Minatorët protestojnë në Tiranë kundër Samir Manes - Gazeta Express
string(50) "minatoret-protestojne-ne-tirane-kunder-samir-manes"

Gazeta Express

26/01/2020 20:45

Minatorët protestojnë në Tiranë kundër Samir Manes

Gazeta Express

26/01/2020 20:45

Qindra anëtarë të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB) dhe aktivistë të shoqërisë civile protestuan të dielën në Tiranë pranë Ministrisë së Financave, Kryeministrisë, Inspektoriatit të Punës dhe banesës së pronarit të Albchrome, Samir Mane duke e akuzuar njeriun më të pasur në Shqipëri se shkel të drejtat e minatorëve.

“Më kanë shkarkuar para 2 muajsh dhe gjithashtu shkarkimi vazhdoi dhe me 3 punonjës të tjerë. Aktualisht jemi 4 veta të pushuar, anëtarë të sindikatës, dhe janë marrë masa disiplinore për mbi 30 veta për shkak të aktivizimit sindikalist, duke iu bërë presione të ndryshme,” shpjegoi kreu i SMBB-së, Elton Debreshi.

Lexo Edhe:

“Samir Mane na pranon si sindikatë por thotë se firmat e mbledhura të anëtarësimeve janë fallco. Le t’i verifikojë me ekspertë firmash,” shtoi ai.

Kompania koncesionare AlbChrome është nën pronësi 100% të grupit Balfin, i cili kontrollohet nga Samir Mane. Gjatë vitit 2018 kjo kompani regjistroi të ardhura në vlerën 11.1 miliardë lekë dhe fitim pas taksave me vlerë 1.2 miliardë lekë. Shpenzimet e kësaj kompanie për personelin kapin një vlerë prej 1.46 miliardë lekë – e barazvlefshme me 11.3% të xhiros vjetore.

Një zëdhënës i grupit Balfin – kompania mëmë e Albchrome, nuk ishte i arritshëm për koment të dielën.

Përplasja mes SMBB-së dhe kompanisë AlbChrome filloi vetëm pak ditë pas njoftimit publik për krijimin e sindikatës më 17 nëntor në qytetin e Bulqizës. Inspektoriati i Punës njoftoi në nëntor fillimin e hetimeve për shkarkimet nga puna të 4 minatorëve dhe në fund të dhjetorit doli me një raporti që shfajëson kompaninë. Minatorët dhe aktivistët e shoqërisë civile e kanë hedhur poshtë raportin e Inspektoriatit të Punës.

“Ne refuzojmë të jetojmë nën pushtetitin e Saimir Manes, ne duam liri dhe shtet demokratik,” deklaroi Arlind Qori, aktivist i Organizatës Politike.

“A e dini se policia përpara se të jepte lejen e protestës kërkoi fotokopje të vendimit të gjykatës për të vërtetuar se çertifikata e sindikatës ekziston,” ironizoi ai.

Nëntoka e Bulqizës përmban një nga burimet më të mëdha të kromit në botë, por kjo pasuri minerare e ka kthyer këtë zonë malore të varfër të vendit në një tokë të përgjakur, si rrjedhojë e aksidenteve të shpeshta në miniera.

Galeritë e kromit në Bulqizë kanë shkaktuar vdekjen e 27 minatorëve në pesë vitet e fundit dhe plagosjen e dhjetra të tjerëve. Ndërkohë në dy vitet e fundit, vetëm në galeritë e kompanisë AlbChrome janë raportuar 12 të plagosur.

Bilanci tragjik i viktimave në minierë nuk është shoqëruar me hetime të plota të shkaqeve dhe ndëshkime.

BIRN gjeti në një shkrim të mëparshëm se megjithëse konstatoheshin probleme për sigurinë në miniera, masat ndaj koncesionarëve ishin kryesisht gjoba, ndërsa faji për aksidentet iu lihej gjithmonë viktimave.

Nën brohoritjen “Rrofshin Minatorët”, protestuesit kërkuan dëmshperblime për aksidentet në punë dhe e akuzuan kompaninë AlbChrome për shkarkime të padrejta të anëtarëve të sindikatës.

Pjesmarrësit u mblodhën fillimisht përpara Ministrisë së Financave dhe pastaj marshuan drejt Kryeministrisë dhe Inspektoriatit të Punës dhe më pas pranë banesës së Samir Manes, duke u shprehur se përderisa ai nuk denjon të shkojë pranë tyre për t’i sqaruar atëhere po vinë ata pranë tij.

Ali Gjeta, 33 vjeç, një tjetër punonjës i pushuar nga puna prej AlbChrome, i tha BIRN se largimet po bëhen larg vëmendjes së publikut.

“Këto do vazhdojnë muaj pas muaji, në mënyrë që të mos bien në sy,” shpjegoi ai.

Një tjetër minator i shkarkuar nga puna, bëri thirrje që kompania ti ndalte presionet ndaj minatorëve dhe të garantonte të drejtën e tyre ligjore për t’u organizuar.

“Punëtorët të lihen të lirë të zgjedhin sindikatën e tyre, jo të korruptohen dhe t’u ushtrohet presion,” tha ai nëpërmjet megafonit.

Një nga aktivistët deklaroi se Shqipëria ka një histori të vakët sindikaliste dhe ajo që ndodhi 2 muaj më parë në Bulqizë me themelimin e sindikatës së re ishte një risi revolucionare.

“Organizimi i minatorëve është diçka më shumë se një zhurmë e vogël në veriun e Shqipërisë, është rënia e murit despotik të pronarëve dhe oligarkëve që e sundojnë këtë vend,” tha ai.

Aktivistët e shoqërisë civile bënë thirrje qe çështja e minatorëve të pasqyrohet në menyrë transparente edhe nga ana e mediave, duke i akuzuar gazetarët se po keqinformojnë publikun duke i shërbyer pronarit të grupit Balfin.

“Kauza a minatorëve është kauzë e të gjithë shoqërisë shqiptare, por disa media janë nënshtruar nga pushteti i oligarkëve,” tha Gresa Hasa.

“Ata nuk janë duke pasqyruar më realitetin e kësaj kauze, por e prezantojnë Samir Manen si një person bujar i cili pasurinë e ka ngritur me djersën e tij dhe jo duke shkelur të drejtat e të tjerëve,” përfundoi ajo.