Kryeministri Hristijan Mickoski e ka pranuar edhe zyrtarisht propozimin që Azir Aliu të jetë ministër i Shëndetësisë. Këtë e deklaroi sot, duke shtuar se e njeh Aliun dhe se pret bashkëpunim të mirë në Qeveri.
“Po, unë edhe zyrtarisht e kam pranuar atë propozim. Ditëve në vijim do ta dorëzojë te deputetët në Kuvend. Me z.Aliun njihemi, kështu që besoj që mirë do të bashkëpunojmë në suaza të Qeverisë”, tha Mickoski.
Arben Taravari, ish-ministër i Shëndetësisë dha dorëheqje të parevokueshme nga funksioni më 15 maj. Dorëheqja e tij erdhi pasi mosmarrëveshjeve që kishte me partnerët e koalicionit VLEN rreth kandidatëve për zgjedhjet lokale, pas çka Aleanca për Shqiptarët e Taravarit i ndau rrugët me partitë e tjera të këtij koalicioni.
Ndërkaq, në mbledhjen e 12 majit, partia e Taravarit vendosi që të largohet edhe nga qeveria. Taravari theksoi se një nga arsyet e largimit ishte edhe heqja e “balansuesit”, duke theksuar se vazhdimisht është premtuar se do të sillet ligji për përfaqësimin adekuat, por nuk ka diçka konkrete.