Miftaraj për bllokadën në Kuvend: Përgjegjësinë më të madhe e ka VV-ja - Gazeta Express
string(69) "miftaraj-per-bllokaden-ne-kuvend-pergjegjesine-me-te-madhe-e-ka-vv-ja"

Lajme

Gazeta Express

01/08/2025 12:07

Miftaraj për bllokadën në Kuvend: Përgjegjësinë më të madhe e ka VV-ja

Lajme

Gazeta Express

01/08/2025 12:07

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se përgjegjësinë më të madhe për bllokadën në Kuvendin e Kosovës e ka partia e parë, e cila është Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Miftaraj këtë e tha gjatë takimit diskutues me titullin “Kuvendi në pauzë, demokracia në sprovë: A është kompromisi dhe konsensusi zgjidhja?”. Kjo ngjarje organizohet me mbështetjen e Friedrich Ebert Stiftung (FES), Zyra në Prishtinë.

Miftaraj tha se shtetet partnere të Kosovës janë duke bërë thirrje vazhdimisht që të bëhet një zgjidhje, në mënyrë që të kenë një partner në Kosovë për të çuar përpara politikat në të mirë të vendit.

“Partitë politike do të duhej të reflektonin dhe pa pikë dyshimi këtu përgjegjësia bie në bazë të fuqisë politike që secila parti politike ka në Kuvendin e Kosovës. Këtu nuk amnistohet, por përgjegjësinë më të madhe e ka Lëvizja Vetëvendosje me 48 deputetë, të cilët do të duhej të gjenin një zgjidhje për të dalë nga ky ngërç politik që besoj se është duke kaluar në një kaos institucional. Sa më shumë vonohemi, pasojat do të jenë më pak të rikuperueshme”, tha ai.

Drejtori Ekzekutiv i IKD-së foli edhe për vendimin e fundit të Gjykatës Supreme, e cila ka përcaktuar në mënyrë të qartë që ushtrimi i pozitës së deputetit dhe ministrit njëkohësisht është në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe Ligjin, raporton Betimi për Drejtësi.

Ai tha se ministrat dhe kryeministri çdo vendim që e marrin, e bëjnë në kundërshtim me ligjin.

Miftaraj tha se Kosova është në pritje të një numri të madh të marrëveshjeve që kanë të bëjnë me asistencë financiare prej Bashkimit Evropian e vende të tjera.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka pasur vazhdimisht qëndrimin që partitë politike nuk duhet të presin mrekulli nga Gjykata Kushtetuese, sepse ajo edhe nëse merr një vendim, ai vendim duhet, në fund të fundit, me u zbatu nga partitë politike”, tha ai.

Miftaraj tha se Gjykata Kushtetuese në asnjë vend në botë, por as në Kosovë, nuk mundet t’i bindë partitë politike ose me i obligu ato për të pasur dialog dhe konsensus politik për të ardhur te një zgjidhje për konstituimin e Kuvendit.

“Gjykata Kushtetuese përcakton procedurat dhe në njëfarë mënyre ofron zgjidhje në bazë të Kushtetutës, por zgjidhja në fund duhet të jetë te partitë politike, të cilat duhet të dalin nga vetja e tyre për të gjetur një kompromis”, tha Miftaraj.

“Kosova, si asnjëherë më parë, po ballafaqohet me një mungesë të funksionimit demokratik të institucioneve kushtetuese”, tha ai.

Miftaraj tha se IKD javën e kaluar ka publikuar një analizë, ku është konstatuar se ka një numër të madh të institucioneve të pavarura që tanimë janë jofunksionale për shkak të përfundimit të mandatit të anëtarëve të tyre.

“Në bazë të analizës së IKD-së, nëse kjo do të vazhdojë edhe më tutje, deri në fund të vitit mund të ndodhë që të kemi ndoshta 50% të institucioneve të pavarura pa borde legjitime, të cilat janë në gjendje që të marrin vendime për t’u ofruar shërbime që i përcakton Kushtetuta dhe Ligji”, tha Miftaraj.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të premten organizoi takim diskutues me titull “Kuvendi në pauzë, demokracia në sprovë: A është kompromisi dhe konsensusi zgjidhja?”. Kjo ngjarje organizohet me mbështetjen e Friedrich Ebert Stiftung (FES), Zyra në Prishtinë.