Mickoski: Kemi indicie ku janë Artan Grubi dhe të arratisur të tjerë nga drejtësia - Gazeta Express
string(81) "mickoski-kemi-indicie-ku-jane-artan-grubi-dhe-te-arratisur-te-tjere-nga-drejtesia"

Maqedoni

Gazeta Express

13/06/2025 11:51

Mickoski: Kemi indicie ku janë Artan Grubi dhe të arratisur të tjerë nga drejtësia

Maqedoni

Gazeta Express

13/06/2025 11:51

Urdhër-arresti është dërguar dhe tani vendet partnere tona duhet të japin përgjigje se ku është Artan Grubi. Këtë e deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në intervistën e mbrëmshme në TV Alsat, i cili, në përgjigje të një pyetjeje shtesë, tha se autoritetet në vend kanë të dhëna për vendndodhjen e Grubit dhe ish-zyrtarëve të tjerë për të cilët janë hapur hetime penale, duke i vlerësuar arratisjet e tyre si akte frikacake, transmeton Portalb.mk.

Duke vënë në dukje se mandati i qeverisë së mëparshme të LSDM-së u shënua me arratisjen e ish-kryeministrit dhe ish-liderit të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, dhe fillimi i mandatit të kësaj qeverie me arratisjen e Grubit, dhe se të dy e lanë vendin me automjete diplomatike, Mickoski u pyet se çfarë kapaciteti ka vendi për të luftuar krimin dhe korrupsionin kur vendndodhja e Artan Grubit nuk dihet për gjashtë muaj.

“Urdhër-arresti është dërguar dhe tani vendet që janë partnerët tanë duhet të përgjigjen se ku është Artan Grubi. Nuk e di nëse Nikolla Gruevski iku me një automjet diplomatik apo jo, nuk kam një pasqyrë të tillë të hetimit. Por, po, kur bëhet fjalë për vetë Artan Grubin, ose personin që e shoqëroi ose e transportoi atë, pra një konsull nderi i një vendi, u largua nga Maqedonia me një automjet me targa diplomatike dhe më pas ai person u thirr për intervistë informative”, tha Mickoski.

Kryeministri shtoi se nuk ishte vetëm Grubi që iku si frikacak nga vendi dhe se si shtet po “bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të siguruar që të arratisurit nga drejtësia të sigurohen dhe të kthehen në shtëpi”.

“Do të thoja se nuk është vetëm Artan Grubi që është arratisur, ka edhe disa të tjerë që janë të arratisur nga drejtësia dhe kjo është, për mua, një mënyrë shumë e keqe, do të thoja një mënyrë frikacake e të vepruarit. Por është ajo që është, tani ne si shtet do të përpiqemi gjithçka që është në fuqinë tonë për t’i siguruar këta të arratisur nga drejtësia dhe për t’i sjellë në shtëpi”, tha kryeministri.

Kur u pyet nëse ka informacione nga ndonjë vend në lidhje me Artan Grubin, ish-drejtorin e EMV-së Vasko Kovaçevskin dhe ish-drejtorin e Lotarisë, Përparim Bajramin, kryeministri u përgjigj se ka indicie për të gjithë.

“Disa janë në rajon, disa më larg”, ishte përgjigjja e tij ndaj pyetjes shtesë në lidhje me vendndodhjen e tyre.

Kujtojmë se , më 10 dhjetor 2024 Prokuroria Publike hapi lëndë ndaj Artan Grubit pasi paraprakisht ai u fut në Listën e Zezë të SHBA-ve për korrupsion. Pas këtyre zhvillimeve ai u tërhoq nga jeta publike, pas shpalljes së emrit të tij në Listën e Zezë amerikane. Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Artan Grubi bashkë me gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, i cili gjithashtu është në Listën e Zezë. 

Më 17 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme dorëzoi kallëzime penale në Prokurorinë Publike kundër ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski dhe ish-drejtorit të Lotarisë së RMV-së Përparim Bajrami dhe pesë personave të tjerë për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i procedurës së shpalljes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat”.