Michael Jordan e ‘korruptoi’ kundërshtarin e tij me diamantë të 20 mijë dollarëve, për ta ‘zbutur’ para finaleve të NBA-së - Gazeta Express
string(117) "michael-jordan-e-korruptoi-kundershtarin-e-tij-me-diamante-te-20-mije-dollareve-per-ta-zbutur-para-finaleve-te-nba-se"

Sport

Gazeta Express

21/06/2025 10:27

Michael Jordan e ‘korruptoi’ kundërshtarin e tij me diamantë të 20 mijë dollarëve, për ta ‘zbutur’ para finaleve të NBA-së

Sport

Gazeta Express

21/06/2025 10:27

Gjatë viteve janë shfaqur shumë histori ikonike për Michael Jordanin, të cilat dëshmojnë jo vetëm madhështinë e tij në parket, por edhe konkurrencën e pamëshirshme dhe dëshirën ekstreme për të fituar që e karakterizonte. Në një karrierë që përfshiu gjashtë tituj kampionë dhe shumë arritje të tjera, Jordan dinte gjithashtu si të argëtohej jashtë fushës.

Golfi ishte një nga sportet që ai e pëlqente shumë dhe e përdorte si mënyrë për të çliruar stresin e basketbollit. Dhe pikërisht gjatë finales së NBA-së në vitin 1993, kur Chicago Bulls ishte në disavantazh 2-1 ndaj Phoenix Suns, Jordan vendosi të bëjë një udhëtim golfi.

Kundërshtarët e Bulls në atë finale ishin Phoenix Suns, të udhëhequr nga legjenda Charles Barkley – i cili në atë kohë ishte mik i ngushtë i Jordanit. “Chuck” iu bashkua Jordanit në golf, dhe sipas ish-ndihmës trajnerit të Bulls, Johnny Bach, “His Airness” kishte sugjeruar që t’i dhurohej Barkley-t një palë vathë diamanti prej 20,000 dollarësh gjatë atij udhëtimi.

Bach, që ishte pjesë e stafit të Bulls gjatë “three-peat”-it të parë, e pyeti Jordanin për dhuratën, dhe kampioni gjashtë herë i NBA-së u përgjigj:

“Ai nuk do të më pengojë më gjatë serisë. Çfarë janë 20 mijë dollarë për mua? Charles mendon se jemi miq të mëdhenj. Unë e urrej atë yndyranin e qelbët.”

Në ndeshjen e katërt të serisë, Jordan realizoi 55 pikë dhe udhëhoqi Bulls drejt një fitoreje 111-105, duke barazuar serinë 2-2. Edhe Barkley kishte një paraqitje të shkëlqyer me një triple-double prej 32 pikësh, por që nga ajo pikë e tutje, serinë e dominoi Chicago, i cili fitoi edhe dy ndeshjet e radhës dhe siguroi titullin e tretë radhazi.

Në atë sezon, Barkley kishte fituar çmimin MVP të ligës, diçka që Jordan nuk e kishte pritur mirë në mënyrë profesionale. Finalja e NBA-së ishte momenti i duhur për t’i dëshmuar të gjithëve se kush ishte më i miri, por jashtë fushës, Jordan dhe Barkley kishin një marrëdhënie të mirë miqësore.

Megjithatë, sot nuk flasin më me njëri-tjetrin. Në një intervistë të fundit në podcastin New Heights me Jason dhe Travis Kelce, Barkley e hodhi poshtë thashethemin se ishte “blerë” me dhuratë gjatë finales.

“Para së gjithash, unë dhe Mike kishim bërë një marrëveshje që do të rrimë larg njëri-tjetrit gjatë finales. Tani, ai më ka dhuruar vërtet vathë diamanti për Krishtlindje – kjo është e vërtetë. Por ky thashethem që më ftoi në golf gjatë finales për të më joshur është 100% i pavërtetë,” sqaroi Barkley.

Performanca e Jordanit në serinë me gjashtë ndeshje kundër Suns ishte më e mira e tij ndonjëherë në një finale NBA, me një mesatare prej 41 pikësh për ndeshje. Megjithatë, edhe Barkley nuk zhgënjeu: ai e mbylli serinë me mesatare 27 pikë, 13 kërcime dhe 5 asistime për ndeshje – një tjetër dëshmi e nivelit të lartë të përballjes midis dy legjendave.