Milani është duke pritur sinjale nga Belgjika për Ardon Jasharin.
Gjiganti italian e ka bërë ofertën përfundimtare në drejtim të Club Brugget dhe është duke e pritur përgjigjen e këtij klubi, i cili e mban kartonin e yllit shqiptar.
“Rossoneri” e prisnin dritën e gjelbër nga belgët dje, por një gjë e tillë nuk ndodhi, shkruan mediumi italian “Corriere dello Sport”, përcjell “Gazeta Express”.
Kuqezinjtë i kanë ofruar në total 37 milionë euro, prej tyre 32 milionë fiks, 3 milionë të tjerë të arritur lehtë nga bonuset dhe 2 milionë që mund të arrihen më vështirë përmes bonuseve.
Sidoqoftë, klubi belg po kërkon ende kohë para se ta japë përgjigjen definitive.
Nëse lëvizja do të shkojë drejt realizimit, arritja e Jasharit tek “Rossoneri” do ta kishte kushtueshmërinë thuajse identike me shumën që e kishte harxhuar Milani në vitin 2022 për t’i siguruar shërbimet e futbollistit belg, Charles De Ketelaere.
Për Club Brugge do të bëhej fjalë për shitjen e dytë më të shtrenjtë ndonjëherë, por edhe në futbollin belg në përgjithësi.
Gjithashtu, për Milanin do të bëhej fjalë për shpenzimin më të madh për një lojtar që nga epoka “RedBird”.
Brugge e kishte blerë Jasharin vitin e kaluar nga Luzerni për 6 milionë euro, ndërsa tash e ka mundësinë për ta shitur atë për gjashtë fish më shtrenjtë.
Natyrisht, krejt meritat do të shkonin për mesfushorin e lindur në vitin 2002, i cili është i kompletuar dhe e ka një personalitet të fortë.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri do të donte ta ketë atë në rolin të cilin në sezonet e fundit e kishte mbuluar Tijjani Reijnders, natyrisht duke mos pritur nga ai që menjëherë ta arrijë nivelin e holandezit.
Për dallim nga transferi i ri i Manchester Cityt, futbollisti shqiptar nga Maqedonia e Veriut është më solid në aspektin defanziv dhe më i fuqishëm në duele dhe i aftë t’i mbulojë disa pozita në fushë. /Gazeta Express