Miftaraj: Gjykata Kushtetuese mund të vendos për masën e sigurisë para 26 korrikut - Gazeta Express
string(81) "miftaraj-gjykata-kushtetuese-mund-te-vendos-per-masen-e-sigurise-para-26-korrikut"

Lajme

Gazeta Express

24/07/2025 8:07

Miftaraj: Gjykata Kushtetuese mund të vendos për masën e sigurisë para 26 korrikut

Lajme

Gazeta Express

24/07/2025 8:07

Gjykata Kushtetuese mund të marrë vendim për kërkesën e presidentes Vjosa Osmani lidhur me masën e sigurisë para datës 26 korrik, afat ky i përcaktuar nga Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Kështu tha në një intervistë për Ekonomia Online, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, duke e cilësuar iniciativën e presidentes si një mundësi për zgjidhjen e krizës politike.

“Presidentja ka kërkuar masë të sigurisë në 30- ditëshin, e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, kjo është diçka e re dhe nuk është që ka ndodhur ndonjëherë më herët. Por që duam të besojmë që qëllimi është i mirë dhe qëllim ka qenë që në njëfarë mënyre të ndalet kjo krizë politike, krizë që e ka kapluar Kuvendin e Kosovës”, tha Miftaraj.

Sipas tij, nëse Gjykata Kushtetuese e trajton kërkesën si të pranueshme, ajo mund të vendosë shumë shpejt.

“Nëse Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën si të pranueshme, atëherë për masë të sigurisë do të thotë mund që të marrë vendimin shumë shpejt, sepse nuk lëshohet në bazë të meritave, por merr një vendim përmes të cilit Gjykata Kushtetuese e konsideron se një veprim i tillë është i rëndësishëm për të ndalur, si të themi, dëmin që mund të jetë pastaj i parikuperueshëm nëse i njëjti nuk ndërmerret”, u shpreh ai.

Miftaraj theksoi se kjo çështje është veçanërisht e rëndësishme për shkak se vendimi i mëhershëm i Gjykatës Kushtetuese ka caktuar 30 ditë për konstituimin e Kuvendit pas certifikimit të rezultateve, por pa përcaktuar qartë se çfarë ndodh nëse kjo nuk ndodh brenda afatit.

“Duhet parë iniciativën e presidentes si një mundësi e re për t’i dhënë kahe zgjidhjes së krizës politike që tani më e ka kapluar, themi, Kuvendin e Kosovës. Sot ishte dështimi i 51-të me radhë, kur partitë politike nuk po gjejnë konsensus, nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët për të konstituuar Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

“Për këtë arsye, iniciativën e presidentes e shohim si sinjal të mirë, që në njëfarë mënyre kërkon sqarime shtesë nga Gjykata Kushtetuese se çka ndodh pas 26 korrikut. Sidoqoftë, për IKD-në, kërkesa e presidentes mund të themi që në së paku në dy fusha kërkon interpretim, kërkon sqarim apo kemi dyshimet tona nëse me të vërtetë Gjykata Kushtetuese, nëse marrim për bazë praktikat e ndërtuara deri më tani, do të mund ta trajtonte si të pranueshme”, shtoi Miftaraj.

Ai shpjegoi se pika e parë ka të bëjë me nocionin e konfliktit të kompetencave ndërinstitucionale.

“Me vetë faktin që Kuvendi i Kosovës nuk është i konstituuar, nuk mund edhe të ushtrojë kompetencat fare, do të thotë veprime në mënyrë pasive kur një institucion nuk i ushtron kompetencat te institucionet e tjera, te presidenca. Këtu kemi rastin kur Kuvendi nuk është i konstituuar dhe në njëfarë mënyre nuk mund të veprojë në asnjë rrethanë për të bërë konflikt të kompetencave me presidenten”, tha ai.

Ndërsa sa i përket trajtimit të plotë të kërkesës në bazë të meritës, ai tha se Gjykatës Kushtetuese mund t’i duhen një ose dy muaj për të marrë vendim, duke pasur parasysh se presidentja ka paraqitur një kërkesë në shtatë pika.

“Kjo nënkupton që Gjykata Kushtetuese, përveç që do ta trajtojë aspektin profesional, mund të bëjë kërkesa edhe te Gjykatat Kushtetuese si ‘motra’ me të cilat ka bashkëpunim, t’i bëjë një analizë të duhur në mënyrë që të marrë një vendim i cili i sqaron disa paqartësi, të cilat po interpretohen ndryshe nga Vetëvendosje, ndryshe nga partitë opozitare”, tha ai.

Miftaraj tha se është sfiduese të parashikohet se çfarë do të ndërmarrë Gjykata Kushtetuese, por theksoi se kjo situatë ka ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve dhe interesat strategjike të Kosovës.

“Është një rast që ndërlidhet me konstituimin e Kuvendit, po flasim për një krizë politike që ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve, ndikon në interesat strategjike të Kosovës. Dhe vetë Gjykata Kushtetuese në muajin qershor pothuajse të njëjtën kërkesë kishte trajtuar. Gjykata Kushtetuese, nëse e konsideron si të pranueshme, atëherë mund të themi që ka mundësi që ta trajtojë edhe para datës 26 korrik, që prapë mbetet në diskrecionin e gjykatës për të vendosur,” tha për EO, Miftaraj.