Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar ashpër ndaj heshtjes institucionale përballë rasteve në rritje të dhunës dhe vrasjeve në familje, duke vënë në pah mungesën e veprimit nga ana e Koordinatores Kombëtare kundër Dhunës në Familje – një rol që thotë se ushtrohet nga Ministrja e Drejtësisë.
Përmes një postimi në Facebook, Miftaraj ka ngritur shqetësimin për atë që e quan heshtje “vrastare” të institucioneve, teksa çdo ditë raportohen raste të dhunës në familje e, madje, edhe vrasje. Ky reagim i tij vjen pas vdekjes së një 34-vjeçari në Prishtinë, i cili dyshohet se fillimisht plagosi gruan, pastaj vrau veten.
“A din kush me tregu se cili është roli i Koordinatorit Kombëtar kundër Dhunës në familje? Vrasje në familje, dhunë në familje për çdo ditë, kurse Ministrja e Drejtësisë që e ushtron këtë rol në heshtje vrastare,” shkroi ai.
Miftaraj ka kritikuar ashpër qeveritarët, duke i akuzuar se pushtetin e shfrytëzojnë vetëm për përfitime personale dhe privilegje, pa asnjë ndjenjë përgjegjësie ndaj qytetarëve.
“Ky shtet është pa Zot shtëpie. Qeveritarët i ushtrojnë pozitat e tyre vetëm në raport me përfitimet dhe privilegjet që ua ofron pushteti,” vijon reagimi.
Ai thekson se kur dështojnë të gjitha hallkat e sistemit të sigurisë dhe drejtësisë, dhe mungon vullneti politik për të vepruar, atëherë dhuna në familje kthehet thjesht në statistika.
“Llogaridhënia dhe përgjegjësia kanë vdekur në Kosovë,” përfundon Miftaraj.