Metamorfoza nga pushteti - Gazeta Express
string(24) "metamorfoza-nga-pushteti"

Metamorfoza nga pushteti

OP/ED

Gazeta Express

22/01/2021 16:16

Në një shoqëri sikur kjo e jona, ku kemi krizë të thellë të identitetit, legjitimimi i formave të stërkequra identitare, por edhe manipulimi si formë, është më se i pranishëm. Në një rast të tillë (siç jemi ne), arratisja nga vetvetja është rruga më e lehtë. Kjo arratisje është e përmasës së përgjithshme dhe në gjithçka. Krejt kjo pastaj na e derivon një situatë absurde ku nuk e kemi të qartë se çfarë duam dhe çfarë duhet (sic!).

Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Nivelin e dëshirave e përziejm me nivelin e nevojave që kemi, ose interesin e kemi zëvendësuar me interesanten siç thoshte Heidegger-i. Kjo çasje apo mënyrë e të menduarit në psikanalizë konsiderohet si skizofreni. Në një formë të tillë edhe shoqëria jonë mund të konsiderohet si shoqëri në gjendje skizofrnike. Përgjithësisht osilojmë në mes të nacionalizmit, socializmit, të djathtës ekstreme, majtizmit demagogjik si dhe religjionit me ngjyrim politik – e që i paraqesim si shpëtim nga rrënimi i mëtutjeshëm moral, domethënë një shpërfytyrim i llojit të vet. Edhe te klasa politike në përgjithësi, e vërejm një çasje të tillë…, madje tek kjo klasë e kemi shpërfaqjen më të kristalt të këtij shpërfytyrimi karakterial. Janë aq të dehur nga pushteti dhe për pushtet sa që janë në gjendje që të rrënojnë çdo gjë që është krijuar deri më tani dhe përveç kësaj, disa janë në gjendje edhe të ravizojnë linjat për të ardhmen në bazë të një mllefi që e kanë akumuluar ndër vite. Kontestimi i çdo gjëje na ka sjellur në situatën e defunksionalizimit të shtetit dhe kontaminimin e komunikimit të ndërsjellë. Kjo paralizë mendore përkon me paralizimin e shtetit. Mendësia e tillë ka sjellë një mentalitet polarizues, ose je me ‘ne’, ose je kundër nesh. Një formë e tillë i përket atyre strukturave ideologjike që si mjet subverziv në shoqëri e kanë moralin. Krejt kjo pastaj e kapërthen konstruktin social në një ngërrç mental dhe krijon oaza të kontaminuara mendore.    

Ky mentalitet dhunues për shoqërinë tonë është bërë pothuajse pragu i patejkalueshëm. Një vetëkurthim i tillë na ka sjellur në pikën e atillë ku jemi në gjendje që të përdorim çdo mjet për të arritur një copë pushtet. Në emër të keqqeverisjes jemi në gjendje të shkatrrojmë çdo gjejë që është ndërtuar me mundin tonë e me ndihmen e vendeve mike. Kalbja e strukturave politike përditë e më shumë ka sjellë në jetë forma të ndryshme parapolitike ku pastaj keqpërdorimi i sferës publike është bërë normalitet. Secili komunitet shoqëror është pothuajse në kollaps total, për shkak të pamundësisë së lëvizjes së mendimit kritik përpara. Keqpërdorimi me fjalën e lirë ka kohë që ka krijuar kakofoni shoqërore, kurse domonstrimi për çështje më interes të përgjithshëm ka kaluar në banalitet, jo për shkak të kërkeses (që shpeshëherë edhe kjo është idioteske), por për shkak të metodës.

Njerëz që për shumë rrethana e për shumë arsye që janë shëmbëlltyra e dështimit shoqëror, janë bërë gjykatës moral në publik. Në emër të kinse asaj se sistemi për njëzet vjet ua ka pamundësuar realizimin e tyre moral, intelektual e material, po krijohet ideja se kemi të bëjmë me një masë që janë të shtypur, se përndryshe në një kinse sistem tjetër ata do të ishin shëmbëlltyra e qytetarit dinjitoz. Në fakt injoranca që është e shtrirë sa horizontalisht në shoqëri, po aq edhe vertikalisht tek shumica dërmuese, ka gjetë prehje (sepse edhe ashtu çfarë të humbin nuk kanë) në këtë narracion. Kjo ka prodhuar një militantizëm të mllefosur ku nuk njeh kod racional të komunikimit, sepse beson se e vërteta i takon grupit në të cilin militon dhe si të tillë ata kanë edhe të drejtën absolute të gjykimit. Dehumanizimi, friksimi, intimidimi i tjetrit është ba rregull shoqëror. Bishat e rrjeteve sociale janë bërë kasap të mendimeve ndryshe. Madje edhe rregulli institucional duhet t’i nënshtrohet egos së vullnetit të tyre shfrenues.

Për të shpëtuar nga një qasje e tillë, duhet që urgjentisht të heqim dorë nga ideja se ne jemi shpëtimi për të tjerët. Ideja e mesianizmit është shkatrrimtare për një indivit, shoqëri e shtet, mbase kjo historikisht është dëshmuar. Shtendërtimi nuk bëhet duke u turrur pas heronjëve të momnetit, por nga puna e përditshme e secilit. Forma më rezultative e ndërtimit të shtetit është gradualitetit. Fragjiliteti i demokracisë nuk duhet pare si mundësi për ta dëmtuar atë në emër të marrjes së pushtetit, por duhet par si një shancë për përmirësim. Demokracia është komplekse dhe kushdo që mundohet ta thjeshtësoj, është duke e sulmuar atë. Kurse shteti në ditët e sotshme është një ndërmarrje komplekse që nuk rregullohet me një “kaçavidë”. Vetëm injorantët mendojnë dhe besojnë se mund ta rregullojn gjendjen duke rrënuar çdo gjë, duke pretenduar se kanë për ta ndërtuar më mirë se ç’ishte. Politika të tilla të papërgjegjshme verbërohen nga pushteti dhe nuk qajnë kokën për rrënimin e shtetit. Nëse vazhdohet me një ritëm të tillë destruktiv, ngrehina jonë që kemi ndërtuar (bashkë me ndihmën e të tjerëve) edhe mund të na zë një ditë.