Raportohet se Milan po ndien etjen e Manchester Cityt dhe Real Madridit për të nënshkruar me Tijjani Reijnders, duke e çuar çmimin e kërkuar deri në 90 milionë euro.
Më parë ishte sugjeruar se skuadra e Pep Guardiolës kishte paraqitur një ofertë në zonën e 60 milionë eurove për mesfushorin, shkruan “Gazeta Express”.
Megjithatë, kjo ofertë ishte larg minimumit absolut prej 70 milionë eurosh që Milani do ta merrte në konsideratë për të filluar bisedimet.
Tani, sipas “TEAMtalk”, interesi i shtuar nga Real Madridi po e shtyn Milanin që të rrisë edhe më shumë pragun e çmimit, duke qenë të sigurt që mund të krijojnë një “luftë ofertash” këtë verë. Çmimi i kërkuar tani është afër 90 milionë eurove – dhe mund të rritet edhe më tej.
26-vjeçari iu bashkua Milanit nga AZ Alkmaar në vitin 2023 për 20.5 milionë euro plus bonuse, dhe ka pasur një sezon shpërthyes me fanellën kuqezi.
Reijnders ka shënuar 15 gola dhe ka dhënë pesë asistime në 52 ndeshje zyrtare këtë sezon, duke luajtur në role të ndryshme në mesfushë.
Ai gjithashtu ka rinovuar së fundmi kontratën me Milanin deri në qershor të vitit 2030, çka e vë klubin në një pozitë të fortë në çdo negociatë të ardhshme.