Ethan Nwaneri ka shkëlqyer për Arsenalin javët e fundit, duke shënuar kundër Gironës dhe Manchester Cityt.
Mikel Arteta ka zbuluar se supertalenti i Arsenalit, Ethan Nwaneri, nuk lejohet të përdorë dhomën e zhveshjes së ekipit të parë, pavarësisht se ka luajtur për skuadrën këtë sezon.
17-vjeçari debutoi për Arsenalin dy vite më parë, kur ishte vetëm 15 vjeç, duke u bërë lojtari më i ri në historinë e Premier League kur hyri në fushë kundër Brentfordit.
Që atëherë, ai ka pritur me durim mundësitë e tij, duke bërë vetëm një paraqitje sezonin e kaluar, përpara se të futej plotësisht në ekipin e parë këtë sezon nën drejtimin e Artetës.
Nwaneri shënoi një gol të mrekullueshëm në debutimin e tij si titullar në Champions League, në fitoren 2-1 të Arsenalit ndaj Gironës muajin e kaluar. Ai vazhdoi të impresionojë edhe në fitoren 5-1 ndaj Manchester Cityt në Premier League, duke shënuar një gol spektakolar nga distanca.
Pavarësisht paraqitjeve të tij mbresëlënëse, Nwaneri ende nuk lejohet të ndërrojë rrobat në dhomën e zhveshjes së ekipit të parë të Arsenalit.

Arteta ka shpjeguar se, ndryshe nga talenti tjetër i Arsenalit, Myles Lewis-Skelly – i cili mbushi 18 vjeç në shtator – Nwaneri nuk ka leje të përdorë dhomën e zhveshjes për shkak të moshës së tij të re.
“Kur i shikon këta të dy [Lewis-Skelly dhe Nwaneri] duke ecur bashkë dhe duke biseduar, e sheh lidhjen dhe kiminë që kanë mes tyre,” tha Arteta.
“Për ta, kjo është diçka speciale, sepse për momentin ata ende janë në dhoma të ndryshme zhveshjeje [në qendrën stërvitore]. Ethan ende nuk mund të jetë në dhomën tonë të zhveshjes, gjë që është e pabesueshme. Ai duhet të vishet diku tjetër, edhe në ditën e ndeshjeve. Kështu që të kesh dikë afër që të jep besim dhe siguri është diçka me shumë fat për të dy”, shtoi ai. /GazetaExpress/