Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, dje mori pjesë në themelimin e Kolegjit Pan-Shqiptar të Kirurgëve (KPShK), i cili u mbajt në Tiranë, në Republikën e Shqipërisë.
Në fjalën e tij para kirurgëve të pranishëm nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Austria, Gjermania, Zvicra, SHBA-ja dhe vende të tjera, ministri Aliu theksoi se me këtë organizatë profesionale po vendosen ura të reja bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe brezave të ndryshëm të kirurgëve, duke e lidhur këtë profesion human me qëllimin e tij fisnik për sigurinë dhe dinjitetin e pacientit.
“Kirurgjia është një fushë që kërkon standarde të larta, sepse shpesh bëhet fjalë për jetën ose vdekjen e njeriut. Prandaj, themelimi i KShPK-së është i rëndësishëm jo vetëm për komunitetin kirurgjikal, por edhe për ministritë e shëndetësisë dhe sistemet publike shëndetësore në të gjithë rajonin. Çdo iniciativë që rrit standardet, forcon edukimin e vazhdueshëm, mundëson shkëmbimin e praktikave të mira dhe ndërton rrjete profesionale, do të thotë ulje e rreziqeve, rritje e cilësisë dhe shtim i besimit në sistemin shëndetësor”, tha ministri Aliu në fjalën e tij.
Ai vlerësoi se themelimi i kolegjit është rezultat i një pune serioze dhe afatgjatë, si dhe vazhdimësi e përvojave të suksesshme rajonale, duke krijuar mundësi reale për mentorim, shkëmbim përvojash, programe të përbashkëta trajnimi dhe ndërtimin e një kulture të përbashkët të cilësisë në kirurgji.
“Kur profesionistët bashkohen përmes organizatave të tilla rreth standardeve të përbashkëta, atëherë mund të pritet që politikat shëndetësore të jenë më reale dhe më të zbatueshme. Besoj se ky kolegj do të shndërrohet në një platformë për trajnime të përbashkëta, shkëmbim të specializantëve, mentorim të strukturuar, trajnim me simulim dhe bashkëpunim akademik ndërmjet universiteteve dhe klinikave. Njëkohësisht, pres që ky bashkëpunim të shndërrohet në një mekanizëm të fuqishëm dhe të qëndrueshëm për bashkëpunim ndërkufitar, konsultime dhe koordinim”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu duke shtuar se shëndetësia është fusha ku politika duhet të jetë më e përgjegjshme, sepse çdo vendim prek drejtpërdrejt jetën e njeriut.
tag_katrorimaqedoni_2