Kryeministri Hristijan Mickoski pret që Prokuroria deri në fund ta zbardh rastin me përgjimin të cilin e kanë kryer personat e ASK-së dhe AZ-së, për, siç theksoi ai, që më në fund t’i jepet fund keqpërdorimit me burimet e këtyre shërbimeve.
“Është traditë kur LSDM është në Qeveri dhe kur LSDM menaxhon shërbimet në shtet, OBRM-PDUKM monitorohet. Ajo që mund të them, e kam thënë edhe në deklaratën time kur morëm informacione për atë që po ndodhte gjatë periudhës kur unë isha kryetar i opozitës më të madhe dhe partisë më të madhe politike VMRO-DPMNE. Nga natyra e gjërave, është logjike që tani, si kryetar i Qeverisë, të marr raportime të tilla. Kjo nuk është diçka e çuditshme dhe e frikshme. Pres që Prokuroria ta ndjekë këtë rast deri në fund”, tha Mickoski gjatë një vizite në Komunën e Bërvenicës në përgjigje të pyetjes së një gazetari në lidhje me tezat e opozitës se si gjoja u gjetën materialet tek viktimat që u përgjuan.
Sipas tij, në opozitë dhe në LSDM ekziston shqetësim.
“Dhe ata duhet të shqetësohen sepse me dekada të tëra keqpërdoren burimet e shërbimeve, më parë të DSK-së, tani ASK-së dhe AZ-së. Pra, unë besoj se keqpërdorimi i burimeve për të ndërhyrë në jetën e të tjerëve duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Ata njerëz janë të mjerë që, në vend që të merren me veten, merren me njerëz të tjerë”, tha kryeministri.
Lidhur me deklasifikimin e dokumenteve, theksoi ai, është Prokuroria që mund të vendosë dhe ta bëjë këtë, jo Qeveria.
“Personi që e përcjell atë informacion ose është analfabet juridik ose dëshiron ta politizojë çështjen”, tha kryeministri Mickoski.
Kohët e fundit, ASK raportoi se punonjës të kësaj agjencie ishin të përfshirë në monitorimin e kryeministrit aktual dhe liderit të atëhershëm të opozitës VMRO-DPMNE, si dhe të gazetarëve dhe biznesmenëve. Mickoski dhe drejtori aktual i ASK-së, Bojan Hristovski, e konfirmuan informacionin disa ditë më parë në shënimin e përvjetorit të themelimit të ASK-së, por nuk dhanë detaje sepse, siç thanë ata, këto janë dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore, por të dy shprehën pritjen se rasti do të marrë një zgjidhje ligjore dhe ata që janë përgjegjës do të ndëshkohen.
Nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK), tek e cila ASK i ka dorëzuar raportimet, dolën me qëndrim se për momentin udhëhiqet një procedurë parahetimore dhe për shkak të fshehtësisë së saj nuk mund të ndajnë më shumë detaje.
tag_katrorimaqedoni_2