string(96) "ministri-cek-per-ceshtjet-evropiane-retorika-agresive-po-e-demton-kosoven-dhe-perspektiven-e-saj"

Lajme

Gazeta Express

12/06/2025 8:23

Ministri çek për Çështjet Evropiane: Retorika agresive po e dëmton Kosovën dhe perspektivën e saj

Lajme

Gazeta Express

12/06/2025 8:23

Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në infrastrukturë, por ende mbetet peng i mendësisë së pasluftës dhe mungesës së kompromisit.

Kështu e përshkruan gjendjen aktuale të vendit ministri çek për Çështjet Evropiane, Martin Dvorak, në ditën kur Kosova shënon 26-vjetorin e çlirimit.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Dvorak, autor i librit “Kosova nën lëkurën time” dhe qytetar nderi i Istogut, thotë se “retorika agresive” dhe mungesa e vullnetit për dialog me serbët po dëmtojnë imazhin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ai bën thirrje për qetësim të situatës, rifillim të dialogut me Serbinë dhe dërgim të sinjaleve pozitive në Bruksel, duke theksuar se “pa kompromis nuk ka anëtarësim në BE”.

Nga viti 1999 deri në vitin 2002, Dvorak shërbeu si administrator i Kombeve të Bashkuara në komunën e Istogut, ku udhëhoqi procesin e rindërtimit pas luftës në Istog, Gjakovë dhe rajonin e Pejës. Ai ka shërbyer gjithashtu në Irak dhe ka përfaqësuar Çekinë në SHBA, Kuvajt dhe Katar.

Në qershor të vitit 2021 u emërua zëvendësministër i Punëve të Jashtme, ndërsa nga maji i vitit 2023 ushtron detyrën e ministrit për Çështjet Evropiane.

“Rreth 70 për qind e vendit ishte shkatërruar”

Radio Evropa e Lirë: Zoti Dvorak, 26 vjet më parë keni shkuar në një Kosovë të shkatërruar nga lufta si pjesë e misionit të OKB-së. Cila është pamja e parë që ju vjen në mend kur e kujtoni atë kohë në Pejë dhe në Istog, ku ishit i vendosur?

Martin Dvorak: E dini, ndjenja ime e parë ishte një tronditje e vërtetë, sepse, për herë të parë në jetën time, vizitova një vend që ishte ende në luftë, ose të paktën shumë pak kohë pas luftës. Ju mund ta dini, edhe pse jeni e lindur pas luftës, me aq sa e kuptova. Pra, mund ta dini që rreth 70% e vendit ishte shkatërruar, njerëzit ishin pa çati, pa strehë dhe, natyrisht, asgjë nuk funksiononte, gjithçka ishte shkatërruar.

Qëllimi ynë ishte ta përgatisnim vendin për dimrin që po vinte. Para së gjithash t’u siguronim strehim njerëzve dhe t’u jepnim ujë dhe ushqim, dhe ngadalë, hap pas hapi, të rinisnim ndërtimin e një shteti funksional që nga fillimi.

Kjo ishte detyra jonë dhe veçanërisht Istogu ishte shumë miqësor, shumë specifik, sepse kryetari i komunës [i ndjeri Januz Januzaj ]ishte shumë i hapur dhe i moderuar.

Ai ishte burgosur nga serbët dhe kishte lexuar Vaclav Havelin [ish-presidentin çek] gjatë kohës sa ishte në burg, kështu që nga fillimi u bëmë miq shumë të mirë, diskutoja me të.

Ai ishte më shumë filozof sesa kryetar komune apo politikan. Krijuam një marrëdhënie shumë miqësore dhe kjo më ndihmoi shumë që në fillim, kur nisa si administrator i Istogut.

Ndjenja ime është ende e njëjtë, e dua Kosovën, i dua njerëzit e Kosovës dhe me të vërtetë besoj se shumë shpejt do të bëheni pjesë e familjes evropiane.

Kosova, “periudha më e suksesshme e jetës sime”

Radio Evropa e Lirë: Faktikisht, kur ju vizituat Radion Evropa e Lirë, aty ku u takuam për herë të parë, më thatë se Kosova është një vend i veçantë për ju dhe tani e kuptoj pse. Keni shkruar edhe një libër dikur, që quhet “Kosova nën lëkurën time”. Çfarë kishte në Kosovë që la një gjurmë kaq të thellë tek ju?

Martin Dvorak: Siç e thashë, ishte një përvojë jashtëzakonisht e fortë. E thashë edhe para se ta lëshonit kamerën. Për mua, ndoshta ishte periudha më e frytshme dhe më e suksesshme e jetës sime.

Edhe pse isha kryetar i një qyteti çek menjëherë pas revolucionit, ai ishte disi edhe kualifikimi im, dhe u ftova të marr pjesë në këtë mision të OKB-së. Mbaj mend që e përjetova kalimin nga një regjim totalitar në demokratizim dhe demokraci, dhe e njëjta gjë pritej edhe nga unë, edhe nga Kosova në atë kohë.

Por unë, me të vërtetë, e ndjeja që mund të ofroja ndihmë të vërtetë për njerëzit, dhe kjo është ndjenja më e mirë që mund të ketë një politikan. Sepse, zakonisht, ti punon në shërbime publike, prodhon shumë letra, shumë takime, shumë takime të frytshme, por shumë takime për asgjë. Ndërsa këtu, me të vërtetë ndjeja se ajo që po bëja, kishte kuptim, ishte ndihmë konkrete për njerëzit që me të vërtetë kishin nevojë. Dhe, kjo ishte një përvojë formuese për mua.

Do t’ju jap një shembull. Vendosëm, siç e përshkruaj në libër, të bënim një lloj privatizimi. Sepse, pas luftës, serbët u larguan dhe anëtarët e UÇK-së erdhën me kallashnikovë dhe morën dyqanet, gjithçka nëpër qendra tregtare dhe fshatra të Istogut. Pa ndonjë bazë ligjore, thjesht hynin dhe i merrnin për vete.

Unë u thashë: “Jo djem, kjo nuk është ligjore, nuk mund të vazhdojmë kështu. Le ta bëjmë një privatizim zyrtar”. E përgatitëm në të njëjtin stil siç e kishim bërë në Çekosllovaki para 50 vjetësh.

Në atë kohë gjeta edhe një banesë në Istog, dhe çdo mbrëmje ulesha në shesh, në qendër të fshatit, në një kafene dhe bisedoja me djemtë, kosovarët, me një përzierje të gjuhës gjermane, ruse, serbe e angleze… dhe flisnim për jetën.

Natën e fundit para privatizimit, shkova në kafenenë time të preferuar dhe pronari më tha: “Më fal, z. administrator, sot nuk kam kafe për ju, sepse nesër do ta mbyllësh dyqanin tim për privatizim. Por, ju lutem, prisni pesë minuta dhe do të shkoj te fqinjët, ata do ta përgatisin kafen për ju”.

Unë prisja që ata të ishin të nervozuar ose shumë të mërzitur, por ata pranuan gjithçka që kishim përgatitur, sepse e panë që unë po veproja në mënyrë të drejtë dhe ligjore. Kjo për mua ishte një përvojë shumë, shumë e fortë, dhe e mbaj mend këtë moment për një kohë shumë, shumë të gjatë.

“Retorika agresive nuk është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet”

Radio Evropa e Lirë: A do të thotë kjo se, që nga ardhja në pushtet e kësaj qeverie, ju, personalisht, mendoni se Kosova ka bërë regres në bashkëjetesën brenda të njëjtit komunitet me serbët? A e kam kuptuar saktë atë që po thoni?

Martin Dvorak: Unë nuk përpiqem dhe nuk më pëlqen ta sulmoj shpesh qeverinë tuaj. Besoj se qeveria juaj po përpiqet dhe po bën më të mirën për një të ardhme më të mirë të Kosovës.

Ajo për të cilën po flas, është një lloj retorike agresive që i ka dhënë forcë qeverisë së tanishme, sepse ajo paraqitet si një udhëheqëse e fortë që do ta mbrojë Kosovën me forcë. Dhe kjo më tremb pak, sepse nuk mendoj se është mënyra më e mirë për t’i zgjidhur problemet.

Është shumë e lehtë t’i provokosh njerëzit drejt një reagimi agresiv, drejt urrejtjes. Por, ajo që është e nevojshme në këtë situatë, është të qetësohet ajo sa më shumë dhe të dërgohet një mesazh: “Shikoni, jemi ‘të dënuar’ të jetojmë së bashku. Serbët nuk kanë mundësi të largohen. Ne do të qëndrojmë këtu, ndoshta jo përjetësisht, por për breza të tërë. Dhe, duhet të gjejmë një mënyrë, një modus, për të jetuar së bashku”.

Po ju tregoj një ngjarje që është përshkruar edhe në librin tim. Në Kosovë, ndoshta e dini, ka një fshat serb që quhet Çerkolez. Në atë kohë, ne po përpiqeshim të formonim një këshill të përkohshëm komunal, sepse ishte i nevojshëm për jetën e përditshme – dikush duhet të pastrojë, të mësojë në shkolla, të kujdeset për rrugët, e kështu me radhë.

Kështu që po u kërkonim banorëve lokalë të merrnin përgjegjësi për jetën e përditshme dhe po përpiqeshim të formonim këshillin komunal.

E vizituam fshatin së bashku me miqtë e mi shqiptarë, mes tyre edhe kryetari shqiptar i komunës. Filluam negociatat me serbët lokalë – ishte shumë e ndërlikuar, por atmosfera ishte ende e qetë.

Më pas, atmosfera filloi të përkeqësohej dhe ndjeva se diçka po shkonte keq. Në atë moment, truproja i mikut tim kryetar shqiptar tha: “Shikoni, unë kam luftuar kundër serbëve. Kam qenë në male. Asokohe, disa serbë erdhën në shtëpinë time dhe vranë vajzat e mia, gruan time dhe vjehrrin. Dhe tani jam këtu, duke u përpjekur të negocioj, të diskutoj me ju se si mund të jetojmë bashkë për brezat e ardhshëm”.

Ishte një moment shumë i fuqishëm. Dhe e kuptova se ka kosovarë që me të vërtetë kërkojnë një mënyrë bashkëjetese me serbët.

Por, për sa kohë që politikanët do ta shfrytëzojnë situatën për përfitime politike dhe do ta përshpejtojnë urrejtjen dhe armiqësinë, nuk ka rrugëzgjidhje. Kjo është ajo që po përpiqem të them. E kuptoj që politikisht është shumë e lehtë të krijosh një imazh të armikut si kërcënim, dhe pastaj të thuash “duhet të luftojmë kundër tij”, por kjo nuk ka kuptim për të ardhmen.