe ate jo më vonë se në vitin 2029. Kërcënimi nga Rusia nuk është një shqetësim i largët, është tashmë një realitet.” Kjo demonstrohet nga fluturimet e vazhdueshme të dronëve dhe sulmet kibernetike, tha Wadephul.

Wadephul më pas foli relativisht me kujdes për qeverinë amerikane. Çelësi për zgjidhjen e krizës ukrainase, është të shohim Rusinë – si nxitësen e konfliktit, tha ai. Megjithatë, sipas tij, “nuk ka gatishmëri nga ana e Rusisë për të folur fare”.

Me Shtetet e Bashkuara, madje edhe nën Presidentin Donald Trump, është mjaft ndryshe, pavarësisht gjithë konfuzionit: “Kjo është pikërisht ajo që ne tashmë dimë për SHBA – ata ndonjëherë kanë një mënyrë joortodokse për t’iu qasur zgjidhjes së këtyre lloj problemeve. Dhe pastaj na habisin përsëri me fleksibilitetin e tyre të jashtëzakonshëm.”

Ekziston mundësia që negociatat të arrihen hap pas hapi, shtoi ministri i Jashtëm gjerman.

Por qeveria aktuale e SHBA-së mund të ndihet e prekur kur Wadephul kaloi në temën e krizës së multilateralizmit: gatishmëria për bashkëpunim ndërkombëtar bazuar në partneritet po bie dhe “forca detyruese e së drejtës ndërkombëtare” po shtypet gjithnjë e më shumë.

Në vend të kësaj, po forcohet pozicioni se “nuk është forca e ligjit që është vendimtare, por ajo forcë në vetvete është e barabartë me ligjin”.

Sondazhi: 72 përqind e gjermanëve duan forcimin e Bundeswehrit

Është një pamje mjaft e frikshme e botës dhe kjo frikë reflektohet edhe në rezultatet e një sondazhi mbi qëndrimet e gjermanëvendaj çështjeve të rëndësishme të politikës së jashtme. Në emër të Fondacionit Kerber, Instituti i Kërkimit të Opinionit Publik Forsa anketoi rreth 1,500 qytetarë të rritur të Gjermanisë të zgjedhur në mënyrë përfaqësuese. Në këtë anketë, një shumicë e qartë prej 72 përqind u deklaruan në favor të dyfishimit të fondeve për Bundeswehrin gjatë dhjetë viteve të ardhshme, duke pasur parasysh kërcënimet në rritje.

Kjo përkon me planet e Qeverisë gjermane të përbërë nga CDU, CSU dhe SPD: në mesin e marsit 2025, domethënë, pas zgjedhjeve, të tre partitë përdorën shumicën e tyre me të Gjelbrit për të ndryshuar Kushtetutën e Gjermanisë. Në një seancë të jashtëzakonshme të Bundestagut të vjetër, ata vendosën, ndër të tjera, të krijojnë një buxhet të veçantë për armatime prej 500 miliardë eurosh.

Pothuajse në kontrast me këtë është një tjetër rezultat i anketës së Forsa: deri në 61 përqind e të anketuarve e refuzojnë Gjermaninë që të marrë rolin e udhëheqësit ushtarak në Evropë.

Gjermanët ende mbështesin Ukrainën, por në mënyrë dramatike ndryshojnë mendimin për SHBA-në dhe Izraelin.

Kur gjermanët pyeten për drejtimin e politikës së tyre të jashtme, ka dallime të qarta midis Lindjes dhe Perëndimit të vendit. Në Perëndim të vendit, 51 përqind janë në favor të një përfshirjeje më të madhe gjermane në krizat ndërkombëtare, ndërsa në Lindje, vetëm 35 përqind.

Edhe gati katër vjet pas fillimit të luftës, mbështetja gjermane për Ukrainën, e cila u pushtua nga Rusia, është e qartë  – me 59 përqind. Dhe nëse do të arrihej një traktat paqeje që do të sigurohej nga trupat evropiane, 56 përqind do të ishin në favor të pjesëmarrjes edhe të Gjermanisë. Por një shumicë e qartë dyshon se Presidenti rus Putin është i interesuar për paqen – vetëm 20 përqind e të anketuarve e besojnë këtë.

Shifrat që pasqyrojnë qëndrimin ndaj dy vendeve me të cilat çdo qeveri gjermane ka mbajtur lidhjet më të ngushta deri më sot mund të konsiderohen pothuajse dramatike: vetëm 26 përqind e të anketuarve thonë se SHBA-ja mbetet partneri më i rëndësishëm i Gjermanisë. Dhe vetëm 38 përqind e të anketuarve shohin një detyrim të veçantë ndaj Izraelit që rrjedh nga përgjegjësia historike për Holokaustin./ DW