Miftaraj: Raporti Progresit “modest”, s’është treguar realiteti i vrazhdë në të cilin gjendet vendi - Gazeta Express
string(94) "miftaraj-raporti-progresit-modest-seshte-treguar-realiteti-i-vrazhde-ne-te-cilin-gjendet-vendi"

Lajme

Gazeta Express

25/11/2025 8:04

Miftaraj: Raporti Progresit “modest”, s’është treguar realiteti i vrazhdë në të cilin gjendet vendi

Lajme

Gazeta Express

25/11/2025 8:04

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se Raporti i Komisionit Evropian ka qenë një raport modest që ka kursyer institucionet ligjzbateuese në Kosovë, pasi që sipas tij, nuk ka treguar realitetin e vrazhdë në të cilin gjendet Republika e Kosovës.

Ai tha se Ministria e Drejtësisë, ka neglizhuar dy dokumente sa i përket miratimit dhe zbatimit të tyre, e që njëra prej tyre është Strategjia për Sundimin e Ligjit për të cilën tha se janë investuar me qindra mijëra euro nga bashkësia ndërkombëtare.

“Në vitin 2025 nuk ka pasur plan të punës për zbatimin e kësaj Strategjie, MD thuajse e ka lënë jetim këtë strategji, nuk ka pasur vullnet politik, dhe kur nuk ka plan të punës, atëherë si KGJK, si KPK edhe agjencitë tjera, e kanë problem me zbatu këtë Strategji”, theksoi Miftaraj.

Ai tha se Zyra e Kyreministrit ka dështuar në hartimin e Strategjisë kundër Korrupsionit.

“Një qeveri e cila ka ardhur në pushtet me promovimin dhe premtimin për luftimin- parandalimin e korrupsionit, ka dështuar që për 4 vite qeverisje në madat të plotë, po edhe tash më 2025 me muaj të tërë nuk ka qenë në gjendje që të miratojë këtë Strategji. Përkundrazi, ka pasur debat, ka pasur kritika, ka pasur tension në takimet e grupit punues, por edhe reagime të ashpra nga partnerët tanë ndërkombëtarë për mënyrën se si është tentu të miratohet kjo Strategji”, u shpreh Miftaraj.

Po ashtu, Miftaraj tha se ky Raport ka qenë më i mirë, sesa që është në praktikë.

Sipas tij, Raporti i KE-së nuk i jep vëmendjen e duhur ushtrimit të ndikimit politik që e ka bërë legjislativi dhe ekzekutivi në raport me gjyqtarë e prokurorë.

Ai tha se për herë të parë kemi pasur Qeveri, një parti politike në pushtet që e kanë kundërshtuar publikisht Këshillin Gjyqësor e Prokurorial të Kosovës.

“Ka pasur komente, ka pasur deklarata politike të cilat i kanë cenu jo vetëm integritetin, pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial- por ka pasur ndaj vetë gjyqtarëve dhe prokurorëve individualë. Kjo do të thotë se kanë mundur të cenojnë edhe sigurinë fizike të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha ai. /BetimipërDrejtësi