Milani e mund Juventusin me përmbysje mbresëlënëse - Gazeta Express
string(50) "milani-e-mund-juventusin-me-permbysje-mbreselenese"

Milani e mund Juventusin me përmbysje mbresëlënëse

Gazeta Express

07/07/2020 23:55

Milani e ka mundur Juventusin me një përmbysje spektakolare 4:2 të martën, duke ia ndërprerë atij ecurinë e përsosur pa humbje në ligë dhe, njëkohësisht, duke ia rritur vetes dukshëm gjasat për t’u kualifikuar në garat evropiane sezonin e ardhshëm.

Zlatan Ibrahimovic, Franck Kessie, Rafael Leao dhe Ante Rebic shënuan për ta kompletuar rikthimin e jashtëzakonshëm të Mialnit në San Siro, tamam kur Juventusi mendoi se e kishte fituar ndeshjen pas epërsisë prej dy golave falë Adrien Rabiot dhe Cristiano Ronaldos, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Milani i grumbullon 49 pikë falë kësaj fitoreje dhe ngrihet në pozitën e pestë, të paktën përkohësisht, me një pikë më shumë se Roma dhe Napoli, të cilat e ndjekin nga pas dhe e kanë nga një ndeshje mangu.

Përkundër disfatës, Juventusi vijon të jetë lider i Serie A me 75 pikë, shtatë më shumë se Lazio, e cila po ashtu pësoi humbje sot ndaj Lecce, e dyta radhazi.

Kjo ishte humbja e parë për skuadrën e Maurizio Sarrit pas plot shtatë fitoreve radhazi në ligë.

Ndërsa Milani i Stefano Piolit, e regjistron fitoren e dytë radhazi dhe atë ndaj dy skuadrave të para në renditje, pasi e mundi Lazion 3:0 në fundjavë.

Pas një pjesë të parë të qetë dhe pa shumë mundësi, në pjesën e dytë u shënuan të gjithë gjashtë golat.

Juventusi e krijoi një epërsi të hershme brenda gjashtë minutave, kur Rabiot shënoi gol të jashtëzakonshëm duke e kaluar gjysmën e fushës me topin në këmbë para se ta mposhte Gigi Donnarumman nga rreth 18 metra largësi.

Ronaldo e dyfishoi epërsinë falë një gabimi në mbrojtjen e Milanit në minutën e 53-të.

Por Milani e kishte rezervuar një rikthim për t’u mbajtur në mend, i cili nisi me sulmuesin suedez Ibrahimovic.

Ai shënoi nga penalltia në minutën e 62-të, para se Kessie dhe Leao të shëno ta përmbysnin Juven me dy gola brenda dy minutave vetëm katër minuta më vonë.

Rebic e vulosi rikthimin dhe e fundosi Juventusin në minutën e 80-të. /Gazeta Express/