Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mori pjesë sot në Drekën Informale të Punës me Ministrat e Jashtëm të BE-së dhe Ministrat e Jashtëm të Vendeve Kandidate dhe Potencialisht Kandidate për anëtarësim në BE, e zhvilluar në kuadër të Takimit Informal të Ministrave të Jashtëm të BE-së.
Në fokus të këtij takimi ishte shkëmbimi i mendimeve mbi sfidat aktuale gjeopolitike dhe nevoja për forcimin e qëndrueshmërisë kolektive ndaj kërcënimeve hibride.
Ministri Hasani rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian, si dhe ndau me të pranishmit disa prej hapave të deritanishme të ndërmarra nga vendi ynë kundër kërcënimeve hibride dhe në linjëzim të plotë me kuadrin e BE-së dhe NATO-s.
Ai përmendi miratimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Sigurinë Kibernetike, përafrimin me rregulloret e BE-së për qëndrueshmërinë e infrastrukturës kritike deri në vitin 2026, si dhe zbatimin e legjislacionit sekondar sipas Ligjit për Sigurinë Kibernetike deri në vitin 2025. Anëtarësimi i Shqipërisë në Qendrën Evropiane të Ekselencës për Kundërvënien ndaj Kërcënimeve Hibride në Helsinki, si anëtari i 36-të, u theksua si një hap i rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e praktikave më të mira.
“Asnjë vend nuk është imun ndaj kërcënimeve hibride, prandaj duhet të qëndrojmë vigjilent dhe të punojmë ngushtësisht nga afër.” – nënvizoi Ministri Hasani, duke shtuar që vendi ynë është gati gjithashtu të kontribuojë për ndërtimin e një kuadri rajonal bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor nën ombrellën e BE-së, në mënyrë që të adresohen dezinformimi dhe kërcënimet hibride.