Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka botuar librin më të ri të akademik Kujtim M. Shalës, me titull “Metonimia”, i cili i takon fushës së poetikës historike të letërsisë shqipe.
Libri më i ri studimor i akademik Kujtim M Shalës, “Metonimia”, përfaqëson një segment të poetikës historike shqipe, të lidhur me dukuri, si: e vërteta e letërsisë, ideologjia letrare, apo me vepra letrare të rëndësisë së dorës së parë, që marrin statusin e kryeveprave letrare dhe kulturore, si: vepra e Pjetër Bogdanit, e Gjergj Fishtës, e Mitrush Kutelit etj..

“Metonimia” është strukturuar në tri pjesë: I. Metonimia, II. E vërteta e letërsisë dhe III. Çfarë është letërsi shqipe?, si dhe u bashkohet librave të tjerë të këtij autori të fushës së poetikës historike të letërsisë shqipe, nisur dy dekada më parë: Vepra e vetmisë (2005), Miniatura (2005), Shekulli i letërsisë shqipe (2006), Elipsa (2007), Prolepsa (2011), Analepsa (2013), Epistemologjia e dytë (2016), Identiteti i pa/zbuluar (2019), Sindekdoka (2020) dhe Kënga e cjapit (2023). Pjesa e parë e librit Metonimia përbëhet nga studime për vepra letrare dhe kanonike shqipe, si studimet për dy Shkallët e para të veprës së Pjetër Bogdanit, studimet për epin dhe për tragjeditë e Fishtës, për veprën e Kutelit, përrallat e Kurtit, poezinë e Zorbës, letërsinë e Pllumit, si dhe veprën kritike të Sabri Hamitit. Kështu, kjo pjesë përvijon filozofinë skolastike dhe metodën hermeneutike të Bogdanit; interpreton krijimin, strukturën dhe ideologjinë e epit Lahuta e Malcís të Fishtës, bashkë me kategoritë kanunore të saj, si dhe poetikën klasike të tragjedive të këtij autori; problematizon çështjen e autorësisë së Prallave Kombtare që mblodhi Donat Kurti; rimerr, në një lexim të ri dhe tërësor, kryeveprën e Kutelit, E madhe është gjëma e mëkatit…; trajton poetikën e poezisë hermeneutike të Zef Zorbës, si një shfaqje e alternativës letrare shqipe; portretizon Zef Pllumin shkrimtar dhe përqendron kërkimin te tregimet e tij; si dhe jep, të përqendruar, portretin e Sabri Hamitit kritik dhe dijetar të letërsisë. Pjesa e dytë, E vërteta e letërsisë, që në titull shenjon raportin e letërsisë, në radhë të parë të letërsisë fiksionale, me të vërtetën, natyrën e veçantë të së vërtetës së letërsisë, të cilën e përcaktojnë tematika dhe ontologjia e letërsisë. Kjo dukuri universale, në këtë libër, provohet me veprat letrare kushtuar Skënderbeut, me romanin klasik të Jakov Xoxës, Lumi i vdekur, si dhe me tregimin autobiografik të Pllumit, Saga e fëmijnisë. Kërkimi, më tej, shpalos ideologjinë e letërsisë, duke e konceptuar atë si një kategori të strukturës së veprës letrare; rast studimi është vepra e Zef Pllumit. Kështu, referencat dhe raporti metonimik me ideologjitë bëhen çështje të brendshme të letërsisë dhe të kërkimit letrar. Në pjesën e tretë të librit, të titulluar Çfarë është letërsi shqipe?, janë përfshirë tri tekste të veçanta; njëri problematizon çështjen e kërkimeve krahasuese, në radhë të parë të kërkimeve krahasuese shqipe, vënë përballë evidencave dhe veprave letrare shqipe; tjetri trajton çështjen e identitetit dhe trajtën që merr ai në diskurset shqipe; ndërsa i treti, Qarkun letrar të Prishtinës në raport me teoritë letrare dhe gjuhësore frënge, në pikëtakime dhe në veçime nga ato, kur kërkimet ballafaqohen me dukuri tipike të kulturës shqiptare.
Kështu, duke u mbështetur te kërkimi letrar sistematik, “Metonimia” jep një faqe tjetër të letërsisë shqipe, që përfshin vepra dhe dukuri, në radhë të parë përmjet analizës së formave dhe të interpretimit letrar. Një vepër që dëshmon sesi kërkimi sistematik i letërsisë shqipe shkon drejt kanonizimit.
“Metonimia” ka 438 faqe dhe është libri i pesëdhjetë e gjashtë i këtij autori.