Milani nuk e ka ndërmend të heq dorë nga Ardon Jashari.
Gjiganti italian madje e ka bërë një ofertë zyrtare tek Club Brugge për yllin kosovar të Zvicrës.
Për këtë siguron Sky Sport Suisse, përcjell “Gazeta Express”.
Jashari do ta pranonte me qejf sfidën “Rossonere”, por njëkohësisht ai është i vetëdijshëm se do të jetë një betejë e vështirë për ta bindur klubin e tij që ta lë të largohet.
Për të arritur deri tek mesfushori kreativ, Kuqezinjtë e kanë vënë në dispozicion një ofertë prej 27 milionë eurosh në tavolinë, plus 3 milionë euro shtesë nga bonuset.
Natyrisht, kjo shumë nuk ka gjasa t’i kënaq drejtuesit e klubit belg, i cili i kërkon së paku 40 milionë euro për lojtarin më të mirë të vitit në Superligën e Belgjikës.
Sidoqoftë, në Itali besojnë se marrëveshja mund të mbyllet midis 30 dhe 35 milionë euro.
Mediat italiane besojnë se trajneri Massimiliano Allegri e ka bërë Jasharin si prioritetin e tij në afatin kalimtar të verës.
Mbetet të shihet se si do të reagojë Club Brugge pas ofertës zyrtare që ia nisi sot Milani.
Drejtori i ri sportiv, Igli Tare po mendon ta krijojë një mesfushë krejtësisht ballkanase, me Modric, Xhaka e Jashari.
Mbetet të shihet nëse ish-futbollisti shqiptar do të arrijë ta formojë këtë treshe, në tentim të ngritjes së Milanit, i cili e kaloi një sezon katastrofal. /Gazeta Express