AC Milan duket se ka siguruar një marrëveshje parimore me Brighton & Hove Albion për transferimin e mbrojtësit të majtë Pervis Estupiñán, me koston që pritet të jetë pak më pak se 20 milionë euro.
Sipas raportimeve nga Alex Crook i “talkSPORT”, Matteo Moretto, “Calciomercato.com”, lojtari ka dhënë dritën jeshile për kalimin në “San Siro” dhe klubet tashmë janë në fazën përfundimtare të detajeve.
Brighton kishte refuzuar ofertën fillestare të Milanit prej 15 milionë eurosh, por palët intensifikuan bisedimet në orët e fundit.
“Rossonerët” kanë rritur ofertën duke përfshirë bonuse, për ta çuar çmimin total rreth 18-19 milionë euro, duke e afruar me kërkesat e klubit anglez.
27-vjeçari nga Ekuadori do të zëvendësojë Theo Hernandez, i cili u transferua së fundmi te Al-Hilal.
Estupiñán është nën kontratë me Brighton deri në qershor të vitit 2027, por agjenti i tij Jorge Mendes ka ndihmuar për ta përshpejtuar marrëveshjen.
Brighton e bleu atë nga Villarreal në verën e vitit 2022 për 17.8 milionë euro.
Edhe pse ishte në listën e Udineses në vitin 2016–2017, ai nuk zhvilloi asnjë ndeshje në Serie A, pasi u huazua menjëherë te Granada dhe më pas te Watford.
Milan synon ta bëjë zyrtar transferimin në ditët në vijim dhe ta ketë Estupiñán gati për përgatitjet para sezonit 2025–26./GazetaExpress/