Milani e mposht Romën në një ndeshje zbavitëse, e shton trysnin ndaj Interit - Gazeta Express
string(75) "milani-e-mposht-romen-ne-nje-ndeshje-zbavitese-e-shton-trysnin-ndaj-interit"

Futboll

Gazeta Express

28/02/2021 22:53

Milani e mposht Romën në një ndeshje zbavitëse, e shton trysnin ndaj Interit

Futboll

Gazeta Express

28/02/2021 22:53

Milani e ka mposhtur 2:1 Romën në një ndeshje tejet zbavitëse por me vendime kontroverse të gjyqtarëve, duke e mbajtur liderin, Inter, nën presion pasi i është afruar në vetëm katër pikë përsëri.

Franck Kessie dhe Ante Rebic shënuan për fitoren e parë të Milanit pas dy humbjeve radhazi, ndërkohë që goli i vetëm i Jordan Veretout ishte i pamjaftueshëm për Romën në Stadiumin Olimpik të dielën, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Skuadra e Stefano Piolit vinte nga humbja tronditëse kundër Spezias dhe disfata e thellë në derbi kundër Interit – të cilat ia humbën pozitën e parë në tabelë – dhe ishte e vetëdijshëm se një humbje e tretë do t’ia zbehte dukshëm gjasat për titull.

Reagimi i kuqezinjve ishte fantastik, megjithatë, pasi iu futën takimit në kryeqytet rrufeshëm, duke krijuar një mori rastesh, përfshirë goditjen e disa shtyllave, para se Kessie ta thyente akullin duke shënuar nga penalltia në minutën e 42-të.

Veretout e ktheu Romën në lojë me një gol të mrekullueshëm në minutën e 50-të, por gëzimi i kryeqytetasve nuk zgjati shumë.

Kjo pasi Rebic e ktheu epërsinë e kuqezinjve duke e shënuar atë që ishte edhe goli i triumfit vetëm tetë minuta më vonë. Ai shënoi me një goditje të fuqishme me të majtën pas një lëvizje të mrekullueshme me shpinë.

Roma u ankua për një penallti kur Theo Hernandez e rrëzoi në zonë Henrikh Mkhitaryanin, por gjyqtari i ndeshjes nuk e mori mundin as ta rishikojë incidentin në VAR.   

Pak çaste më vonë, edhe Milani kërkoi penallti përsëri kur Rafael Leao u pengua në zonë. Gjyqtari kërkoi që ndeshja të vazhdojë.

Roma ngel në pozitën e pestë, dy pika larg Juventusit dhe Atalantës që i mbajnë pozitat tre dhe katër, përkatësisht.

Milani ngel në pozitën e dytë, tani me katër pikë më pak se lideri Inter dhe gjashtë më shumë se Juventusi. /Gazeta Express/