Miftaraj: VV po luan me nervat e qytetarëve, ka në dorë zgjidhjen e bllokadës së Kuvendit - Gazeta Express
string(87) "miftaraj-vv-po-luan-me-nervat-e-qytetareve-ka-ne-dore-zgjidhjen-e-bllokades-se-kuvendit"

Lajme

Gazeta Express

21/08/2025 13:13

Miftaraj: VV po luan me nervat e qytetarëve, ka në dorë zgjidhjen e bllokadës së Kuvendit

Lajme

Gazeta Express

21/08/2025 13:13

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, tha se pas dy aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese gjithçka është e qartë.

Në intervistë për Ekonomia Online, Miftaraj tha se tani mbetet në dorën e Lëvizjes Vetëvendosje nëse do ta bëjë konstituimin e Kuvendit për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë ose do të vazhdojë bllokimin e këtij procesi.

“Prej kohës kur është bërë certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit të këtij viti dhe tanimë pas dy aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese besoj që gjërat tani janë shumë të qarta. Është në dorën e VV-së nëse kanë vullnet politik për të bërë konstituimin e Kuvendit për t’i hapur rrugë pastaj formimit të qeverisë ose për të bllokuar tërë këtë proces. Ne tanimë e kemi të qartë se nëse nuk ka një marrëveshje politike ose nëse nuk ka një konsensus brenda VV-së për të proceduar përpara emra, të cilët janë të pranueshëm qoftë për PDK-në, qoftë për AAK-në apo për partitë e tjera të komuniteteve jo shumicë, pothuajse do të thotë është e pamundur që të dërgohen përpara emrat, të cilët në njëfarë mënyre në mënyrë të njëanshme është duke i propozuar VV-ja”, tha Miftaraj.

Ai tha se mungesa e transparencës në propozimet e fundit e bën të duket se Vetëvendosje ka më shumë interes për bllokadë sesa për konstituimin e Kuvendit.

“Tash nëse VV-ja do të kishte vullnet të bëhet konstituimi i Kuvendit nga 48 deputetët që i kanë marrë mandatin e deputetit nga VV-ja së paku 30 apo 40 prej tyre në njëfarë mënyre e kanë edhe pëlqimin e partive të caktuara opozitare. Kështu që propozimi i Albulena Haxhiut dhe Donika Gërvallës pa një konsultim paraprak dhe pa një informim paraprak, me një mungesë të theksuar të transparencës, njëfarë mënyre të jep përshtypjen që VV-ja më shumë ka interes bllokadën sesa konstituimin e Kuvendit, për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë”, u shpreh ai.

Sipas tij, Vetëvendosje ka mundësi që të propozojë kandidatë të tjerë në një ditë deri në gjetjen e një kandidati që merr shumicën parlamentare, por nuk po e bën këtë.

“Tash nëse do të kishte vullnet politik VV-ja do të thotë, vazhdimi i seancës konstituive nuk ka nevojë që të mbahet çdo 48 orë. Nëse VV-ja do të kishte vullnet politik, do të vazhdonte me kandidatë të tjerë. Nëse dy të parët nuk i morën votat e mjaftueshme VV-ja ka të drejtë, mund dhe do të duhej të propozonin kandidatë të tjerë, të cilët do t’i nënshtroheshin votimit në Kuvend.

Dhe nëse do të vinin që brenda ditës të votohen 10-15 apo 20 kandidatë që mund të bëhet lehtësisht, atëherë do të vinim deri te një kandidat i VV-së që do ta merrte shumicën parlamentare prej 61 votave për t’i hapur rrugë pastaj votimit të nënkryetarëve. Por siç duket VV-ja thjesht është duke bërë lojëra politike, në njëfarë mënyre është duke luajtur qoftë me nervat e partive tjera në Kuvend, qoftë me nervat e qytetarëve deri kur në njëfarë mënyre mund të durojnë këtë mungesë lidershipi, këtë mungesë të vullnetit politik për të bërë Kosovën me institucione legjitime”, tha Miftaraj.