Milo Gjukanoviq akuzon ASK-në për falsifikim faktesh dhe përndjekje politike - Gazeta Express
string(76) "milo-gjukanoviq-akuzon-ask-ne-per-falsifikim-faktesh-dhe-perndjekje-politike"

Lajme

Gazeta Express

27/11/2025 10:39

Milo Gjukanoviq akuzon ASK-në për falsifikim faktesh dhe përndjekje politike

Lajme

Gazeta Express

27/11/2025 10:39

Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (ASK), e cila konstatoi se ai ka dorëzuar të dhëna të pasakta në raportet e tij të pasurisë, duke mos deklaruar një koleksion orësh luksoze me vlerë mbi 200 mijë euro.

Në reagimin e tij, Gjukanoviq akuzon ASK-në dhe udhëheqësinë e saj se po veprojnë në mënyrë të koordinuar për motive politike, për të komprometuar ish-pushtetin dhe imazhin e tij personal. Ai pretendon se Agjencia ka shkelur ligjin duke zbatuar në mënyrë retroaktive Ligjin e ri për parandalimin e korrupsionit, ndonëse procedura ishte nisur në vitin 2019, pesë vjet përpara hyrjes në fuqi të ligjit aktual.

Gjukanoviq thotë se ASK ka manipuluar me gjetjet e ekspertëve të saj, të cilët – sipas tij – kanë vërtetuar se dy nga fotografitë që i atribuonin atij orë të shtrenjta ishin fotomontazh. Ai thekson se ky detaj kyç është fshehur nga Agjencia në vendimin final.

Për orën e vetme që ka pranuar se e posedon, ish-presidenti ka deklaruar se e ka blerë në vitet ’90, në një periudhë kur nuk ekzistonte detyrimi ligjor për deklarimin e pasurisë.

Ai gjithashtu akuzon ASK-në se e ka zgjeruar çështjen në mënyrë të paligjshme, pasi mbas përfundimit të mandatit të tij dhe skadimit të afatit ligjor, Agjencia – sipas tij – nuk ka më kompetencë të nisë procedura të reja kundër tij.

Gjukanoviq thotë se skandali filloi me pretendime për një koleksion orësh me vlerë 1.5 milion euro, ndërsa ekspertët e vetë ASK-së – siç thekson ai – kanë vlerësuar tre orë me vlerë totale vetëm 63 mijë euro.

Ai e përshkruan gjithë rastin si “përndjekje politike”, “falsifikim brutal faktesh” dhe përpjekje për të shkaktuar “tërmet politik”, që sipas tij është shndërruar në “komedi”.

Në fund të reagimit, Gjukanoviq shpreh bindjen se prokuroria duhet të merret me punën e ASK-së, duke paralajmëruar se nuk do të pranojë më komunikim me këtë institucion, të cilin e akuzon për politizim dhe veprim në kundërshtim me ligjin.