Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se Maqedonia e Veriut po komunikon me Komisionin Evropian për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Bullgarinë, por presin përgjigje nga Sofja për një takim të mundshëm midis përfaqësuesve zyrtarë të dy vendeve, transmeton Portalb.mk.
“Kemi komunikuar me zyrën e Komisionit Evropian (KE) si dje ashtu edhe sot. Ende nuk kemi asnjë përgjigje. Ka një datë të propozuar, le të presim që pala bullgare të komentojë”, tha Mickoski.
Kryeministri më parë deklaroi se presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Koshta ka iniciuar një takim midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Sipas deklaratave të mëparshme, ai do të zhvillohej në margjinat e Samitit të NATO-s në Hagë më 24 dhe 25 qershor. Nga pala maqedonase, përfaqësuesi i Maqedonisë së Veriut do të jetë presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, ndërsa nga pala bullgare është e sigurt se do të jetë kryeministri Rosen Zheljazkov, megjithëse pritjet ishin se do të ishte presidenti Rumen Radev.
Siljanovska-Davkova tha dje (13 qershor) se, ndonëse është rregull të takohet me homologun e saj, nuk është problem të flasë edhe me kryeministrin bullgar Rosen Zheljazkov në Samitin e NATO-s në Hagë, duke qenë se është konfirmuar se homologu i saj bullgar nuk do të jetë i pranishëm në këtë ngjarje.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.