Një aksident tragjik ndodhi dje në një galeri minerare në zonën D të Bulqizës, ku humbi jetën 38-vjeçari K. D., si pasojë e shembjes së një masivi shkëmbor.
Policia arrestoi dy punonjës të stafit teknik, brigadierin G. K. (47 vjeç) dhe teknikun B. C. (62 vjeç), ndërsa u procedua penalisht në gjendje të lirë drejtuesi teknik R. P. (67 vjeç).
Hetimet treguan se personat përgjegjës nuk kishin marrë masat e nevojshme të sigurisë në punë, çka çoi në humbjen e jetës së minatorit.
Ngjarja po hetohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen.
Njoftimi i policisë:
Bulqizë
Nuk morën masa për sigurimin e kushteve të mbrojtjes në punë, në subjektin minerar ku humbi jetën dje shtetasi K. D., arrestohen 2 punonjës të stafit teknik dhe procedohet penalisht, në gjendje të lirë, drejtuesi teknik i subjektit.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe përgjegjësisë në lidhje me ngjarjen e djeshme, të ndodhur në një subjekt minerar në zonën D, Bulqizë, ku humbi jetën shtetasi K. D., 38 vjeç, dyshohet se, si pasojë e shembjes së një masivi shkëmbor gjatë punës në galeri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë arrestuan në flagrancë shtetasit:
G. K., 47 vjeç, me detyrë brigadier;
B. C., 62 vjeç, me detyrë teknik, të dy banues në Bulqizë.
Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin R. P., 67 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë drejtues teknik në subjektin minerar.
Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se këta shtetas, me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk kanë marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në subjektin minerar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen.