Arsenali dhe Chelsea raportohet se janë të dyja të interesuara për të transferuar Xavi Simons nga RB Leipzig këtë verë.
Chelsea mund të tentojë t’i rrëmbejë Arsenalit objektivin e kahmotshëm Xavi Simons, por “Topçinjtë” mund të përdorin dy “arma të fshehta” për të fituar garën ndaj rivalëve të tyre nga Londra për holandezin.
Pas triumfit në Club World Cup, Chelsea është duke kaluar nëpër një fazë ristrukturimi të skuadrës, duke shtuar tashmë emrat e Liam Delap dhe Joao Pedro këtë verë. Ndërkohë, Noni Madueke është bashkuar me Arsenalin, ndërsa disa lojtarë të tjerë të rëndësishëm si Raheem Sterling, Joao Felix dhe Ben Chilwell pritet të largohen.
Skuadra e Enzo Maresca është në kërkim të përforcimeve të reja, duke pasur parasysh edhe rikthimin e saj në Champions League, dhe Simons është shfaqur si një objektiv i ri këtë javë. Raportimet thonë se Simons dëshiron të largohet nga Leipzig pasi klubi nuk arriti të kualifikohej për kompeticionet europiane sezonin e ardhshëm, dhe mund të jetë i disponueshëm për një çmim nën 60 milionë paund.
22-vjeçari, i cili vetëm verën e kaluar u transferua përfundimisht te gjermanët nga Paris Saint-Germain, është gjithashtu objektiv i Arsenalit.
“Topçinjtë” mund të mbeten të interesuar pavarësisht ardhjes së Madueke, duke parë çmimin e ulët të mundshëm për të. Dhe nëse ndodh një lëvizje e tillë, Mikel Arteta mund të përdorë dy “arma të fshehta” për ta bindur Simons të zgjedhë Emirates përpara Stamford Bridge.
Së pari, afrimi i ri i Arsenalit, Noni Madueke, ka qenë shok skuadre me Simons te PSV Eindhoven, dhe të dy gëzonin një marrëdhënie të mirë si brenda ashtu edhe jashtë fushe, përpara transferimeve të tyre me shumë vlerë te PSG dhe Chelsea përkatësisht.
Së dyti, mbrojtësi i Arsenalit, Jurrien Timber, është bashkëlojtar me Simons te Kombëtarja e Holandës dhe mund të ndikojë për ta bindur atë mbi avantazhet që ofron Arsenali krahasuar me Chelsean.
Timber ka folur për planet e Arsenalit në këtë afat kalimtar muajin e kaluar, duke thënë:
“Do të jetë padyshim një merkato e ngarkuar për Arsenalin. Besoj që do të sjellim shumë lojtarë, sepse sezonin e kaluar patëm shumë dëmtime. Në një moment pothuajse nuk na kishin mbetur më lojtarë. Kështu që për thellësinë e skuadrës, padyshim që duan të përforcohen.”
Simons tashmë i ofruar Arsenalit?
Disa thashetheme sugjerojnë se Simons mund t’i jetë ofruar Arsenalit që më herët këtë verë, përpara se të përflitej interesi i Chelseat. Agjenti i ri i Simons, Ali Barat, ka një marrëdhënie të mirë pune me Arsenalin, pasi përfaqësoi edhe Madueke në transferimin e tij të fundit.
Thuhet gjithashtu se ai bashkëpunon mirë me drejtorin sportiv të Arsenalit, Andrea Berta, çka mund të forcojë edhe më tej pozitat e tyre nëse Simons është me të vërtetë një objektiv serioz.
Berta tashmë ka orientuar ndryshe politikën e transferimeve te Arsenali pas largimit të Edu, duke sjellë në Emirates lojtarë si Martin Zubimendi dhe Christian Norgaard. Viktor Gyokeres gjithashtu pritet t’u bashkohet atyre, pasi negociatat me Sporting për një transferim prej 67 milionë paundësh janë ende në vazhdim. /GazetaExpress/