Në konakun e familjes Dolek, në lagjen Gazi Babë, u mbajt një takim i gjerë me qytetarët, i cili u shndërrua në një tubim madhështor dhe bashkëbisedim të hapur mes banorëve, miqve dhe përfaqësuesve politikë.
Zëvendëskryeministri i Parë dhe kandidati i VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në fjalën e tij theksoi se shqiptarët sot janë më të fuqishëm se kurrë, falë avancimeve të prekshme në përfaqësimin adekuat, decentralizim, rritje pagash, pensionesh dhe investimeve konkrete në arsim, shëndetësi dhe komunat shqiptare.
“Ne qeverisim për të gjithë qytetarët, pa dallime partiake, sepse zhvillimi nuk njeh kufij politikë. Investimet tona shtrihen në çdo komunë shqiptare”, deklaroi Mexhiti, duke u bërë thirrje edhe drejtuesve të komunave opozitare që të mos pengojnë projektet, pasi në fund dëmtohen qytetarët.
Në fokus ishte Çairi, ku Mexhiti prezantoi projektet e realizuara dhe ato që janë në proces, 40 milionë euro për Universitetin e Tetovës, ndërtimi i çerdhes më të madhe në vend, renovimi i të gjitha shkollave, nisja e tre shkollave të reja si dhe investimet kapitale në infrastrukturë, përfshirë 25 milionë euro për sheshin “Skënderbe”, investime në Çarshinë e Vjetër, parkingje moderne, rrjet nëntokësor të ri dhe ndriçim publik.
Mexhiti me këtë rast ka theksuar se Çairi, dikur periferi e harruar, sot është shndërruar në epiqendër politike dhe ekonomike, me rëndësi të veçantë për proceset zhvillimore dhe vendimmarrëse në vend.
Në fund të takimit, Mexhiti ka shprehur mirënjohje për mikpritjen e ngrohtë të familjes Dolek dhe banorëve të Gazi Babës.
tag_katrorimaqedoni_2