Kryeministri i vendit Hristijan Mickoski sot me rastin e 27 Marsit, 6 vjetorit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, e rikujtoi edhe një herë më shumë çmimin e imponuar nga Greqia për ndërrim të emrit kushtetues të vendit për hyrje në organizatën ushtarake perëndimore.
I pyetur nga gazetarët, ai tha se vendi tash është një “aleat i besueshëm” i NATO-s, duke vazhduar të mos përdorë në paraqitjet e tij publike emrin kushtetues “Maqedonia e Veriut”.
“Maqedonia është një aleat i besueshëm dhe e ka treguar dhe dëshmuar këtë shumë herë në të kaluarën dhe ne do të vazhdojmë ta tregojmë dhe dëshmojmë. Mendoj se si vend kemi treguar dhe dëshmuar se kur është e nevojshme, jemi këtu për të qëndruar krah për krah me aleatët tanë brenda NATO-s dhe vlerësoj që jemi më të sigurt, më të qëndrueshëm,” tha kryeministri, duke shprehur keqardhje për ndryshimin e emrit kushtetues.
“Është e vërtetë, po, ju vetë thatë se, për fat të keq, ne paguam një çmim të madh si asnjë vend tjetër, si asnjë shtet e komb tjetër dhe, për fat të keq, ende na kërkohet të paguajmë një çmim kur duhet të integrohemi në organizatat ndërkombëtare,” vazhdoi tutje Mickoski.
Tash Maqedonia e Veriut përsëri ndodhet me kushtëzim tjetër nga Bullgaria dhe vendet e tjera ta BE-së për anëtarësim në bllokuj evropian.
Tash e katër vite, vendi është bllokuar në rrugën për në BE sepse në kuvend nuk ka një shumicë për bërë ndryshime në kushtetutë për të integruar në të bashkësinë bullgare, pa patur edhe plotësim të kundër-kushteve të kërkuara nga Micskoski dhe VMRO-DPMNE e tij.
Mickoski vazhdon që të insistojë se për të ndodhur ky ndryshim në kushtetutën e vendit, Bullgaria do të duhej t’iu jap të drejta bashkësisë maqedonase në Bullgari, e së dyti edhe që BE, bashkë me Bullgarinë, të garantojnë se Sofia nuk do të ketë kushtëzime të tjera që ndërlidhen me identitetin dhe gjuhën maqedonase përgjatë rrugëtimit të premtuar për në BE.
tag_katrorimaqedoni_2