Milicia e kultit - Gazeta Express
string(16) "milicia-e-kultit"

Milicia e kultit

OP/ED

Gazeta Express

07/06/2021 18:41

Kurti premtoi ndryshim krejt e drejt. Dhe ndryshimi vërtet ndodhi. Nepotizmi nuk perceptohet më siç e thotë shkenca, por siç e interpreton lideri: nuk është korrupsion, por punësim. «Zajednica» është përkthyer më në fund në shqipe dhe quhet asociacion. Dialogu cilit prioritet është tash? Dhe çka nënkupton pushteti me «kurvëninë»?

Xhemal AHMETI

Lexo Edhe:

«Change We Can Believe In» ishte slogani i Barack Obamas. Linguistët dhe psikologët e merrnin pseudo-epigrafin si shembull, saherë donin të demonstronin fuqinë magnetike të një sinjifikati, përmbajtja e të cilit shënjon një informatë komplet banale. Aq banale sa që të alivanos. Fjalia e Obamës nuk thoshte asgjë tjetër përveçse, ai beson në ndryshimin e gjërave, të jetës, të njerëzve, të Amerikës. Religjionet e popujve, të cilët britanikët dikur i pagëzuan si «hinduistë», e dinin këtë gjë qysh para 5 mijë viteve, shumë më herët se Herakliti, kur pllakave e gjetheve të palmave gërvishtin shenja për të thënë se gjithçka – që ka të bëjë me njeriun – vjen e ikë, lind e  vdes, shfaqet e shuhet. Sot fëmija sapo dëgjon fjalën «ndryshim» në akëcilën gjuhë kupton gëzueshëm se edhe ai është duke ndryshuar dhe një ditë do bëhet i rritur. Gjithçka që lëviz – ndryshon. Atëherë ç ’premton retorika e llojit kur zotohet se do sjell ndryshimin? Do ecet më shpejtë dhe më drejtë se ç ‘ecnin paraprakët? Në vend se drejt veriut, drejt jugut? Njeriu, tufat, masat në cilindo drejtim të nisin ata ecin drejtë – dhe drejt është ajo udhë që këto subjekte shohin me sy. Po ecën bythparas thyejnë hundekokë apo dëmtojnë semaforët.  Ndoshta pjesa tjetër e epigrafit obamesk është më interesante? «Yes We Can» – po ne mundemi ta bëjmë ndryshimin thoshte ish presidenti amerikan. Çka ndodh, po nuk ia dolën? Do mbetej bota në Stand-By-Modus?

Ndryshimin, krejt e drejt e premtoi edhe Albin Kurti. Që të tria leksemat paralajmërojnë ato dukuri- siç elaboruam lartë – që edhe po nuk deshi qeveria ndodhin si ashtu ashtu: gjithçka ndryshon, vetëm veteranët e plagosur në luftë nuk ecin aq drejtë e aq lehtë, tjerët të gjithë, krejt e detyrimisht.

Ajo që dallon nga pushteti në pushtet është drejtimi specifik i hapërimit të saj: ec ajo majtas, djathtas, drejt hiatusit apo synon  sferat sa më afër diellit? Kjo shihet nga analiza e veprimeve të saja konkrete. Ç ‘bëri Qeveria deri tash? Le t’i dëgjojmë njëherë kritikët, pastaj apologjetët.

«PROKURORËT»

Ende pa u parkuar si duhet kolltukëve të pushtetit nisi deep-play [kjo sipas militancës propushtetore] e «mediave të ish-pushtetit» [atyre që shkaktuan Pronton]. Këto zbuluan, ministri i ri i shëndetësisë të ketë neglizhuar afatin e porositjes së vaksinave, me të vetmin qëllim që blerja mos t’i shkojë si epoletë qeverisë paraprake. Jo pak media e pagëzuan të njëjtin «Dr. Vdekja», ngase afera ndodhte paralelisht me kohën kur pleqtë dhe të sëmurit kronikë shuheshin nga pandemia spitaleve si ashtu ferreske të Prishtinës. Pushteti reagoi duke kërkuar arrestimin e gazetarëve për raportimin rreth neglizhencës. Ndodhi arrestimi, por presoni thonë se i detyroi të mos e imitojnë Putinin. Skandalin e dytë permanent në mediat e «ish pushtetit» e përbëjnë eskapadat anti -UÇK dhe anti-Shtet të Ministres së Jashtme. Kjo vazhduaka, sipas kritikës, siç ka bërë që nga viti 2008 jashtë, të vulos çdo njeri të kësaj Ushtrie si kriminel, vrasës dhe hajdut. Po të njëjtin narrativ ia veshin edhe ndaj Republikës së re në Evropën Juglindore. Reagime të ashpra pati edhe ndaj deklaratave të saja rreth gjenocidit gjerman ndaj shqiptarëve si dhe heshtjes kur ministri serb në një seancë të OKB i tha po të njëjta fjalë që i thotë rregullisht edhe vetë zonja.

Si skandal u shënua edhe sulmi dhe arrestimi i një veterani invalid të UÇK-së. Për çka dhe si – ende nuk është e qartë. Sipas tij komandantët e policisë i paskan thënë «ç’a po lyp ti në Prizeren». Policia ende nuk mund të dëshmojë se pse e arrestoi njeriun. Sipas burrit të Ministres së Drejtësisë, policia paska dashur të parandalojë «kurvërinë e invalidit kafeneve të qytetit». Implikueshëm, sipas deklaratës së bashkëshortit të ministres, kjo donë të thotë se invalidin e kanë kapur in flagranti duke bërë seks me prostituta apo ndonjë aktivitet të llojit. Njëri nga reaguesit që aferën e sheh vetëm si hakmarrje të pushtetit ndaj ish-ushtarëve shkroi: «Unë e kam parë shpesh gruan e tij korridoreve të hoteleve të botës me burra tjerë, më jep kjo të drejtë ta quajë lëvizjen e saj të lirë ta kualifikoj kurvni»?

Gjitha këto skandale që shfaqen si episodike, të rastësishme janë tymi i një vullkani që zihet përbrenda. Qeveria e re suspendon me të madhe njerëz nga administrata publike. Në diplomaci u tërhoqën gati gjysma e ambasadorëve. Në agjencitë semishtetërore u shkarkuan shumica e drejtorëve. Shumica e posteve – për dallim me ato të diplomacisë – mbushen shpejtë. Procedurat si duket zgjasin fare shkurt. Shumica e njerëzve që zëvendësojnë të suspenduarit dalin të afërt familjarisht me akterët e LVV-së ose janë militant të partisë në fjalë. Lëvizje e ndryshime këto që u japin material mediave kritike ti akuzojnë për nepotizëm. Albin Kurti tashmë ndërron prioritetet oreçast. «Zajednicën» sot e quan «Asociacioni». Përgjigjen si-imperativë Jo instancave të tilla! e ka përkthyer në Po! me një kusht: mos të jetë një-etnike. Hoxhiç dhe Lista ia dëshmuan këtë punë, para se ky këtë ta kërkoj formalisht e publikisht.

«AVOKATËT»

Mbrojtësit e qeverisë thonë se gjitha këto janë shpifje. Ministri i Shëndetësisë ashtu si pjesa tjetër e Qeverisë me muaj janë duke kërkuar dosjet e dokumentet pallatit e nuk i gjejnë dot. E lere më korrespondencën me Pfizer e të ngjashme. Ministrja e jashtme, mediat pro pushtetit dhe divizionet e propagandës rrjetit social thonë se zonja nuk ka asgjë kundër UÇK-së por nuk e fsheh atë që e dinë të gjithë; se komandantët e saj në luftë e në pushtet janë kriminel. Një pjesë e kësaj makinerie e deklason kritikën si propagandë qëllimkeqe kundër bijës së ish patriotit enverist Jusuf Gërvalla, i cili u vra nga UDB-a jugosllave.  Sulmin dhe arrestimin e gazetarëve shumica absolute e ithtarëve të pushtetit e mbrojtën si të drejtë. Madje shumica kërkonin ndëshkimin edhe më të rreptë. Një pjesë e militancës madje aludonte në metoda si ato të rusëve, të cilët vrasin kundërshtarët me një agjent toksik ushtarak. Në rastin e veteranit invalid ministri i brendshëm tha se «policia nuk do sillet më si dikur, për gjithë qytetarët njëjtë». Pothuaj shumica absolute e njerëzve të VV-së përkrahën sjelljen e policisë pa u interesuar të japin fakte se ç ‘bëri invalidi brenda konfliktit.

Sa i përket nepotizmit. Pushteti nuk e mohon që vendet e zbrazëta nga suspendimi dhe diferencimi masiv t’i mbushë me njerëz të rrethit, partisë dhe nuk e konsideron problem se pse shumë dalin familjarë ministrash, kryetar kuvendesh, drejtorësh e të ngjashëm. Përzgjedhja bëhet – thonë – me procedurë ligjore dhe në sajë të aftësive të individëve.

Rreth deklaratave të Lajçak Kurti t’i ketë premtuar ndryshe nga ato se ç ’thotë publikisht kanë mbetur pezull. Albin Kurti nuk komunikon me publikun për probleme politike, por paraqitet vetëm me urime, lëvdata dhe njoftime për punësime në faqen e tij të Facebook-ut.

KONSTATIME

Si mund t’i shohim nga një external point of view gjitha këto kritika? Afera rreth mos reagimit [me kohë] të Ministrit të Shëndetësisë ishte gabim fatal i këtij pushteti. Arsyetimet përbëjnë humor të zi por jo më shumë. Tendenca për të vënë policinë në shërbim të pushtetit, për të trembur kundërshtarët politik, mediat, opozitën shfaqen me sistem e kronikë dhe nuk mund të konsiderohen vetëm si lëshime. Sigurisht jo edhe për faktin se këto episode mbështeten nga një masë e gjerë mekanizmash pushtetore e partiake, ku nuk mungojnë as familjarët si aktivist publik. Nepotizmi përveçse mund të jetë tribal ai edhe më masiv dhe i dëmshëm është kur është ideologjik, partiak ( shqiptarët kanë përvoja të pasura në këtë drejtim: komunizmi).

Korrupsion i organizuar është edhe kur me një fjalë të kryeministrit një shoqatë fetare i merr tenderët për plot komuna që të ndërtojë shtëpi, qofshin ato sociale apo ndryshe. Korrupsion pozitiv është poashtu kur një ministër ia fal rrogën të njëjtës shoqatë. Poashtu Suspendimi masiv i njerëzve vetëm pse janë të partive tjera, përkundër përvojës disa vjeçare në funksion, me njerëz  në bazë zë linjave partiake apo fisnore është nepotizëm i rënde, është korruptim dramatik i tregut të lirë të punës. Punësimi masiv, paralel, i njëkohshëm i njerëzve që nuk ia kanë idenë punës nuk mund të konsiderohet si progres por regres. Është fabrikim masiv i habitusëve të paaftë për funksionim. Njëjtë e sa për ilustrim mund të merret si ekzemplar lapidar Ministrja e Jashtme. Është e vërtetë se kjo qeveri, respektivisht Ministria e Jashtme nuk e lufton logon e UÇK-së, madje edhe e shfrytëzon atë për PR publik. Ajo mirëpo e donë logon si shenjë brenda kuptimi të së cilës nuk ekziston asnjë njeri, asnjë ushtra, asnjë komandant – ngase gjithë ishin kriminel, përveç logos.

Dhe kush rren Lajçak apo Kurti? Sipas dëshmitarit okular Mathew Pallmer është i dyti ai që ka diçka për të fshehur – ngase nuk tregon publikisht se çka do të bëj në Bruksel.  E pse e me kë të flasë? Me kritikët jo, e me të vetët s’ka nevojë ngase i falin gjithçka.

PUSHTETI –  Punën e kësaj qeverie deri sot e karakterizon një insuficiencë subtile karshi detyrave bazike të saja. Galeria e figurave përbëhet në njërën anë nga njerëz që karrierën politike e kanë ndërtuar duke shpifur, paditur, përdorur dhunë ndaj institucioneve dhe nga ana tjetër me njerëz nga jashtë të cilët janë të virgjër sa u përket rrethanave, kulturës dhe historisë së vendit ku kanë shkuar ta shpejtojnë botën. Fatkeqësisht: spiralja do të vazhdojë kështu deri në shpërthim. Ndoshta jo për arsye se ky pushtet nuk ka dëshirë të punojë ndryshe, por kaq mundet. Masat dhe mbështetësit i ka të tillë, të cilat si milici për opozitë rrugëve është jashtëzakonisht efektive, por për të qeverisur nuk vlen as pesë pare. Deri tash e me këta njerëz kështu del. Ndoshta nesër si për mrekulli ndryshon gjithçka. Ndryshimi pra, çka ka ndryshuar vërtet faktit se ministrat bllokojnë kundërshtarë «twitter»-it dhe i shkruajnë Facebookut të bllokojë njerëz të veçantë në emër të sigurisë së shtetit dhe primatëve të tij, pasi me ndikimin e tyre kanosin shoqërinë?

NDRYSHIMI? – Ndryshimi vërtet ndodhi: Qeveria Kurti II ka ndryshuar qëndrim rreth dialogut. Së paku kështu betohet Lajçak. Ka ndryshuar gjithashtu definicioni i nepotizmit – punësimet në baza fisnore dhe partiake nuk janë më korrupsion. Edhe historia ndryshon ngadalë: jo Serbia, por Gjermania dhe NATO kanë bërë gjenocide dhe UÇK krime. I vetmi segment që nuk pranon këtë ndryshim, janë milicia e kultit – kjo kategori besnike, irracionale, ashtu si ajo e Iranit ndaj homeinidëve,  është garantuesja e kësaj qeverie, çka-do të bëj ajo. Ka ndryshuar edhe sjellja e shoqërisë në tërësi: ata që ende kanë mbetur pozitave dridhen e heshtin nga frika mos t’i suspendojnë nesër gjersa të gjejnë fijet fisnore me primatët, këta që nuk kanë marrë ende poste e privilegje janë në gjendje ta vrasin edhe Zotin e tyre për liderin, që më në fund të realizohen për inat të pushteteve të mëhershme që i lanë rrugëve.  Ndryshimi ndodh por në mënyrë kaotike, regresive dhe asnjëherë mirë për një demokraci në konsolidim e sipër. Është krijuar një gjendje që hap vrima brenda sovranitetit të shtetit – vrima nëpërmjet të cilave nuk do hyjë vetëm corona e modifikuar me pasaportë indiane, por pikërisht ata që tashmë me trenat e tyre kanë hy thellë vendit. Jo për të mirë.