Metatekstet shqyrtimore të lirikës fishtiane - Gazeta Express
string(44) "metatekstet-shqyrtimore-te-lirikes-fishtiane"

Metatekstet shqyrtimore të lirikës fishtiane

Gazeta Express

29/08/2020 12:17

Kjo letërsi, ku mbizotëron himnizimi, me gjasë krenaria për ekzistencën e qenies shqiptare, rimerret në një pasazh tjetër, madje e përforcuar me idenë e argumentuar në shtjellimin e vet, mbi tiparet himnizuese të veprës letrare të Fishtës, duke nënvizuar raste të poezive të veçanta

Flamur Maloku

Lexo Edhe:

Fishta, e gjithë vepra letrare e tij, pavarësisht gjerësisë dhe hapësirës që kanë rrokur, madje edhe pavarësisht nivelit të qasjes nga ana e studimeve letrare, me të gjithë përbërësit e vet shkrimorë, prej kohësh kanë qenë në tryezën e punës së Bajram Kosumit edhe kur veprat e tij i ka lexuar për qejf, edhe kur i ka lexuar e analizuar për detyra shkollore, edhe kur i ka studiuar, po ashtu, për dukuri të veçanta tematike, stilistike, e gjuhësore në letërsinë shqipe.

Fishta në altarin e shqipes përfaqësohet me poemën Lahuta e Malcis. Falë durimit të pazakontë dhe këmbënguljes së paepur studimore, zotërimit dhe zbatimit të metodave studimore bashkëkohore, interesat e Kosumit për veprën e tij kanë qenë të vazhdueshme, por edhe të lidhura ngushtësisht me të gjithë treguesit ekzistencialë të kësaj figure, që padyshim la vulën e vet në letërsinë shqipe në të tri gjinitë letrare, si dhe në shumicën e llojeve letrare. Pra, në studimet e Kosumit kanë zgjuar interesin e tij, kërkimor dhe vlerësues, qëmtues dhe konsiderues, Fishta, jeta dhe vepra e tij.

Libri i Kosumit Lirika e Fishtës, botuar në vitin 2004 në Tiranë, është një prej atyre librave të rrallë, përfaqësues i librave studimorë kushtuar veprave të Fishtës, në të cilin vihet re qasjae Kosumit ndaj veprave letrare të Fishtës, tipavetë poezivetë tij, me të cilat ai shpërfaqi larmi estetike e stilistike, të pakrahasueshme me shkrimtarët shqiptarë të atij brezi. Megjithatë, jo larg shqyrtimeve të studimeve të përhershme të Kosumit, kushtuar figurës së Fishtës, sidomos veprës së gjerë letrare të tij, kanë qenë edhe epika, satira e gjithçka e shkruar prej Fishtës, e cila, në studimet e autorit, Kosumit, vjen e argumentuar, larg hyjnizimit dhe nihilizmit, që ka ndodhur në shumicën e periudhave me figurën dhe veprën letrare të Fishtës, madje edhe në shumicën e studimeve të mëparshme të tij. Në librin e Kosumit, Lirika e Fishtës,i cili ka në fokus poezinë lirike, pos të tjerash, studiuesi përcakton se: “Kjo lirikë e Fishtës, e botuar shumë herë, por e panjohur, e ngritur në majë të piramidës së letrave shqipe, por edhe e anashkaluar, herë e mitizuar e herë e mallkuar, e shqyrtuar nga kritika letrare e kohës më shumë se lirika e shumë poetëve të tjerë, por, megjithatë, e patrajtuar sa duhet e si duhet, kjo lirikë e përmbledhur në dy libra, në Mrizi i Zanavet dhe në Vallja e Parrizit, është objekt shqyrtimi i këtij studimi. (2004: 13)”

Se në cilin aspekt të shqyrtimit të letërsisë së Fishtës ka qenë më i thellë dhe më i plotë Kosumi, pra në zbërthimin e lirikës apo të epikës, i mbetet të gjykojë lexuesi, na mbetet të gjykojmë edhe neve e që, vlerësojmë se është në nivel në të dyja rastet, edhe kur identifikon autorin, edhe kur bën identifikimin e dukurisë letrare të tij, edhe kur studion lirikën e tij, elementet përbërëse të saj (ritmin, figurat, shprehësinë, rimën etj.), edhe kur studion epikën e tij, poemënLahuta e Malcis, të cilën vihet re se e shqyrton më gjerë, edhe kur para vetes ka autorë shqiptarë të periudhave të mëparshme.

Libri Lirika e Fishtës është ndarë në shtatë pjesë me numra romakë dhe me nëndarje me numra arabë. Ka një pjesë që është një prolog i gjithë librit e që është vështrim për lirikën e Fishtës: Vështrim hyrës në lirikën e Fishtës. Kjo pjesë, e cila është e dallueshme me shkronja kapitale, ka këto tri nëndarje: “Fati i lirikës së Fishtës dhe rinjohja me të; Pohime dhe mohime refuzuese; Çështje të objektit, metodës dhe të qëllimit”.Më pas ka pjesët e mëdha, në të cilat, parë titullaret e tyre, kuptojmë shqyrtimin e interesin e studiuesit për lirikën e Fishtës.

Pjesa e parë e këtij libri, të cilin do të mund ta quanim edhe kapitull, meqë ky libër studimor fillimisht ishte paraqitur si tezë magjistrature në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, titullohet:  I.Shqyrtim i përgjithshëm i librave me lirika të Fishtës, në të cilën veçon dy përmbledhjet poetike të Fishtës, Mrizi i Zanave dhe Vallja e Parrizit

Pjesa e dytë titullohet: II.Vështrim i shkurtër për studimet fishtiane. Siç kuptohet nga emërtimi, është një kapitull më tepër i karakterit bibliografik, në të cilin bëhet evidentim dhe jepen statistika për trajtimet që i kanë bërë lirikës së autorit autorë shqiptarë, në të gjitha periudhat, duke nxjerrë në evidencë edhe karakterin sipërfaqësor të tyre, si dhe aspektin e shtuar, si himnizim, apo atë mohues, si ndalim i emrit dhe veprës letrare.

E treta pjesë quhet: III. Tipologjia dhe llojet e lirikës së Fishtës, në të cilën zbërthehen të gjitha llojet e poezisë lirike që lëvrohen nga poeti, duke hyrë në labirintet e diskursit poetik, në atë që shënjon gamën e poezisë së autorit.

IV.Ligjërimi si koncept dhe tipat e ligjërimitquhet pjesa e katërt, në të cilën Kosumi hap një marrëdhënie tjetër me poezinë lirike të Fishtës, duke kërkuar në të, në shprehjen gjuhësore të tij, mendimin filozofik të Fishtës.

V. Konceptet e ligjërimitështë pjesa e pestë, në të cilënparaqiten pranë lexuesit të gjitha shenjat konceptuale që hasen në poezinë e Fishtës.

E gjashta pjesë quhet: VI. Çështje të tjera të poetikës fishtiane, në të cilën vërejmë se si Kosumi ka gjetur praninë e Fishtës në disa autorë të tjerë. Ndërkaq, me pjesën e shtatë dhe të fundit, VII. Fishta i vërtetë dhe letërsia shqipe, autori na sugjeron largimin nga hyjnizimi dhe nihilizmi për Fishtën, kurse përcakton vendin e Fishtës në poezinë shqipe.

Vetëm shtjellimi nëpër këto hallka, të hulumtimit estetik të trashëgimisë poetike të Fishtës, shpalos seriozitetin me të cilin i është qasur studiuesi pjesës tjetër të trashëgimisë poetike të Fishtës, posaçërisht lirikës së ngjyresave të larmishme. Për të ndjerë më pranë optikën e studimit të Kosumit mbi poezinë lirike të autorit, le të sjellim më pranë bazën logjike dhe estetike nga është nisur për ta hulumtuar dhe përcaktuar poezinë e Fishtës:

Një përimtësim i tillë analitik i strukturave të lirikës do të jetë baza më e mirë për gjykimin e përgjithshëm dhe sintetizues dhe për vlerësimin e lirikës së Fishtës. (2004: 14)Mbështetur në këtë pohim të autorit, kuptojmë seriozitetin dhe përgjegjësinë e tij për ta marrë për analizë lirikën e Fishtës dhe për ta nxjerrë atë përfundimisht nga kritika himnizuese dhe mohuese, e cila më shpesh ishte debat jashtë kontekstit letrar. Po kaq vlerë të veçantë bart edhe mendimi i Kosumit shprehur në paratekst: “Shqyrtimi studimor i lirikës së Fishtës, përveç njohjes së vlerave të vet asaj poezie lirike, mund të ndihmojë shumë fuqishëm edhe në pozicionimin e Fishtës në rrjedhën e letërsisë shqipe. Kjo vazhdon edhe sot e tutje të jetë një çështje e hapur, ndërsa vetëm Lahuta e Malcis, padyshim kryevepra e Fishtës dhe kryevepra epike shqiptare, nuk mund ta pozicionojë Fishtën në këtë apo atë shkollë a drejtim letrar, në këtë apo atë lëvizje letrare, në këtë apo atë vend në historinë e letërsisë shqipe. (2004: 15)”

Do të mjaftonte ky mendim, shkencor në thelbin e vet, për thelbin e qasjes për veprën letrare të Fishtës, për të hetuar, prekur dhe shijuar përgjegjësinë me të cilën e ka marrë gjurmimin e vlerave të poezisë së Fishtës, pra të lirikës së tij, studiuesi Bajram Kosumi. Shtjellimi i poezisë së tij, të secilit lloj, të natyrës lirike dhe epike, sjellja në vëmendje e niveleve të tyre, e ngjyresave ligjërimore, e shprehësisë së endur, varësisht mjeteve origjinale, shpesh të një ndërthurje të rrokshme me poetikën gojore, është kontribut me vlerë në qëmtimin dhe rivlerësimin e poetikës së Fishtës.

 Larmia e lirikës së Fishtës

Lirika e Fishtës krijon premisat dhe shanset për ta evidentuar praninëe lirikës së Fishtës, në të gjitha përmasat e veta, tipologjinë mbizotëruese të saj, shprehësinë që përçon ajo, madje duke rrokur edhe aspekte të ngjashmërisë dhe dallimeve në mes të Fishtës dhe lirikës shqipe në përgjithësi qysh në fillesat veta. E dhëna që sjell studiuesi: “Portopoezia e Fishtës. Si dëshmon bashkëkohaniku, njëherit edhe jetëshkruesi i tij Pashk Bardhi, hapat e parë në letërsi Fishta i ka bërë në lirikë (2004: 17)” hedh jo pak dritë mbi një aspekt që në studimet letrare më tepër është anashkaluar. Fama e merituar si poet epik, që buron nga rrethana e krijimit të epit kombëtar, pra poemës Lahuta e Malcis, për shumë kohë la në hije pjesën tjetër, pra lirikën dhe satirën, ndonëse janë studiuar edhe ato qysh me rastin e botimit. Në lidhje me receptimin e vlerave të tyre, secila prej tyre ka mangësitë e veta, në kuptimin se ka vajtur tek lexuesi, por nuk është përthithur ende në tipologjinë që përfaqëson. Vlerat e lirikës së Fishtës janë theksuar shumë herët edhe nga Lasgush Poradeci: “Në shkrimin e vetë autoritativ Gjergj Fishta lirik, shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar, poeti i madh shqiptar Lasgush Poradeci, në vitin 1941, ende pa u pranuar dhe pa u shijuar mirë vepra e Fishtës nga kritika dhe lexuesi, hapi një mundësi të re, jotradicionale, të leximit të Fishtës dhe përjetimit të artit të tij. Ai erdhi në përfundim se Fishta ishte shumë më i lartë me vargjet lirike në Lahutë…, e kjo nënkupton edhe faktin se vargjet më të mira në Lahutë… ishin vargje lirike. Me këtë përfundim, që hapte mundësi të reja interpretimi, Poradeci krijoi çështjen e lirizmit të Fishtës në Lahuta e Malcis. (2004: 26)”

Interesimi ynë për t’i hetuar vlerat e lirikës, po ashtu edhe mënyrën dhe metodikat me të cilat është lexuar dhe analizuar poezia lirike e Fishtës, në kohë dhe hapësirë, të metodikave dhe teorive që kanë nxitur leximin dhe vlerësimin e saj, janë edhe pikësynimet e Kosumit, që nëpërmjet shqyrtimit të rivlerësojë dhe ta tërheqë vëmendjen e studimeve letrare nga figura, përmasat e tij, pra edhe nga vetë pasuria që bartin tekstet e lirikës së poetit. Më tutje, studiuesi me shumë të drejtë e qartëson pozicionin e vet në qasjen ndaj lirikës së Fishtës, kur shprehet: “Tema që kemi në shqyrtim është qartë e definuar si “lirika e Fishtës” dhe nuk është e njëjta me “lirizmin e Fishtës”, në kuptimin që i ka dhënë Poradeci. (2004: 27)”

Për të hyrë në një analizë më të plotë, të poezisë lirike të Fishtës, studiuesi hyn në shqyrtime të thella, poetike dhe strukturore. Përsa i përket librit me poezi Mrizi i Zanavet, për strukturën e këtij vëllimi nga mëtë rëndësishmit të krijimtarisë letrare të shkrimtarit, përcakton: “Libri paraqet një tërësi të pashkëputshme vetëm nga ana formale: nuk është i ndarë në pjesë, ashtu si bëhej, në përgjithësi, në kohën e Fishtës. Me këtë strukturë libri është tradicional. Pavarësisht nga kjo, brenda kësaj tërësie formale mund të hetohet një ndarje e poezive sipas temave. Në fillim të librit janë poezitë partriotiko-politike; pastaj poezitë kushtuese; poezitë me tema ekzistenciale, si dhe ndonjë poezi metafizike; vijnë poezitë fetare dhe, në fund, poezi e XXVI, Nji lulet vjeshtet, një ode elegjiake për përjetësinë. (2004: 21)”

Nga ana tjetër, Vallja e Parrizit, përmbledhja e dytë e rëndësishme e Fishtës, ka një situatë të veçantë, sepse në të janë përmbledhur lirikat fetare, të cilat janë botuar në momentetë veçanta historike:

  • Në vitin 1905 botohet vëllimi Vierrsha t’pershpirtshme, që ta përkujton poezinë e përshpirtshme të Lek Matrëngës dhe këngët e përshpritshme të Budit.
  • Në vitin 1909 boton Pika voëset.
  • Në vitin 1925 përmbledhjenVallja e Parrizit, në të cilën janë përfshirë të gjitha poezitë lirike fetare.
  • Në vitin 1941 realizohet botimi i dytë i Vallja e Parrizit, botimi më i përzgjedhur me lirika fetare.

Në parashtrimet studimore, të analizës së lirikës së poetit, në hapësirën e gjerë tekstologjike, madje duke gërshetuar ilustrimin me vargje dhe përfundime të trajtimeve të mëhershme, me përfundimin ku ka mbërritur studiuesi vetë, po ashtu në libër, ecet në të gjithë binarët e shqyrtimit, të ngjyresave të lirikës, ku në mes pasurisë poetike lirike, dallon dhe përcakton lirikën atdhetare, satirike dhe fetare, si disa nga ndarjet më kryesore, varësisht tematikës dhe problematikës së trajtuar në këtë punim studimor. Është tepër e rëndësishme ndarja dhe studimi i lirikës së Fishtës në dimensionet më kryesore që shqiptohet në poezinë e autorit, që vjen e studiuar nga Kosumi:

            A. Lirika atdhetare, me të gjithë treguesit e vet, të shenjave përbashkuese dhe ndarëse me poezinë shqipe. Në këtë vatër të diskursit studimor për poezinë e angazhuar, studiuesi shprehet:

Fishta i këndon atdheut dhe, në këngët e tij, si është përmendur që nga studiuesit e parë të tij, ai e lavëron atdheun dhe e qarton. (2004: 41)

Një ide interesante, që rimerret nga studiuesi duke përforcuar mendimin teksa nënvizon: Fishta e idealizon atdheun, sikurse rilindësit, dhe ai idealizmi arrinë deri në shkallën absolute: …Zoti/Për Shqyptarë Shqypni e fali (Gjuha Shqype)(2004: 43). Për të ardhur deri te përfundimi befasues që nxit një hapësirë hulumtimesh mbi lirikën e Fishtës, kur thekson: “Fuqia e fjalëve të tij e ngre tragjizmin e çastit në akt historik ose e lartëson çasti n në emnesë historike dhe kjo shfqaje ndikon aq fuqishëm estetikisht saqë nuk mbetet asnjë dyshim për fitoren e artit mbi politikën në këto poezi patriotike. (2004: 45)”

Në lirikat atdhetare të poetit të madh futen edhe lirikat kushtuese, një term i B. Kosumit, për figura të shquara të historisë dhe kulturës sonë, ku merr rëndësi të përveçme interpretimi që i bën strukturës, kur thekson: “Këto poezi, me një përjashtim të vetëm në poezinë Meshtari i Malcis, janë strukturuar si poezi epistolare, apo si poezi falënderimi për një punë të bërë nga njëri prej personaliteteve të çmuara. (2004: 53)”

B. Lirika satirike, një nga shenjat e veçanta shkrimore të Fishtës, e cila shpalos disa nga tiparet më unike të ligjëratës poetike të Fishtës, e cila djeg e fshikullon edhe sot e kësaj dite. Në këtë situatë jo pak të ndërlikuar në përcaktimin e llojshmërisë së poezisë së Fishtës, ka vlerë përcaktimi që bën studiuesi: “Fishta edhe pse ka qenë shumë i interesuar për satiriken e vet, madje sipas disa të dhënave, fillimisht edhe më i interesuar se për epikën apo lirikën, ai nuk është kujdesur për radhitjen e saj në libra sipas gjinisë së poezisë, ose ka preferuar më shumë (ky konstatim mund të jetë më i saktë)…(2004: 40)”

C. Lirika fetare, që në rrafsh sasior paraqitet nga më të gjërat në lëvrimin e poezisë së shkrimtarit, që e vendos veprën e Fishtës në marrëdhënie me poetët dhe shkrimtarët martirë të fjalës shqipe, Buzuku, Budi, Bardhi e Bogdani. Lidhja që sheh studiuesi në mes të poezisë popullore dhe poezisë së Fishtës përbën një fakt që këtu në linjat më thelbësore argumentohet: “Ushqimi i madh i Fishtës në magjen e letërsisë popullore shqipe, tashmë është çështje e vendosur. Po ndikim i madh i kësaj letërsie popullore edhe në lirikën fetare, megjithatë paraqet një gjë interesante. Nëse temat dhe motivet e kësaj lirike janë kryesisht biblike, ose më gjerë fetare, prezenca e letërsisë popullore shqipe në të, qoftë si ndikim apo qoftë si strukturë e vogël është interesante për studimet e letërsisë. (2004: 62)”

Me mjaft interes është edhe pohimi që bën studiuesi në këtë situatë: Ky fenomen nuk është origjinal i Fishtës, sepse poeti i parë i madh shqiptar, Pjetër Budi, në lirikat e tij fetare nuk e ka fshehur ndikimin e madh që ka pasur nga letërsia popullore shqipe. (2004: 62-63) Po ashtu, në lidhje me përfaqësimin e figurave qendrore që lëvizin në veprën e Fishtës, studiuesi nënvizon: Figurat e Fishtës janë më tepër të modelit të Besëlidhjes së Vjetër, janë personazhe pa oreolin e shenjtë, personazhe të ngjashëm me bashkëkohësit e Fishtës. (2004: 64)

D. Lirika meditative, një nga faqet më befasuese të poezisë së Fishtës, për të cilën studiuesi shkruan: “Syzheu i poezisë Nji lule vjeshtet: në çaste meditative, në çaste kur njeriu e ndjen peshën e humbjes më shumë se herëve të tjera dhe perspektiva i terratiset, poeti humbet në vështrimi-kujtimin e varrezave, dhe sidomos të një varri. (2004: 51)”

Hetimi i satirës në lirikën e autorit

Një nga aspektet më qenësore të poetikës së Fishtës, që madje ka zgjuar interesin e veçantë të studimeve dhe të kritikës letrare qysh në shfaqjen e saj, për krijimtarinë letrare duket se ka qenë satira e Fishtës, e cila ka përmbledhur në vetvete të gjithë tipologjinë shprehëse, nga ironia e hollë, gjer te sarkazma e deri te satira therëse dhe grotesku, duke u bërë kështu një nga rastet unike të lëvrimit të satirës, e cila, në kohën e tij, për shkak të shpotisë së theksuar, ka zgjuar edhe zemërimin e bashkëkohësve.

Satira e Fishtësduhet parë në tipologjinë e vet, të shenjave përfaqësuese, kur sapo ka nisur të kundrohet më në brendësi të qenies, fill mbas rikthimit në panteonin e letrave shqipe, mbase në evidentimin e mungesave të saj, të cilat kanë qenë të shumta dhe me tepri, ndonëse në hapësirën e lirikës satirike kanë qenë si të mirat dhe vlerat, pra duke vështruar të dyja anët e medaljes. Me mjaft vlerë është sjellja pranë lexuesit edhe e përvojës së mëparshme të leximit dhe interpretimit të lirikës së poetit, në tryezën e debatit, për natyrën dhe vendin që zë krijimtaria e poetit në përgjithësi dhe lirika satirike në veçanti. Aty, ndër të tjera, si një pohim studimor që e rimerr këtë aspekt, shkruan: “Tashmë është shumë i njohur fakti se mendimi kritik për veprën poetike të Fishtës, po edhe për vetë autorin, ka qenësuar në pozita diametralisht të kundërta, varësisht prej kohës dhe rrethanave të reja. Kjo vepër dhe autori i saj herë e kanë mbërritur zenitin e lavdit dhe janë kurorëzuar me kurorë dafine, e herë janë hedhur në fund të posit dhe janë kurorëzuar me kurorë therrash. (2004: 29)”

Maja e mprehtë e satirës fishtiane nuk kursen askënd, madje ase veten, pasi në atë kohë shndërrohet në pasqyrën ku fshikullohen veset dhe shëmtitë, që kishin zënë ngushtë qenien shqiptare dhe vendin. Hetimi në këtë anë, të nxjerrjes në pah të vlerave letrare me kaq mjeshtri, por edhe të evidentimit të mungesave, të lidhura me performancën e shqiptuar, ka bërë të mundur që Fishta, që u rrëzua nga froni, me ardhjen në pushtet të komunizmit, të rikthehet në meritën që ka, duke vënë re të gjitha dritëhijet e pranishme në hapësirat e teksteve me poezi, po kaq edhe të lirikës satirike.

Në dialogun e vazhdueshëm, pavarësisht uljengritjeve të qëndrimeve të mbajtura ndaj autorit, sidomos veprës letrare, gjë që ka ndodhur me gjithë krijimtarinë letrare të Fishtës, e cila ka kaluar në një kalvar të pazakontë, nga maja në humnerë, nga shkëlqimi në terr, po kaq edhe me lirikën e tij, me të drejtë tërheq vëmendjen studiuesi Kosumi, kur nënvizon: “Është më se e vërtetë se fraza e Fishtës, si u pa edhe më lart, është thelbësisht shqipe, është më se e vërtetë se natyra e shqipes së Fishtës është krejt shqiptare dhe se filozofia e kësaj gjuhe është filozofia e malësorit tradicional shqiptar. Mirëpo, përveç këtyre, bile para këtyre, gjuhën e bën të kuptueshme fjala e saj, ndërsa është po aq e vërtetë se fjalësi i Fishtës është i ngarkuar me fjalë nëndialoektore, të pakuptueshme nga rrethi i gjerë i lexuesve shqiptarë. (2004: 95)”

Në këtë përfundim studimor vihet re prania e përveçimit të një problemi të receptimit të letrares së Fishtës që, siç këmbëngul studiuesi, duams’duam, është e ndërvarur nga gjuha e tij, nga fjalësi, që studiuesi tërheq vëmendjen se është nëndialektore, gjë që ka shërbyer për të paragjykuar, pa e shprehur, por duke e ndaluar veprën e Fishtës, siç është e vërtetë që fjalësi i Fishtës bart një shkallë të lartë vështirësie në komunikim.

Satira e Fishtës, pjesa e vyer e trashëgimisë së poetit, në atë kohën e shkrimit, shndërrohet edhe në një institucion, të përthyerjeve të mëdha shpirtërore, që nuk kursen askënd, nga maja e shtetit e deri te njeriu më i zakonshëm, që tash në kohën e pavarësisë, ndonëse gjysmake, sërish nuk dinë se çfarë bën me lirinë e vet, duke penguar me dashje dhe nga padituria përparimin e vendit që, edhe pse në mëvetësi politike, qysh atëherë dhe në vijim ka hyrë në një cirkuid të hapërimit me ritmin e breshkës. Madje, pa pasur drojën e keqkuptimit, mund të thuhet se në historinë e letërsisë shqipe dy mjeshtër të lëvrimit të satirës, po kaq të polemikës dhe talljes, janë Faik Konica, në ligjërimin e prozës dhe Gjergj Fishta, në të dyja, por një shkëlqim të pazakontë në tipologjinë e lirikës satirike. Sjellja në vëmendje e vargjeve të jashtëzakonshme të poezisë Metamorfozis, të cilën e keqlexuan, keqinterpretuan, për ta përdorur kundër Fishtës, do të ishte shenja e mjaftueshme, për ta ndjerë majën e mprehtë të satirizimit të veseve të shumta të qenies shqiptare, që poeti nuk i duronte, madje i damkosi me humorin e ashpër derisa pati frymë, prandaj qysh herët u zgjua zemërata ndaj tij, veprës letrare, sidomos ndaj satirës së frikshme që përvëlon edhe tani kur e lexon.

Vargëzimi dhe natyra e shprehësisë

Në pikëpamje të vargut, pra të gjithë pentagramit vjershërues të autorit, poezia e Fishtës, e të gjitha ngjyresave të saj, lirike, epike apo satirike, pa më të voglin dyshim, në të gjithë treguesit e vet, i përkon më së shumti poetikës klasike, në varg, strofë, figurim, madje ngjyresat tradicionale, të lëna si gjurmë të njëmendta, në morinë e teksteve me poezi, më së shumti shpërhapen në gjerësinë e vargut tetërrokësh, një varg tipik i gjuhës shqipe, i cili gjendet i shtrirë në të gjithë periudhat e lëvrimit të letërsisë shqipe, të strofimit me katrenë, pra me strofën katërshe, si një ngjyresë e rrokshme në poezinë e të dy përmbledhjeve, që nga ana e studimeve letrare janë shqyrtuar si pjesë e fondit të lirikës shqipe, si dhe në të gjithë aspektet e tjera, formësuese të vjershërimit, të cilat e bëjnë unike poezinë e Fishtës, në rrafshet e thënies dhe të shpalimit artistik. Në lidhje të ngushtë me këtë ide parësore të formësimit estetik të poezishkrimit, siç e ka menduar studiuesi Kosumi, të zgjon interes të posaçëm pohimi studimor:” Në studimin tonë do ta lëmë këtë metodologji të kalsifikimit dhe studimit. Fundja, tema jonë është Lirika e Fishtës e jo Librat me lirika të Fishtës. (2004: 38)”

Kemi të bëjmë me një objekt të mirëpërcaktuar, të parë në të gjithë përmasat e veta, të komunikimit me kohën e tij dhe me matakohën, pra me lexuesin e shqipes, kudo që ai banon, në thelbin e vet përfaqësues, sepse kufijtë e ngjyresave lirike nuk janë të ngujuara vetëm në librat e paraqitura si të tilla, madje me Fishtën ngjet edhe shembja e mureve të gjinive dhe llojeve, e po kaq edhe të tonaliteteve përfaqësuese. Kështu, më herët, në vitin 1941, Poradeci, një mjeshtër i poezisë shqipe, një këngëtar thinosh i lirikës, duke rrëmuar në vatrën e Lahutës së Malcis, do të hetonte gjurmë lirizmi, dhe që nga ai moment Fishta është parë edhe si një poet buzëhollë i lirikës që, megjithatë, shpeshherë lirika satirike ka rënë pa grimën e mëshirës mbi të gjitha veset e botës, duke fshikulluar shëmtimin e botës dhe duke rënduar kah e mira dhe përparimi. Në këtë fakturë të shkrimit letrar, pra të lirikës së larmisë, ku përndritet më së shumti poetika e lirikës satirike, është momenti që studimet letrare, duke marrë shkas edhe nga trajtimi kaq i gjerë dhe argumentues i Bajram Kosumit, tashmë duhet hetuar në shenjëzimet estetike, të gjithë trashëgimisë poetike të Fishtës.

Qasja e Kosumit, në këtë pikë të unitetit të poezisë dhe poetikës së Fishtës, të dhënie-marrjeve me letërsinë popullore dhe po kaq edhe me letërsinë e traditës, është hetimi i natyrës dhe rolit që kanë dy dëshmitë më të pranishme në vjershërimin e Fishtës, përkatësisht:

Së pari: Prania dhe shtrirja e vargut tetërrokësh që i ndërlidh poezinë dhe poetikën fishtiane me poezinë gojore, si dhe me poezinë e kultivuar shqipe, të fillesave të diskursit të poezisë shqipe, me Budin dhe Bogdanin. Analiza e këtij momenti, pavarësisht qasjes në thelbin e vet, të ndërkomunikimit të poezisë së Fishtës me paraardhësit e vet, tashmë duhet thelluar në metodikën e letërsisë krahasuese, për ta parë më nga afër nivelin e marrjes dhe të ndikimit, të ndërkomunikimit letrar, gjithëkohor dhe gjithë hapësinor.

Së dyti: Gjurmët dhe roli i vargut njëmbëdhjetërrokësh, si një mënyrë që zgjeron dhe përlotëson përmasat ligjërimore të poezisë së Gjergj Fishtës, nga njëra anë, por edhe zgjeron nivelin e komunikimit të poetit në gjuhën shqipe. Pentagrami i shkrimit poetik me anë të njëmbëdhjetërrokëshit, e vendos diskursin poetik në lidhje të ngushta me poezinë italiane, pra perëndimore, por edhe shpërfaq hapësirat e kumteve të gjuhës shqipe, që është e hapur ndaj përvojave të shkrimit të poezisë.

Shprehësia e poezisë së Fishtës, në të gjitha dimensionetkreative, të lirizmit që ndërthuret me epizmin, si dhe anasjelltas, të epikës që ruan shenja të lirizmit të brishtë, pra duke u bazuar në gjithë poezinë e tij, që ka mundësuar hartimin e poetikës unike, të gjerësisë së kumteve dhe të tonaliteteve të shumëngjyrta, po ashtu poezia e Fishtës dhe mendimi për të, me gjasë verifikimi dhe interpretimi tekstologjik dhe estetik, lidhet ngushtësisht me natyrën klasike të ligjërimit, në figurshmëri, konceptualitet dhe në karakterin e kumtit hapur dhe me nëntekst që përçon poetika e Fishtës gati në të gjithë poezinë e tij, e ku më së shumti kjo cilësi shenjëzohet në poemën Lahuta e Malcis dhe në përmbledhjet Mrizi i Zanavet dhe Vallja e Parrizit, ku edhe është gdhendur magjia e shkrimit poetik dhe letrar të Gjergj Fishtës.

Magjia e lirikës së poetit

Gjerësia studimore, e rrokshme në hapësirat e librit Lirika e Fishtës, veçmas në hetimin e tematikës dhe problematikës së poezisë së poetit, më zëmadh të letrave shqipe, si dhe verifikimi dhe interpretimi i stilemave formësuese dhe mjeteve unike shprehëse, të figurshmërisë, vetvetiu zgjon dëshirën për t’u kthyer tek lirika e Fishtës, për ta rilexuar dhe shijuar, e parë tashmë si magji e shkrimit të poetit. Madje rrezatimet që heton Kosumi, por edhe hijedritat në ligjërimin poetik të Fishtës, krijojnë premisat e vështrimit tërësor të poezisë së poetit, sidomos të lirikës, e cila formëson një magji të përveçme të poezisë lirike, që vlerësinë e ka te larmia e motiveve, e po kaq edhe në larushinë e mjeteve të vargëzimit klasik, të mjeteve shprehëse të figurshmërisë, sa librore aq gojore, duke endur një mozaik magjik të lirikës. Prej kësaj rrethane, të pazakontë në seriozitetin e qasjes, të pranisë së metodikave krahasimore, të analizës së plotë të pasurisë poetike të Fishtës, kundruar edhe në lidhjet me poezinë e mëparshme, janë vetëm disa nga ato elemente që gjejnë hapësirë interpretimi në librin e Kosumit. Mbi të gjithë nivelin e trajtimit të thellë dhe serioz të trashëgimisë poetike të Fishtës, si me rrallë raste të shqyrtimit të poezisë së Fishtës, të vështruar në dy përmbledhjet që siç i përcakton vetë studiuesi, qysh në krye: Mrizi i Zanavet dhe në Vallja e Parrizit, është objekt shqyrtimi i këtij studimi.

Përcaktimi i qartë i objektit studimor, pra i një analize të thelluar në tipologjinë e formës, të stilit dhe të marrëdhënieve të rrokshme poezinë e mëparshme, popullore apo të kultivuar, për ta krijuar idenë përfundimtare mbi përmasat e ligjërimit poetik të Fishtës, të ngjyresave të pazakonta të diskursit unik të kësaj poezie. Kosumi për të krijuar një ide fillestare, sa i përket hetimit dhe zbulimit të magjisë letrare të endur prej Fishtës në lirikën e tij, por edhe për t’i kthyer sytë nga poezia dhe vlerat e saj, me pikësynimin për ta përcaktuar vendin dhe rolin që ka poezia e Fishtës në pentagramin e shqipes, e po kaq në përpjekjen për t’i përcaktuar vendin dhe rolin e poezisë së Fishtës në poezinë shqipe. Me një aspiratë për t’i hulumtuar shenjat e saj në lëvrimin e poezisë lirike, si dhe t’i për shënjuar vatrat më të përfillshme të vlerave estetike, si dhe evidentuar edhe mungimet e saj, është një nga punimet më të plota sa i përket analizës dhe rivlerësimit të poezisë së Fishtës, sidomos në ngjyresat e lirikës, që shqipton magjinë e larmisë poetike, në tematikë dhe shpalim estetik. Për ta vijuar idenë e Kosumit, si një optikë origjinale, po sjellim këtu një konkluzion të studiuesit:” Lirika e Fishtës, duke qenë në lidhje të plotë me të gjithë proceset politike, shoqërore e filozofike të kohës, në njërën, deh duike qenë active, d.m.th në lidhje me shoqërinë që është akteri i këtyre proceseve, në anën tjetër, s’ka se sit ë mos jetë një lloji i dialogut. (2004: 78)”

Një përfundim studimor, që ka endur kurorën e figurimit të vlerave dhe të tipareve mbizotëruese të lirikës së Fishtës, si larushi shprehëse dhe formësuese, duke nisur kështu startin e rivlerësimit të Fishtës, si figurë dhe vepër letrare, në të gjitha dimensionet e veta, pra edhe si njëri nga lëvruesit buzëhollë dhe zëmadh i lëvdimit të vlerave, njëherësh i demaskimit dhe ndëshkimit të vesit dhe shëmtimit. Pra, hetimi dhe përfundimet e Kosumit, në shtjellimin e pasurisë poetike, tashmë të lirikës së autorit, janë mbi këto dy libra që përbëjnë edhe pasurinë më kryesore të Fishtës në lëmin e lirikës. Nga ana tjetër, përtheksimi se dy librat me poezi janë objekt studimi, pra jo si një lexim rastësor, por një punim studimor, që kërkon të nxjerrë në dritë vatra të tjera të ligjërimit poetik të lirikës së Fishtës, është treguesi më i qartë se optika verifikuese dhe studimore e Kosumit hedh vështrimin mbi tërësinë e problematikës së personalitetit krijues të Fishtës, të poetikës lirike të tij.

Monografia e lidhjeve të artit të Fishtës me traditën letrare

Libri Fishta dhe tradita letrare shqiptare është ndër ato punime të plota, madje shteruese në objektin e përcaktuar, që në vlerat e shkruara deri më tani prej Kosumit, është libri më i plotë i autorit, qoftë letrar apo si trajtesë metateksti studimor, duke shënuar librin më të realizuar deri më tani. Njëherësh, duke u bazuar në natyrën tipologjike të librit, por edhe në metodikat moderne të interpretimit, deri më tani është punimi studimor më i arrirë i autorit për figurën e Fishtës, të marrë në lidhjet me letërsinë e traditës letrare.

Vlerësia e këtij trajtimi unik sa i përket qasjes së përmasave fishtiane, të dukurisë së marrë në marrëdhënie me shqyrtimet e bëra përsa i përket krijimtarisë letrare të Gjergj Fishtës, në kohë dhe hapësirë, por edhe të vet optikës krahasimtare me autorë dhe vepra të mëparshme. Të qenit, vetëmse libri më i plotë, i trashëgimisë autoriale, ndërkohë lidhet me faktin e thjeshtë, të gamës së gjerë të problematikave letrare, gjithëkohore dhe gjithëhapësinore, që ka vënë në qendër të tij dhe në masën më të madhe në këtë shqyrtim të përveçëm u ka dhënë përgjigje argumentuese të gjitha aspekteve që ka marrë në analizë, në hallkat e veta shqyrtimore. Po ashtu, në mesin e punimeve kritike dhe studimore të vet autorit, punimi i gjerë studimor mbi veprën letrare të Fishtës, marrë në një kontekst më të gjerë, të marrëdhënieve me letërsinë e mëhershme, si dhe me letërsinë gojore, mbi përcaktimet e bëra për përmasat e saj, është libri më i thellë dhe i shoqëruar me argumente shkencore, në zbulimin e tipareve që barten në tekstet e Fishtës, madje të vendosura në korrelacion me prodhimtarinë letrare të mëparshme, në të gjithë rrafshet kohore dhe me parimet estetike, duke synuar kështu që veprën e Fishtës ta vendosë në vatrën e shqipes, me gjasë në nivelin e merituar.

Ky libër me titullin kaq domethënës, Fishta dhe tradita letrare shqiptare, është konceptuar në disa krerë tepër të zgjeruar, në të cilët realizohet përqasja me të gjitha periudhat e mëparshme të shkrimit të letërsisë, të kultivuar apo gojore, si dhe të vështruar në principet estetike. Në këtë strukturim, konceptual dhe metodik, studiuesi fillimisht ndalet në përqasjen e veprës së Fishtës me autorët dhe tekstet e letërsisë së vjetër, duke shënjuar kështu disa nga rrënjët burimore të poetikës së autorit, të frymës që sendërtojnë poezia dhe krijimtaria e tij, me një përqendrim më të theksuar në poezinë e Budit dhe Bogdanit, poetika e të cilëve gjallon në disa poezi të Fishtës.

Kreu i dytë i librit studimor të Kosumit, që ka mundësuar vendosjen e krijimtarisë së Fishtës me arealin e letrave shqipe, merret me përcaktimin e shkollës ku u mbrujt autori, të shkollës letrare kuptohet, që formësoi cilësitë më të plota, të cilën e përcakton si shkolla proklasike shkodrane. Në kreun tjetër, Fishta dhe vepra e gjerë letrare, vështrohen lidhjet e forta dhe po kaq ndryshimet që ai ka me romantizmin, si dhe me autorët më të rëndësishëm të kësaj rryme letrare në gjuhën shqipe, si: De Rada dhe Naim Frashëri. Po kaq vlerë, në këtë interpretim të detajuar dhe krahasimtar, merr edhe përqasja që bën autori i këtij studimi në lidhje me krijimtarinë gojore, ku hetohen dhe evidentohen lidhjet me eposin, me ciklin e kreshnikëve e, po kaq, edhe me lirikën popullore, e cila na zbulon disa nga tiparet më tipike të artit të Fishtës, që i kanë rrënjët e veta në poetikën gojore të letërsisë popullore.

Në pjesën tjetër, pasuese të këtij studimi, verifikohen konceptet e Fishtës mbi estetikën, duke i kundruar dhe krahasuar ato me praninë e koncepteve estetike në autorët e tjerë të letërsisë shqipe, qysh në fillesat e tyre, me fillesë mendimet e Bogdanit e deri te libri Parimet estetike të De Radës dhe me gjerë. Për ta kuptuar natyrën e vështirë të autorit, në shtjellimin e dimensioneve të veprës së poetit, të trajtimit të krijimtarisë së tij nga studimet letrare, si dhe të ndërlidhjeve të rrokshme me poezinë e mëparshme, po sjellim në vëmendje të lexuesit pohimet e bëra nga vetë studiuesi B. Kosumi në këtë libër, që japin idenë dhe metodën e hulumtimit mbi këtë objekt, dukevënë në marrëdhënie të pashkëputshme veprën poetike të Fishtës me të gjithë procesin e ligjërimit të poezisë shqipe: “Në këtë studim ne kemi pasur një objektiv veprën e Fishtës në marrëdhënie me traditën letrare shqiptare dhe rezultatet e këtij studimi krijojnë një pamje të re jo vetëm për veprën e Fishtës por edhe për marrëdhëniet e brendshme në letërsinë shqipe në përgjithësi, (2012: 16). “

Në këtë rast, pa asnjë ekuivok, paraqitet edhe fushëpamja, vepra e Fishtës si prani në ligjërimin e shqipes, para dhe pas tij, po kaq edhe lartsynimi, për ta parë krijimtarinë fishtiane në lidhjet organike me letërsinë shqipe, me poezinë popullore dhe të kultivuar, duke aspiruar zbulimin e rrënjëve të poetikës së endur nga Gjergj Fishta, si dhe të evidentimit të tipareve unike të ligjërimit të poetit. Megjithatë, metateksti studimor, që vë në fokus poezinë e Fishtës në ndërlidhjet e saj me poezinë shqipe, pra nga vështrimet më të plota, në këtë optikë krahasimi dhe ndërthurje, në historinë e trajtimeve të bëra nga ana e studimeve letrare shqiptare, madje në të gjitha hapësirat e ligjërimit të shqipes, mbi krijimtarinë e larmishme letrare të Gjergj Fishtës, ndërkohë që e shqipton dukurinë dhe problematikën që e ka shoqëruar, në një dritë tjetër. Po kaq, në qasjen studimore ndaj Fishtës, ndaj trashëgimisë poetike të autorit, ndeshet edhe aspekti i ndërlidhjeve të kësaj vepre me letërsinë e traditës, së kultivuar dhe gojore, gjë që përthekson vlerat e veçanta të shkrimit letrar, tashmë të verifikimit të këtyre vlerave, si një ndër qasjet më të plota ndaj kësaj figure, larmisë së krijimtarisë letrare, me përqendrim të vëmendjes në larminë poetike, lirike dhe epike, me një thellim të rrokshëm të trajtimit dhe interpretimit të epit shqiptar, të Lahutës së Malcis, veprës madhore të Fishtës, nga më të mëdhatë e kulturës dhe letërsisë shqipe, sidomos të kryera në shekullin e ri. Në mes tjerash, në libër bie në sy përveçimi që i bën autori B. Kosumi veprës madhore të Fishtës, poemës Lahuta e Malcis, kur nënvizon: “Fishta ka shkruar epin “kombëtar shqiptar” në frymën e romantizmit, atëherë kur romantizmi ishte çështje e historisë së letërsisë dhe atëherë kur shkrimi i epit, si gjini letrare, konsiderohej si punë e së kaluarës. Epi i Fishtës Lahuta e Malcis është epi i fundit i një letërsie evropiane.(2012: 22)”

Formulimi i autorit, pikërisht në këtë formësim, nxjerrë në pah vlerën që pati kjo vepër në historinë e letërsisë shqipe, pra kryevepra epike e letërsisë shqipe, e cila thekson edhe praninë e shenjës paradoksale sa i përkettipologjisë letrare të shkrimit të epit në përgjithësi. Ky moment i thellimit të njohjes së plotë ndaj figurës, dukurisë dhe përmasave të veprës letrare të Fishtës, veçmas të poezisë së tij, si dhe të ndërlidhjeve të rrokshme që ka me letërsinë e traditës, përmes optikës shkencore të metodikave krahasimtare, në hapësirat e librit studimor, në mënyrë të posaçme lidhet me disa aspekte:

Së pari: Me trajtimin e plotë të përmasave të figurës dhe të krijimtarisë letrare të autorit, në fushëpamjet karakteristike, tashmë e trajtuar përmes tipologjisë së shtjellimeve monografike, ka rrokur në gjithanshmërinë e vet, veprën e gjerë letrare të Fishtës, si dhe vendosjen e saj në marrëdhënie me traditën letrare, sidomos me letërsinë e vjetër shqipe, ku më së shumti bie në sy krahasimi që ndeshet në librin studimor, me veprën letrare të Budit dhe të Bogdanit, fillimtarët e ligjërimit letrar.

Së dyti: Me analizën krahasimtare, të shtrirë në shumicën e trajtesës studimore, të realizuar në tipologjinë e këtij punimi, pra të një diskursi tipik të vendosjes së pranishme të poezisë së autorit, me modelet e ligjëratës poetike të mëhershme, që nga njëra anë është shoqëruar me qasje të natyrës së mirëfilltë teorike, sidomos të atyre burimeve të teorive moderne, si dhe me shqyrtime krahasimtare të krijimtarisë së autorit, me disa autorë të letërsisë shqipe, qysh nga fillimet e shkrimit të letërsisë si dhe të letërsisë popullore.

Së treti: Me vendosjen e krijimtarisë letrare, tepër të gjerë dhe që ka mbijetuar përmes situatash të ndryshueshme, të rolit të pamatshëm të Fishtës, si personalitet i jetës kulturore dhe si vepër letrare unike, e parë dhe zbërthyer në rrafshet gjithëkohore dhe gjithëhapësinore. Pra, dukemarrë në analizë të përimtësuar që të tre momentet, shkëlqimin e pranuar nga bashkëkohësit e vet, në gjallje të poetit, ndalimin e përdhunshëm prej diktaturës deri në vitet ’90 të shekullit të kaluar, dhe rizbulimin fill mbas këtyre viteve, si një Atlantidë letrare e përzënë. Këto momente, të qëndrimeve letrare dhe jashtëletrare, politike dhe kulturore, përbëjnë kalvarin e plotë të vështrimit dhe shqyrtimit të jetës dhe veprës letrare, ku u end trajtimi dhe zbulimi i vlerave letrare, të sendërtuara nga Gjergj Fishta në të gjithë krijimtarinë e tij, të gjerë dhe të larmishme. Shtjellimi i këtyre aspekteve, të përfaqësimit dhe zbulimit të tipareve që ka formësuar vepra letrare fishtiane, me seriozitet dhe paanësi, gjithnjë me pikësynimin për ta vendosur në lidhjet e natyrshme, të poezisë së Fishtës me poezinë parake shqipe, të kultivuar apo popullore, shënon një kontribut të vyer, në përtheksimin e vlerave të artit të Fishtës, si dhe në hetimin e rrënjëve të kreatives së poezisë së materializuar prej tij.

Pse Shkolla Proklasike Shkodrane?

Një nga hallkat e rëndësishme, të hetimit dhe vlerësimit të poezisë së Fishtës, që ka gjetur një hapësirë të gjerë shqyrtimi dhe analizë sintetike, është edhe kërkimi dhe shënjimi i shkollës letrare që përfaqëson, së cilës i përket, në shumicën e elementeve të veta formësuese.

Koncepti shkollë letrare, si nivel përfaqësimi, shtjellohet nga Ernest Koliqi, duke pasur parasysh Shkodrën, me dy vatrat e saj, shkolla jezuite dhe ajo françeskane, që ka thelbin e vet, dy rrymat fetare me të fuqishme, katolike në Shqipërinë e veriut, por që patën në epiqendër Shkodrën, kryeqytetin e dikurshëm të Ilirisë, djepin e kulturës dhe shqiptarizmës.

Kohët e fundit Sabri Hamiti e ka zgjeruar më tej konceptin e shkollës letrare, duke e shtrirë në të gjitha periudhat e shkrimit të letërsisë shqipe, që duhet thelluar dhe argumentuar, se a do ta tejkalojë rrafshin didaktik që ka pasur në thelbin e vet. Kosumi, ndaj konceptit shkolla e Shkodrës, pasi e prezanton idenë e Koliqit, pa e kundërshtuar, e lë anash dhe ecën në një udhë tjetër, tashmë duke sugjeruar një konceptim tjetër, pra Shkolla Proklasike Shkodrane.

Vetvetiu në këtë risi të qasjes ndaj figurës së Fishtës dhe veprës letrare vjen pyetja logjike, pse shkolla proklasike shkodrane? A ka lidhje me ndarjet që ka paraqitur Koliqi, apo nuk i merr fare në konsideratë? Apo janë të ndërfutura në konceptimin që sugjeron vetëm për Fishtën, pra si shkolla porklasike shkodrane? Këto dhe të tjera pyetje dhe çështje dalin në radhë, që do të kërkonin hetim dhe rilexim në tekstin e Kosumit, që ka vënë në qendër Fishtën, veprën letrare të parë në rrafshet e komunikimit me letërsinë e mëparshme, të kultivuar dhe popullore. Përgjigjet janë në kapitullin ku studiuesi shtron pyetjet dhe jep edhe përgjigjet e argumentuara. Dhe ja përfundimi i autorit për tipologjinë e përbashkimit të letërsisë së krijuar në Shkodër:”Letërsia e krijuar edhe prej etërve françeskanë, edhe prej etërve jezuitë, por edhe prej disa poetëve laikë shkodranë, ka të përbashkëta disa elemente letrare dhe kulturore që e bëjnë të mundur përkufizimin e saj si entitet letrar më vete. Përkatësia fetare e autorit nuk paragjykon vetë letërsinë, edhe pse mund ta ndikojë, sepse atëherë letërsia romantike evropiane do të duhej të ndahej në letërsi romantike katolike, në letërsi romantike protestante, në letërsi romantike ortodokse e kështu me radhë. (2012: 89)”

Prej këtij pohimi, që e kapërcen ndjeshëm sinorin e letërsisë shqipe, të komplekseve të saj, që nuk rreshtin sot e gjithë ditën, me shumë gjasa të vonesave dhe inkoherencës së pranishme në shumicën e periudhave, vetiu vijnë disa çështje të rëndësishme në fushë të gjykimit, që është rasti për t’i vënë në qendër:

– Letërsia e një kombi, siç është kombi ynë, pavarësisht besimeve të ndryshme, për shkak të bashkëjetesës, në anët e veta më thelbësore, e kapërcen ndarjen dhe diferencat e rrokshme.

– Letërsia është e varur, kryesisht prej gjuhës në mënyrë të veçantë, duke qenë gjuha shqipe, gjuha e letërsisë, pra më përtej besimit, vetiu edhe ndryshimet sa vijnë e zbehen në tipologjinë letrare.

Në kërkim të shënjimit të figurës dhe veprës letrare të Fishtës, në shkollën proklasike, pra në një shkollë që e kapërcen rrethin e Shkodrës, në kohë dhe hapësirë, që komunikon me letërsinë e mëparshme, letërsinë e vjetër, por edhe me letërsinë gojore, studiuesi arrin në një konkluzion që bart kahe të risimit të natyrës së ndërliksur të veprës letrare të autorit. Kur në mes të tjerash, thekson: “Fakti i parë, vetë jeta e Fishtës brenda rrethit françeskan dhe fakti i dytë, komunikimi letrar me tërë shoqërinë shqiptare nuk e kubndërshtojnë njëri-tjetrin, por krijojnë binomin që përmban fenomeni Fishtë: gjatë tërë jetës së tij Fishta do të jetë prift dhe do të shkruajë shkrime letrare dhe akademike e publicistike për fenë dhe çështje që kanë të bëjnë me fenë, e të cilat shkrime do të kenë rol të rëndësishëm vetëm brenda rrethit françeskan, si dhe do të shkruajë letërsi të mirëfilltë, lirika, satira, drama dhe poezi epike, të cilat do të kenë rëndësinë e tyre, jo vetëm për lexuesin shqiptar, por edhe për idealin kombëtar të shqiptarëve. (2012: 94)”

Në këtë episod të studimit të veprës letrare të Fishtës, të një metateksti analitik të mirëfilltë, më tepër kemi të realizuar një profil të portretit të Fishtës, në të gjitha pamjet e mundshme, parë në marrëdhënie me të tri përmasat që bashkudhëtuan në të gjithë jetën, duke u shndërruar në model letrar të pazakontë. Është prifti Atë Fishta që u përket françeskanëve, të cilët bën kaq shumë për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Pranë tij, madje që e ndjek në secilin hap të jetës, është shkrimtari, zemërtrazuar dhe mendimtar, që derdh magjinë e shkrimit në të tri gjinitë letrare, duke spikatur në epikë dhe lirikë. Por, nën vledonin e priftit, në prushin e zemrës së krijuesit, më shumë duket s sa zhduket, ideologu i kombit, i qenies shqiptare, që merr pjesë intensivisht në çështjet madhore që dalin përpara fatit të kombit. Për ta argumentuar hipotezën se poetika e veprës letrare të Fishtës është më e gjerë sesa shkolla françeskane që e lindi, studiuesi rikthehet në rrënjët e hershme dhe shprehet: “Shkrimi i poezisë me temë fetare është një fakt i përbashkët për krejt letërsitë evropiane, sidomos në Mesjetë e deri në Renesanca evropiane. Edhe në letërsinë shqiptare është kultivuar ky lloji i letërsisë në të gjitha qarqet para letërsisë së periudhës së Rilindjes. Te qarku i shkrimtarëve të Veriut Pjetër Budi (në mos Pali i Hasit?) është poeti i parë që shkroi vjersha fetare, edhe të përcillet prej Pjetër Bogdanit e deri te poetët e shkollës projklasike shkodrane, shumica e të cilëve krahas letërsisë laike kanë kultivuar edhe letërsinë fetare, veçanërisht poezinë. (2012: 102)”

Duke shkuar në fillesë të ligjërimit të letërsisë, në rrënjët e gjuhës dhe kulturës shqiptare, studiuesi përforcon mendimin dhe përplotëson argumentet se Fishta është më përtej rrathëve ku u rrekën me kot të përfusin, pa hyrë në marrëdhënie të plota me figurën e krijimtarinë e gjerë të shkrimtarit.

Natyra e romantizmit të veprave të Fishtës

Nuk kishte asnjë mundësi tjetër, që pjesë e shqyrtimit të përmasave të veprës letrare fishtiane, madje të shumëngjyrësisë së saj, të mos qe edhe prania e romantizmit, e rrymës letrare që riktheu në mes shqiptarët, aspiratën për liri. Kjo ishte e pashmangshme, qoftë edhe për faktin se kryevepra e Fishtës, poema Lahuta e Malcis, thuret vetëm se në shtratin romantik, por duke marrë në konsideratë gjithë veprën letrare të autorit. Fishta edhe e braktisi këtë rrymë letrare në jo pak tekste me poezi. Në këtë rast, është me interes të jashtëzakonshëm, për lexuesin dhe për studimet letrare, udha se si studiuesi sheh, zbulon dhe interpreton, qoftë praninë e kësaj rryme në veprën poetike të Fishtës, por edhe si përqasje të tipareve të përbashkëta me autorë të tjerë të romantizmit shqiptarë, si: De Radën apo Naim Frashërin, por edhe duke vënë re ndryshimet e rrokshme në mes tyre dhe veprës letrare të Fishtës, gjë që do t’i qartësonte peshën dhe rolin e secilit prej këtyre autorëve të letërsisë shqipe në rrafshet kohore. Në krye të herës, studiuesi Bajram Kosumi, pra qysh në fillim, evidenton shenjëzimet e përbashkëta të Fishtës me përfaqësuesit më të spikatur të romantizmit shqiptar teksa shkruan: “Edhe Fishta edhe romantikët shqiptarë, si De Rada e Naimi, janë ushqyer nga të njëjtat ideale politike e kombëtare, e të cilat kanë vulosur artin e tyre, (2012: 128).”

Duke i vendosur në lidhjen e tyre, organike dhe të pashmangshme, përveç gjuhës shqipe unike, pavarësisht pranisë së varianteve letrare dhe gjuhësore të ndryshme dhe të idealit të përbashkët kombëtar, që dihet se buron nga vetëdija e përbashkimit të fatit të kombit shqiptar, të etnisë shqiptare, kudo që ajo jetonte, po kaq shpjet studiuesi niset t’i prezantojë dallimet e rrokshme në mes tyre. Në episodin e mëposhtëm, në mënyrë të detajuar dhe tepër argumentuese, prekim dallimin e poetëve romantikë shqiptarë: “Dy poetët e mëdhenj romantikë, në dy skaje kohore të romantizmit, në dy skaje gjeografike ku gravitonte etnikumi shqiptar, i pari De Rada, e kishte hapur shtegun për një lëvizje të re letrare, romantizmin, ndërsa Naimi po e përmbyllte këtë lëvizje, duke arritur bashkë me shkrimtarë të tjerë të krijojnë letërsinë kombëtare shqiptare. Krahasimi i Fishtës me këto dy maja është krahasimi më kuptimplotë i veprës së tij me romantizmin shqiptar. (2012: 129)”

Heqja e paraleleve në mes dy mjeshtërve të romantizmit shqiptar, me shumë gjasë, madje pavarësisht dallimeve të rrokshme, që ato kanë me krijimtarinë letrare të Fishtës, Kosumi në shtjellimin interesant, të pasur me argumentime të thella, në gjetjen e nënteksteve dhe rrafsheve të ligjërimit poetik, për të hetuar me çdo kusht rrënjët e artit fishtian, studiuesi arrin deri në një konkluzion që zbulon ndërthurjen e momenteve kryesore të lëvrimit letrar në gjuhën shqipe, kur thekson tiparet përbashkuese të tre poetëve më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të së kaluarës: “Duke trajtuar mitin kombëtar, mitin për gjuhën, mitin e t’Parëve, mitin për epokën e ndritshme të Skënderbeut etj., letërsia dhe ideja nacionale njëjtësoheshin, pa e humbur letërsia mëvetësinë letrare dhe vlerën estetike. (2012: 135)”

Këto shenjëzime të qarta mitike, mbase tematike më tepër, janë thelbësisht të pranishme në veprën letrare të secilit autor të letërsisë shqipe, por në veprën e mjeshtërve të fjalës, De Rada, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta, këto mite të pazakonta në vatrën përfaqësuese, zbulohen në një dritë të pazakontë, të ligjërimit letrar. Megjithatë, studiuesi më i thekur i Fishtës, interpretuesi i lirikës dhe gjithçkaje të shkruar nga Fishta, qysh në krye tërheq vëmendjen mbi atë që përfaqëson edhe poema Lahuta e Mlacis, kur thekson: “Epi Lahuta e Malcis paraqet shembullin më të mirë të misionit të letërsisë, sipas konceptit romantik. Nëse jo prej fillimit, para vitit 1905 kur janë botuar pesë këngët e para, së paku shumë para përfundimit të Lahutës së Malcis, Fishta e ka konceptuar atë si një ep nacional. (2012: 139)”

Duke qenë një vepër tipike e epit kombëtar, me adresim zgjimin e krenarisë, kuptohet se ky tekst vjen si letërsi, në sfondin e rrymës letrare të romantizmit, që pati si pikësynim t’i projektonte lirinë dhe pavarësinë e atdheut, ëndrrën për çlirim kombëtar nga sundimi osman. Me po kaq përqendrim dhe seriozitet, gjithnjë duke u bazuar në metodikën krahasimtare, pra në verifikimin e poetikave të secilit autor, janë vënë re edhe dallimet në mes poetikave të dy autorëve, modelete romantizmit, pra të De Rada dhe Naim Frashëri, si dhe të letrares së Fishtës, që herë-herë e braktis këtë modelletrar, pra romantizmin.

Duke pasur parasysh veprat kryesore të De Radës, autori i studimit mbi lidhjet e Fishtës me traditën letrare, arrin deri në përfundimin e drejtë:“De Rada himnizon shekullin e Skënderbeut në të gjitha përmasat e tij dhe arrin të krijojë imazhin për një shekull ideal shqiptar.” Po ashtu, Kosumi vepron edhe për Naim Frashërin, madje duke hedhur një konkluzion të drejtë, kur shkruan:…idealizon natyrën shqiptare dhe njerëzit e punët që bëhen në Shqipëri, duke krijuar idealin e përsosmërisë së atdheut shqiptar. Me anë të sqarimit të nuancave dalluese të poetikës së dy romantikëve, më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, me Fishtën, studiuesi merr shkas për të hyrë në dëshminë letrare unike të Fishtës, si frymë dhe art. Prandaj, në një moment, të gjetur si prani e shtjellimit të tillë, ai nënvizon: “Mirëpo, Fishta është mjaft i njohur për karakterin kritikues të veprës së tij. Po me atë zjarr që himnizon gjuhën shqipe, ai mallkon ata që përbuzin këtë gjuhë (në poezinë Gjuha Shqype). Po me atë gjuhë emocionale që lavdëron luftëtarët malësorë ndër beteja me trimat malazezë, ai kritikon e shanë shqiptarët pse lanë të shkëputet Kosova dhe shumë territore etnike shqiptare nga trungu shqiptar më 1912: (2012: 151).”

Studiuesi B. Kosumi, me të drejtë, për t’i bërë përcaktimet e ndërmjetshme, evidenton tiparet dalluese të veprës së Fishtës, në dallim nga romantikët shqiptarë, pra nga De Rada dhe Naim Frashëri, gjë që mundëson sqarimin e natyrës së artit të secilit prej tyre, madje argumenti në këtë rast fiton peshë tjetër, kur përmend veprat letrare që përfaqësojnë dy natyrat e ndryshme të Fishtës, kur shkruan: “Letërsia himnizuese e Fishtës (Lahuta e Malcis, një pjesë e lirikës patriotike dhe lirika fetare) dhe letërsia satirike e Fishtës (përmbledhja Anzat e Parnasit, Gomari i Babatasit, Visku i Babatasit etj.) janë dy anët e ndryshme të poetit dhe të veprës së tij, po në misionin e letërsisë në shoqëri janë të ngjashme ose e njëjta. (2012: 152).“

Kjo letërsi, ku mbizotëron himnizimi, me gjasë krenaria për ekzistencën e qenies shqiptare, rimerret në një pasazh tjetër, madje e përforcuar me idenë e argumentuar në shtjellimin e vet, mbi tiparet himnizuese të veprës letrare të Fishtës, duke nënvizuar raste të poezive të veçanta, kur thekson: “Edhe Fishta i absorbon në veprën e tij temat e mëdha të romantizmit shqiptar, por jo të gjitha. Ai trajtoi temën e mirënjohur të gjuhës shqipe (poezia Gjuha Shqype), tema e atdheut (poezitë: Shqypnija, Shqypnis, Atdheut, Shqypnija e lirë, Hymni i Flamurit Kombëtar etj.), temën e mërgimit nga atdheu (poezia I dbuemi), temën e luftërave shqiptare kundër sundimit osman dhe kundër pushtuesve sllavë (epi Lahuta e Malcis, poezitë Surgite, mortiu!, Ni gjamë desprimit), temën arsimimit të shqiptarëve (tekstet dramatiko-edukative: Shqyptari i gjytetnueme), temën e luftës për atdhe (teksti dramatik Juda Makabe) etj. (2012: 163)”

Kjo është një analizë e hollësishme, e bërë për t’i kuptuar tiparet e artit poetik të Fishës, ku sillen pranë lexuesit të gjitha ato nuanca të shkrimit poetik të Fishtës, që kuptohet se kanë të bëjnë me ngjyresat e romantizmit, madje bëhet e mundur plotësisht për ta kuptuar dyzimin dhe dyfishimin e shkrimit letrar të autorit, që endet në hapësirat e këtyre teksteve me poezi. Një ndër dallimet e mëdha të poezisë së Fishtës, krahasuar me poetët e romantizmit, pra me De Radën dhe Naim Frashërin, është mungesa e poezisë së natyrës, sidomos të dashurisë, megjithëse kohëte fundit është bërë ndonjë përpjekje që ndonjë krijim ta përfshijnë në natyrën e poezisë së tillë. Studiuesi Kosumi, ndër të tjera, thekson: “Poezia e Fishtës Nji lule vjeshtet, një prej lirikave më të mira të tij, në mos më e mira, ka ngjallur edhe disa reagime dhe interpretime të ndryshme, nisur nga pyetja se a është poezi lirike mendimtare për jetën e kalueshme dhe vdekjen e përhershme, apo është një poezi dashurie për një person të dashur e të vdekur para kohe, apo është një poezi personale e Fishtës dhe ka të bëjë me një person konkret, një femër, të cilën Fishta e paskësh dashuruar dhe e cila ka vdekur para kohe, (2012: 168).”

Dallimet e poezisë së Fishtës, me të poetëve romantikë, pra me De Radën dhe Naim Frashërin, janë të rrokshme edhe në elementët e stilistikës poetike, mjetet unike, të cilat bëjnë të mundur hartimin e poezisë si art i fjalës. Kështu, në lidhje me diferencat në këtë aspekt, studiuesi Kosumi, më në fund në këtë shtjellim, konkludon:Format poetike të “Fishtës, vargu, strofa apo tipi i lirikës që ai kultivon, karakterizohen nga një fakt: janë kalisciste. Rregullat e traditës klasiciste vulosin tërësisht format poetike të tij…Romantiku dhe posromantiku Fishtë aty drynohen në format poetike klasiciste. (2012: 189)”

Në librin Fishta dhe tradita letrare shqiptare, veçanërisht në kreun mbi praninë e përbashkësive dhe dallimeve të Fishtës me poetët romantikë të letërsisë shqipe, De Rada dhe Naim Frashëri, ka edhe argumente të tjera, por ajo që prekëm, shkurtimisht dhe në shembujt e mundshëm, krijon premisat për ta prekur mendimin studimor, që janë të barabartë nga madhështia të tre poetët, por në rrafsh të rrymës së romantizmit dy të parët janë tipikisht në atë vatër, kurse Fishta hyn dhe del prej tij sa herë lëshon rrufetë e zemërimit mbi mbrapshtitë e kohës.

Literatura

Alu, Ali, Kritika, Rilindja, 1980

Aristoteli, Poetika, Buzuku, Prishtinë, 1998

Hamiti, Sabri, Letërsiamoderne, Vepraletrare 8, Faik Konica, 2002

Kosumi, Bajram, Fishtadhetraditaletrareshqiptare, “Brezi 81” Prishtinë, 2012.

Kosumi, Bajram, Lirika e Fishtës, Toena, Tiranë, 2004

Rrahmani, Zejnulla, Teoria e letërsisë, Faik Konica, Prishtinë, 1996

Solari, Milivoj,  Çështjet e poetikës, LibriShkollor, Zagreb, 1971

Solari, Milivoj, Teoria e letërsisë, Rilindja, Prishtinë, 1978

Shala, M. ,Kujtim, Kujtesa e tekstit, Buzuku, Prishtinë, 2003.