Real Madridi ka marrë një lajm të keq nga pauza ndërkombëtare, pasi Eder Militao është konfirmuar i dëmtuar pas ndeshjes Brazil–Tunizi.
Mbrojtësi u largua me dhimbje në minutën e 57-të dhe testet mjekësore zbuluan një dëmtim në aduktorin e kofshës.
Sipas raportimeve, Militao pritet të mungojë rreth dy javë, çka nënkupton se do të humbasë ndeshjet ndaj Elches, Olympiakos, Girona dhe Athletic Bilbaos.
Ai mund të rikthehet për duelin ndaj Celta Vigos dhe sfidën e madhe kundër Manchester City-t.
Mungesa e tij vjen në një moment delikat, pasi Real Madridi përballet me një seri të vështirë ndeshjesh dhe mbrojtja ka qenë tashmë nën presion.
Huijsen pritet të jetë titullar, ndërsa Rüdiger do të rikthehet gradualisht. Asencio shihet si opsioni më i mundshëm për të plotësuar qendrën e mbrojtjes.
Militao ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Real Madridit këtë sezon, dhe humbja e tij është një goditje e madhe për skuadrën e Xabi Alonsos. /GazetaExpress/