Milwaukee dhe Lakers barazojnë serinë në play off! - Gazeta Express
string(49) "milwaukee-dhe-lakers-barazojne-serine-ne-play-off"

Milwaukee dhe Lakers barazojnë serinë në play off!

Gazeta Express

21/08/2020 14:57

Milwaukee hodhi shpejt pas krahëve zhgënjimin e ndeshjes së parë për të barazuar menjëherë serinë në fazën e play off-it ndaj Orlando Magic.

Në HP Field House Giannis Antetokounmpo kontribuoi me 28 pikë e 20 rebound në dicka më tepër se gjysmë ore që qëndroi në parket, duke ndihmuar franchise-n nga Wisconsin për të barazuar në 1-1 serinë me ekipin nga Florida. Bucks e nisën shumë mirë takimin duke udhëhequr 4-0, megjithatë Magic realizuan pesë pikë radhazi për të kryesuar 5-4, sidoqoftë ky moment përbën edhe rastin e parë dhe të vetëm të takimit kur basketbollistët e Orlandos e panë veten në avantazh. Pas disfatës së papritur në ndeshjen hapëse me shifrat 122-110 skuadra më e fortë e Lindjes përgjatë sezonit të rregullt konfirmoi më së miri diferencat e qarta që ka me pjesën tjetër të kësaj konference, teksa shkoi në interval me epërsinë 64-43. Në vazhdim ekipi i Milëaukee-t thjesht ruajti energjitë dhe administroi rezultatin, për të fituar në fund edhe krejt takimin me rezultatin 111-96. Shënuesi më i mirë i takimit ishte qendra e Orlandos, malazezi Nikola Vucevic, që e përfundoi ndeshjen me 32 pikë e 10 topa në tabelë, ndërkohë një ndihmesë të madhe për Bucks dha gjithashtu edhe 32-vjecari kalifornian Brook Lopez, që e mbylli takimin me 20 pikë, në 33’ që u aktivizua në sfidën e dytë të serisë.

Lexo Edhe:

Barazoi shpejt gjithashtu serinë edhe ekipi tjetër favorit për të ngritur në muajin tetor trofeun e lakmuar Larry O’Brien Los Angeles Lakers, që mposhti pa shumë vështirësi kundërshtarët e Portland Trail Blazers. Franchise nga Oregoni përfaqëson ekipin e fundit që fitoi të drejtën e pjesëmarrjes për në fazën e knock out-it, pas triumfit 126-122 ndaj Memphis Grizzlies në takimin përcaktues, të pagëzuar “play in game”, megjithatë Blazers shkuan akoma më tej duke shkaktuar edhe befasinë e madhe në ndeshjen hapëse, me triumfin 100-93 në sfidën e parë të serisë. Franchise i dytë më i suksesshëm në historinë e NBA, pas vetëm Boston Celtics, nuk mund të rrëshqiste më poshtë se kaq dhe në fakt ekipi i drejtuar nga trajneri Frank Vogel e mblodhi shpejt veten, duke reaguar në mënyrën e duhur që në ndeshjen e radhës.

Me përjashtim të dy disavantazheve të fillimit 2-0 dhe 4-2 skuadra më e mirë e Konferencës së Perëndimit në “regular season” dominoi ndeshjen, duke mbyllur shpejt historinë e këtij takimi. Në pushimin e madh Lakers shkuan me epërsinë 56-39, ndërsa në fundin e periodës së tretë ekipi kalifornian kishte plot 32 pikë avantazh. Në fund Lakers fituan ndeshjen me rezultatin e thellë 111-88, duke barazuar serinë ndërmjet tyre në 1-1. Këtë herë Damian Lillard që është lojtari me mesataren e tretë më të mirë të pikëve deri në këtë fazë të sezonit u bllokua mirë nga mbrojtja e skuadrës kaliforniane, që e kufizoi 30-vjecarin nga Oaklandi në vetëm 18 pikë. Ekipi i drejtuar nga Frank Vogel u tregua i shkëlqyer në mbrojtje, duke limituar boshnjakun Jusuf Nurkic në thjesht 9 pikë e 8 rebound, ndërsa veterani Carmelo Anthony realizoi vetëm 2 pikë gjithsej. Te Lakers spikati Anthony Davis me 31 pikë e 11 rebound, ndërsa LeBron James u sakrifikua më shumë në mbrojtje, teksa e përfundoi takimin me 10 pikë, 6 topa në tabelë dhe 7 asist. Më herët në AdventHealth Arena Houston Rockets fluturuan në avantazhin 2-0, në përballjen me Oklahoma City Thunder.

Krejt ndryshe nga takimi i parë, që u fitua 123-108  dhe u dominua gjatë gjithë kohës nga ekipi teksan, kjo ndeshje u zhvillua e ekuilibruar për pjesën më të madhe të kohës. OKC mbylli periodën e tretë me avantazhin minimal 78-77, madje skuadra e drejtuar nga trajneri Billy Donovan realizoi edhe koshin e parë të 12’ të fundit për të shkuar në +3, gjithsesi nga disavantazhi 77-80 Rockets shënuan plot 17 pikë radhazi në një periudhë fare të shkurtër kohe, duke hequr cdo shpresë të Oklahoma-s për të barazuar serinë.

Përfundimisht ekipi i Mike D’Antoni-t fitoi edhe takimin e dytë me shifrat 111-98, ndeshje ku James Harden pati një kontribut modest për standartet e tij,  pasi 30-vjecari nga Los Angelesi e mbylli sfidën me 21 pikë, 5 rebound e 9 asist. Kryeson 2-0 serinë tashmë edhe franchise nga Florida Miami Heat, që ia doli të mundë Indiana Pacers me rezultatin 109-100, pasi ekipi i Erik Spoelstra-s kishte fituar më herët 113-101 edhe ndeshjen e parë. Basketbollistët e Miami-t shkuan në interval me epërsinë 51-46 dhe më pas Heat krijuan edhe shkëputjen përfundimtare. Këtë herë në vend të dyshes Goran Dragic – Jimmy Butler spikati për Miami-n sulmuesi Duncan Robinson me 24 pikë, ndërsa në krahun tjetër ra në sy basketbollisti me origjinë nigeriane Victor Oladipo, që e mbylli takimin me 22 pikë. /SS/