Mijëra britanikë po vdesin për shkak të mungesës së shtretërve në spitale - Gazeta Express

Mijëra britanikë po vdesin për shkak të mungesës së shtretërve në spitale

Lajme

Gazeta Express

10/12/2019 9:15

Sipas një hulumtimi të organeve shëndetësore në Britani të Madhe, gati 5 mijë e 500 persona kanë vdekur gjatë tre vjetëve të kaluar për shkak të mungesës së shtretërve në spitalet e stërngarkuara me pacientë.

Hulumtimi me shifra shqetësuese u publikua pikërisht në kohën kur kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, po përballet me presion të shtuar për gjendjen e përgjithshme në sistemin shëndetësor të vendit.

Në bazë të këtij hulumtimi, 5 mijë e 449 persona kanë vdekur nga viti 2016 në Britani të Madhe për shkak të pritjes për t’u shtrirë në spital.

Shoqata e Pacientëve tha se këto gjetje janë thellësisht shokuese dhe shumë shqetësuese. Kjo shoqatë gjithashtu tha se ky numër i madh i vdekjeve ka ardhur për shkak të fondeve të pamjaftueshme që qeveria ka dhënë për sistemin shëndetësor.

Sipas rezultateve të këtij hulumtimi, një në 83 pacientë që detyrohet të presë për t’u shtirë në spital do të vdesë për shkak të pritjes për t’u trajtuar nga specialistët mjekësorë.

Hulumtuesit thonë se këta pacientë kanë vdekur vetëm për shkak të pritjeve dhe vonesave në spitale dhe jo për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore.

Muajin e kaluar, gazeta “The Guardian” raportoi se spitalet angleze tashmë e kanë numrin më të vogël të shtretërve që e kanë pasur ndonjëherë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.