Milani e ka nxjerrë në shitje sulmuesin Santiago Gimenez, pak pa përfunduar afati kalimtar i verës.
Sulmuesi meksikan nuk bindi me kontributin e tij në sezonin e parë në San Siro, prandaj edhe erdhi deri tek ky vendim, shkruajnë mediat italiane, përcjell “Gazeta Express”.
Gimenez nuk e ka bindur sa duhet trajnerin Massimiliano Allegri, i cili që kur u rikthye në Milano e ka kërkuar një sulmues të ri.
Dhe, “Rossoneri” tashmë e kanë siguruar transferimin e sulmuesit të Bayer Leverkusenit, Victor Boniface.
Përfaqësuesi meksikan kishte përfunduar tek Kuqezinjtë në afatin kalimtar të janarit për 32 milionë euro, ndërsa mund të largohet prej aty pas vetëm gjashtë muajsh.
Në pjesën e dytë të sezonit 2024/25 ai i kishte realizuar 6 gola dhe i kishte bërë 4 asistime në 20 ndeshje të zhvilluara.
Milani e ka autorizuar menaxheren e lojtarit, Rafaela Pimenta që t’i dëgjojë ofertat për klientin e saj.
Milani do të ishte i gatshëm ta shesë Gimenezin për 28 milionë euro. /Gazeta Express