Pas sigurimit të dy përforcimeve të rëndësishme në mesfushë, Luka Modric dhe Samuele Ricci, AC Milan tashmë ka përqendruar të gjithë vëmendjen te talenti shqiptar Ardon Jashari.
Sipas raportimeve të shumta në Itali, përfshirë ato nga Matteo Moretto dhe Antonio Vitiello, Milani mbetet i vendosur për të transferuar mesfushorin e Club Brugge gjatë kësaj merkatoje verore.
Jashari ka qenë i lidhur ngushtë me kuqezinjtë ditët e fundit, ndërsa lojtari ka shprehur qartë dëshirën për t’u bashkuar me skuadrën nga “San Siro”. Kjo ka bërë që drejtuesit e Milanit, përfshirë Igli Taren, të zhvillojnë kontakte të reja me drejtuesit belg për të testuar mundësinë e uljes së çmimit.
Aktualisht, oferta e Milanit kap shifrën e 27 milionë eurove plus 5 milionë në formë bonusesh, ndërsa Club Brugge vijon të këmbëngulë për një shifër prej 35 milionë eurosh, pa përfshirë bonuset.
Megjithatë, nga kampi kuqezi ka sinjale se janë të gatshëm të shkojnë deri në 35 milionë euro në total, nëse pala belge shfaq hapësirë për negociatë, transmeton Gazeta Express.
Në ndërkohë, Milani ka mbyllur tashmë marrëveshjen me Torinon për Samuele Ricci dhe pret vetëm testet mjekësore javën e ardhshme për zyrtarizimin. Menjëherë pas kësaj, fokusi i plotë do t’i kushtohet Ardon Jasharit, për të cilin klubi është i gatshëm të bëjë gjithçka për ta sjellë në Milano.
Negociatat pritet të jenë të komplikuara, por Milani duket i vendosur të çajë murin e Club Brugge dhe ta bëjë Jasharin pjesë të projektit të ri ambicioz për sezonin 2025/26.