Sot duhet të marrim një vendim – të mos e lëmë atdheun të shuhet në heshtje, por me të gjitha forcat të rikthejmë shpresën, gëzimin dhe buzëqeshjen e një fëmije në çdo shtëpi. Por në të njëjtën kohë, duhet të sjellim edhe shpresë. Qeveria e sheh këtë çështje si çështje të së ardhmes së kombit dhe për këtë arsye e vendos atë si një nga prioritetet më të larta kombëtare, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski në ceremoninë qendrore të sotme në të cilën u shënuan 34 vjet nga pavarësia e vendit.
“Ne jemi të vendosur të ndërtojmë një sistem që do ta inkurajojë brezin e ri të qëndrojë këtu, të krijojë një familje dhe të besojë në të ardhmen e tyre në atdhe. Kjo do të thotë punë e vazhdueshme mbi politikat që forcojnë besimin në shtet, që ofrojnë stabilitet dhe ndjenjë sigurie, që hapin një perspektivë për çdo të ri, që ata të mund të kenë një jetë dinjitoze këtu. Vizioni ynë është që Maqedonia të bëhet një vend në të cilin buzëqeshja e një fëmije do të jetë vlera më e madhe, një vend në të cilin prindërit do të dinë se puna dhe dashuria e tyre vlerësohen, një vend në të cilin e ardhmja nuk shihet në emigrim”, por në krijim, theksoi Kryeministri.
Prandaj, siç tha, Qeveria mbetet e përkushtuar për të investuar te njerëzit, te familjet, “te çdo fëmijë i ri që do të lind”.
“Ky është thelbi i misionit tonë – të sigurojmë që Maqedonia të ekzistojë nesër dhe pasnesër dhe në brezat që do të vijnë”, nënvizoi Mickoski.
Kryeministri tha se gjithçka është e kotë nëse ka gjithnjë e më pak njerëz në vend.
“Nuk mund të jem i qetë kur dihet dhe është e qartë se në Maqedoni ka gjithnjë e më pak njerëz. Mund të debatojmë për rrugë, kryqëzime, taksa, paga dhe pensione. Por është e kotë nëse kemi gjithnjë e më pak njerëz. Nëse nataliteti është në recesion. Është e kotë të ndërtohen rrugë nëse nuk ka kush të ngasë në to, të ndërtohen shkolla nëse bankat janë bosh ose të ndërtohen kënde lojërash nëse nuk ka zhurmë fëmijësh në to. Të gjitha përpjekjet dhe shqetësimet tona janë të kota nëse pas 70-100 vjetësh, populli ynë do të përgjysmohet. Ne nuk jemi një popull i madh, e çështja e natalitetit është çështje e ekzistencës sonë si popull dhe shtet”, shtoi kryeministri.
tag_katrorimaqedoni_2