Kreu i qeverisë shqiptare, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme një takim elektoral në Kukës.
Duke folur për arritjet dhe sfidat për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian Rama vuri theksin mbi potencialin e jashtëzakonshëm që malet shqiptare përfaqësojnë për zhvillimin e turizmit, duke i quajtur ato “miniera ari” të pazbuluara plotësisht.
Gjithashtu bëri me dije se pas zgjedhjeve do të fillojë zbatimin edhe “Paketa e Maleve” e cila përfshin lehtësira ligjore, financiare dhe fiskale për të gjithë ata që duan të investojnë në agroturizëm.
Rama: Miniera e arit në turizmin shqiptar nuk është bregdeti por malet. Tani kanë filluar dhe të huajt t’i zbulojnë malet, por kur në male të fillojë edhe një zinxhir investimesh aty do jetë momenti kur të ardhurat nga turizmi malor do të kthehen në një burim shumë serioz për ekonominë tonë. Një nga zonat që mbetet e gjitha për tu vënë në funksion të kësaj është edhe zona e këtij qarku, ku ju e dini që prej shumë vitesh ekziston problemi i titujve të pronësisë. Ata që kanë guxuar dhe kanë investuar në zonat malore kanë bërë një investim fantastik për veten e vet, por edhe kanë ndihmuar ekonominë lokale.
Pas zgjedhjeve do fillojmë të fusim në zbatim paketën e maleve. Është në dispozicion të të gjithë atyre që duan të investojnë për turizëm dhe agroturizëm, për blegtori, agro-biznes, etj,. Toka që është fakt, pra pronari faktik por që nuk figuron në letra shkon në bashki dhe depoziton kërkesën që t’i njihet kjo tokë, si toka e tij. Bashkia e përcjell në Këshillin Bashkiak dhe bën afishimin për 30 ditë të këtyre pretendentëve. Në momentin që mbaron 30-ditëshi dhe personi ose personat rezultojnë që janë të pakontestuar Këshilli Bashkiak i jep vendimin që mund të zhvillojnë një investim në tokën e tyre. Më pas bëjnë një projekt dhe me atë projekt në ministrinë e Ekonomisë bëjnë një kontratë dhe tokën e marrin me 1 euro, e investojnë. Në momentin kur mbaron investimi marrin lejen për ta regjistruar në Hipotekë si pronën e tyre. Për 500 aplikantët e parë, për 5 vjet s’do ketë asnjë taksë.