Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në një takim të zhvilluar të shtunën në Korçë për çështjen e arsimit, por edhe për të prezantuar 5 prioritet e Partisë që ai drejton me strukturat e partisë, e ka cilësuar si politike marrjen në pyetje të nënës së Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, në kuadër të hetimit pasuror të nisur ndaj çiftit Meta që përfshinë edhe familjarët e afërt të tyre, pas kallëzimit për lobimin në SHBA.
“Kjo nuk përbën asnjë interes për mua. Ajo është një zonjë e mrekullueshme dhe gjithçka tjetër është politikë dhe asgjë tjetër”, tha Meta.
“Për çfarë është pyetur? Nuk kam asnjë informacion. Sa herë kam qenë në SPAK, kam dalë para gazetarëve. Kur të më ftojnë do u bëj dhe disa pyetje serioze prokurorëve. Kanë kërkuar dhe një mandat tjetër meqenëse janë lodhur shumë këta duke gjetur 60 milionë eurot që ua ka treguar Arben Ahmetaj se ku janë dhe i dinë por nuk i gjejnë dot, sepse nuk i lënë favoret që marrin nga Erion Veliaj. Asnjë lloj shqetësimi. Zonja Fatime është përgjigjur vetë, zonja Monika përgjigjet vetë. Partia e Lirisë nuk sekuestrohet”, tha Meta.
Më tej u shpreh se opozita duhet ta nisë ndryshimin nga vetja. Sipas Metës, opozita duhet të ushtrojmë më shumë presion ndaj institucioneve.
“Presionet që bëhen në Korçë dhe gjithë Shqipërinë në fushën e arsimit, por edhe në atë të biznesit, është një qeveri që sundimin e saj nuk e ka bazuar tek legjitimiteti, por te dhuna dhe frikësimi i qytetarëve”, tha Meta.
“Mirë na e bëjnë ne, që na bëjnë presion, pasi ne s’po u bëjmë presion atyre. Ta fillojmë me drejtoreshat që u bëjnë presion mësuesve, nxënësve, prindërve të nxënësve. Ta fillojmë me mësueset që një pjesë e mirë edhe pse të pakualifikuara, kanë aftësinë e vetme të jenë patronazhistë, prandaj jemi tek testi i Pizës aty ku jemi.
Të ushtrojmë presion tek Policia, tek tatimet dhe kështu me radhë. Opozita ta fillojë me veten, me këshilltarët në Korçës që nuk shkundën, në Tiranë që nuk shkunden, në Durrës që nuk shkunden, ta fillojmë me strukturat tona që nuk shkunden dhe shumë shpejt kjo kala rëre do të shembet”, tha Meta.
Gjatë vizitës në Korçë, Meta është takuar dhe me inxhinierë, artistë, sportistë dhe invalidë pune.
“Pensionistët korçarë si qindra-mijëra pensionistë në mbarë vendin mezi e shtyjnë sot muajin me pensionet mizerabël. Partia e Lirisë do të rritë pensionet mbi nivelin e mesatares së rajonit brenda një mandati qeverisës dhe do të mbulojmë falas të gjitha shërbimet shëndetësore për ta”, theksoi Meta.