Mickoski hapi zyrë të VMRO-DPMNE-së në Shqipëri - Gazeta Express
string(47) "mickoski-hapi-zyre-te-vmro-dpmne-se-ne-shqiperi"

Maqedoni

Gazeta Express

21/11/2025 14:00

Mickoski hapi zyrë të VMRO-DPMNE-së në Shqipëri

Maqedoni

Gazeta Express

21/11/2025 14:00

Mbrëmë në Tiranë u hap zyrtarisht zyra e re e Shoqatës “VMRO-DPMNE Shqipëri”, një qendër e re organizimi për komunitetin maqedonas atje. Ceremonia u zhvillua në praninë e dhjetëra pjesëtarëve të pakicës maqedonase, ndërsa të ftuar special ishte kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe njëherësh kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Në fjalën e tij, Mickoski theksoi rëndësinë që komuniteti maqedonas në Shqipëri të ketë mundësi të ruajë gjuhën, kulturën dhe identitetin e vet, një mundësi që siç tha ai, maqedonasit në pjesën e Pirinit të Bullgarisë nuk e kanë.

“Maqedonasve atje ende në shekullin XXI nuk u lejohet as regjistrimi i një shoqate joqeveritare, as shprehja e lirë e identitetit të tyre,” tha Mickoski, duke e cilësuar këtë një standard të dyfishtë në rajon.

Kreu i qeverisë së Maqedonisë së Veriut shtoi se shteti maqedonas do të mbetet mbështetje e fortë për bashkëkombasit në diasporë.

“Ne jemi punëtorë, të durueshëm dhe të mençur. Ju siguroj se, qoftë tani apo në periudhën që vjen, do të arrijmë qëllimin tonë. Maqedonia e Veriut është shtëpia juaj dhe do t’ju presë gjithmonë me dyer të hapura,” deklaroi ai.

Hapja e zyrës së re të shoqatës shihet si një hap i rëndësishëm për komunitetin maqedonas në Shqipëri, duke synuar rritjen e bashkëpunimit kulturor dhe institucional me Maqedoninë e Veriut.