Milan pritet ta lejojë Niclas Füllkrug të rikthehet te West Ham United në fund të sezonit, pavarësisht se klauzola e blerjes së tij është vetëm 5 milionë euro.
Sulmuesi gjerman u bashkua në janar në formë huazimi si një zgjidhje emergjente, pasi sulmi i Milanit ishte i dobësuar, por nuk arriti të ketë ndikimin e pritur.
Një dëmtim në këmbë e pengoi gjatë gjithë periudhës, dhe vetëm një gol në 14 paraqitje (429 minuta lojë) nuk ka bindur drejtuesit e klubit.
Sipas gazetarit të merkatos Matteo Moretto, përmes raportimeve të “CalcioMercato”, Milani e kishte parë marrëveshjen si një huazim të thjeshtë që nga fillimi, ndërsa opsioni i blerjes do të aktivizohej vetëm në rast të një paraqitjeje të jashtëzakonshme.
Meqë kjo nuk ndodhi, klubi nuk ka ndërmend ta aktivizojë klauzolën, edhe pse shuma është relativisht e ulët për një lojtar me kontratë deri në vitin 2028.
“Rossonerët” kanë udhëzuar tashmë rrjetin e skautëve për të gjetur një sulmues me karakteristika të ngjashme fizike për afatin kalimtar të verës.
Sa i përket Füllkrug, rikthimi në Londër duket opsioni më i mundshëm në afat të shkurtër, edhe pse një rikthim në Gjermani – veçanërisht te Schalke 04 nëse ngjitet në Bundesliga – mbetet një mundësi për të ardhmen.
Periudha e tij e shkurtër në Serie A pritet të kujtohet si një aventurë që nuk arriti kurrë të marrë hovin e duhur./GazetaExpress/