Minatori i Bulqizës dhe Peshkatari i Ayturau-t - Gazeta Express
string(46) "minatori-i-bulqizes-dhe-peshkatari-i-ayturau-t"

Minatori i Bulqizës dhe Peshkatari i Ayturau-t

Ermal Mulosmani

27/01/2020 18:33

Në deltën e derdhjes së lumit Ural në detin Kaspik, në Kazakistan, ndodhet një qytet jo shumë i madh me emrin Atyrau. Qyteti ka afër 150 mijë banorë. Për herë të parë lexova për të në librin e njohur të gazetarit të BBC-së Misha Glenny, “Mcmafia”. Ai e përshkruante qytetin të zymtë, të varfër, të shtrirë në një baltovinë por ndërkohë edhe kryeqendrën botërore të haviarit (vezëve të peshkut). Tonelata haviar të nxjerra nga peshkatarët e Atyrau-t shiteshin me çmim simbolik (diku te 3-4 dollarë /kg) nëse i merrje në barakat e qelbëta të rrethuara me llamarina të ndryshkura të peshkatarëve vendas për të përfunduar me çmime astronomike, nga 3000 deri në 6,000 dollarë/kg kur përfundonin të servirura në restorantet luksoze të Moskës apo pasanikëve të perëndimit. Kontrasti mes varfërisë së peshkatarëve të mërdhirë të haviarit dhe pasurimit të  “mafiozëve së haviarit” më çoi në mendje  Bulqizën tonë dhe minatorët e saj.

Bulqiza është ndoshta pasuria më e madhe nëntokësore e Shqipërisë. Shteti shqiptar menaxhoi përmes Ndërmarrjes Gjeologjike dhe asaj të Minierave fillimisht pasurinë mbitokësore dhe pastaj edhe atë nëntokësore të kromit të Bulqizës. Gjatë periudhës komuniste eksporti i kromit ishte edhe burimi kryesor i valutës për shtetin. Bulqiza ishte një nga vendburimet natyrore më të mëdha botërore të mineralit.

Lexo Edhe:

Pas rënies së komunizmit, kaosi dhe anarkia mbizotëroi nxjerrjen e minieralit nga galeritë. Në vitin 2001 një kompani austriake (Darfo quhej kompania) e mori me koncesion minierën për 30 vjet. Por edhe kompania austriake u ndesh me probleme të mëdha. Në Shkurt të vitit 2013, Darfo ia shiti aksionet e saj grupit Balfin të drejtuar nga Samir Mane. Në atë kohë, u duk se administrimi nga biznesmeni më i suksesshëm në vend ishte zgjidhja më e mirë për rezervat e kromit por edhe për hallet e minatorëve.  Mane kishte në kontroll pothuaj gjithë median, mund të kontrollonte edhe sindikatën dhe problemet me Bulqizën do të rrinin atje, në “thellësitë kritike” të nxjerrjes së kromit.  Përveç aftësive moderne në menaxhim që vetëm Mane garantonte.

Megjithatë, herë pas here, lajmet për një vdekje a  një plagosje minatori mbërritnin “zëmbytura” në kryeqytet. “Një grua humb jetën në minierën e Bulqizës”; “Zjarrmëtari humb jetën në Minierën e Bulqizës”; “dy punëtorë u plagosën” etj etj. Të gjitha hetimet e nisura nga Inspektoriati Shtetëror i Punës nxirrnin fajtorë viktimat për humbjen e jetës.

Më 17 Nëntor 2019, në Bulqizë krijohet Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB) me Kryetar minatorin Elton Debreshi. Kjo Sindikatë u krijua me idenë e përshkallëzimit të sindikalizmit pasi sindikatat e vjetra po luanin lojën e pronarit të Minierës. Krijimi i saj u inkurajua edhe nga pjesëtarë të Organizatës Politike, një OJQ me qëndrime thellësisht të majta. Sindikata e sapoformuar u luftua menjëherë nga Sindikatat rivale të Minatorëve por edhe nga administrata e Albchrome. Ata u bënë njësh pa e maskuar luftën ndaj “foshnjës marksiste”. Kryetari i sapoemëruar pushohet nga puna për “mungesa të paarsyeshme në punë”. Pas tij edhe disa minatorë të tjerë, anëtare të kësaj Sindikate, pushohen për arsye të ndryshme. Inspektoriati i Punës i jep të drejtë Punëdhënësit për shkarkimet. Në Opinionin e Fevziut  shfaqet një dokumentar luleshumë, 14 minutësh, për revolucionin e Albchrome në Bulqizë që synon ta demoralizojë çdo përpjekje për përmirësim kushtesh.

Minatorët e shkarkuar dhe disa të tjerë protestuan dje në Tiranë të kryesuar nga Elton Debreshi dhe me mbështetjen e OJQ-ve Organizata Politike (OP), Nisma Thurje dhe Vetvendosje!

Partia Demokratike dha një deklaratë të thatë për mbështetjen e protestës duke akuzuar Edi Ramën dhe Qeverinë për braktisjen e Bulqizës. Lajmet e Klanit dhe të Top Channel nuk e përmendën fare në kronikat e tyre. Televizionet që transmetojnë ngjarjet “drejtpërdrejt” nuk e pasqyruan asnjëri protestën. Portalet kryesore informative nuk e përmendnin fare. Ndonjë portal afër Albchrom u hakërrehej drejtueve të OJQ-ve që e mbështetin këtë organizim dhe sipas parimit “argumentum ad homminem” (mos u merr me idenë por me bartësin e saj) nuk merrej fare me arsyen e protestës.

Mirëpo kjo nuk përbën befasi.

Këtu do merrem me  reagimin e Konfederatave të Sindikatave të Shqipërisë. Ky bashkim Sindikatash, që duhej të ishte në anën e minatorëve, drejtohet nga Kol Nikolla. Është pikërisht i njëjti që u godit me grushta nga Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Shqipërisë Fiqiri Xibri. Në atë kohë, me shumë të drejtë Nikolla i kujtonte Xibrit që “ Sindikatat janë përfaqësues të punëmarrësit, punëmarrësi duhet të jetë në mardhënie pune”… Ishte pikërisht ky moment kur Fiqiriu i minatorëve do t’i drejtohej “Po pusho o llafazan pusho” dhe do t’a godiste me grusht Nikollën… Video është e vitit 2018.

Atëkohë ishte Fiqiri Xibri i akuzuar si “i kapur” nga Punëdhënësi prej zotit Kol Nikolla. Ndërsa sot, është pikërisht Kol Nikolla, akuzuesi i atëhershëm që bën të njëjtën gjë. Lufta mes dy Sindikatave për të fituar vëmendjen e Oligarkut nuk njeh skrupuj moralë. Kol Nikolla me sindikatën e tij publikon shkrime kundër Punëmarrësit, interesat e të cilit duhet të përfaqësojë dhe akuzon protestuesit si “pedofilë politikë”. Ai gjithashtu shpërndan të gjitha publikimet e medias afër zotit Mane me të njëjtat argumente.

Në këto kushte, kur sindikalizmi po rrihet në studio se kush i shërben më mirë Oligarkut, lindja e një sindikate të re që mbron interesat e Punëmarrësit është gjëja më e natyrshme. Por, po aq e natyrshme është edhe lufta që do u bëhet atyre nga levat e Punëmarrësit…

Fati i minatorëve të Bulqizës ngjason me atë të peshkatarëve kazakë. Haviari i nxjerrë nga peshkatarët e Ayturau-t mund të serviret në serviset e kromuara nga kromi i Bulqizës në tavolinat luksoze të mafiozëve rusë me oligarkë shqiptarë. Peshkatarët kazakë dhe minatorët tanë jetojnë të zhytur në varfëri, vishen me mushama e çizme dhe nxjerrin lirë një produkt që kushton shumë shtrenjtë.

Por të paktën me peshkatarët e mërdhirë të Aytarau-t nuk tallen sindikatat servile. Mafia ruse nuk harxhon para edhe për parazitët e sindikatave siç bën biznesi shqiptar.