Meta: Ambasadorja e SHBA më kërkoi mendim sesi të zhbllokohen gjykatat - Gazeta Express

Shqiperi

Gazeta Express

25/05/2020 22:18

Meta: Ambasadorja e SHBA më kërkoi mendim sesi të zhbllokohen gjykatat

Shqiperi

Gazeta Express

25/05/2020 22:18

Presidenti Ilir Meta ka deklaruar për herë të parë se në një takim me ambasadoren e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim, kjo e fundit i ka kërkuar se çfarë idesh ka Presidenti për mënyrën sesi duhen zhbllokuar gjykata e Lartë e Kushtetuese në Shqipëri.

Deklaratën Presidenti e ka bërë në intervistë për emisionin Opinion. Meta ka shtuar se më 23 mars Yuri Kim ka kërkuar idetë e tij për të shkuar drejt normalitetit politik e ligjor në vend dhe më 8 prill, përmes përfaqësuesit ligjor, Presidenti i ka dërguar platformën e tij me 14 pika.

Meta: Besoj se jemi ende në kuadër të revolucionit kulturor të reformës në drejtësi. Tjetër reforma që u votua në parlament dhe tjetër revolucioni kulturor i Ramaformës. Tani problemi është që ata e dështuan, kërkojnë të gjejnë armiq.

Nuk ka mundësi që ambasadorja të ketë target Presidentin, sepse më tutje ka probleme tjera. Meta nuk është target se është President i Shtetit. Nuk lejoj të tallet njeri. Vetëm për Metën s’mund ta ketë…

Ambasadorja më datë 23 mars në një takim që ka bërë me mua në Presidencë, më ka kërkuar idetë e mia si mund të shkohet drejt një normaliteti për problemet e gjykatës kushtetuese, etj. Më 8 prill i kemi kthyer një përgjigje dhe i kam dërguar një platformë, ku i thotë me qëllim rikthimin në normalitet kushtetues, ju lutem lexoni këto propozime të Presidentit.

Midis të cilave Presidenti ka paraqitur mendimin sesi zhbllokohet. Nëse ambasadorja ka ndonjë shqetësim për këto pika le ta thotë. Unë ia kam çuar ambasadores së SHBA-ve këto pika dhe kryeministrit.

Pse jo ambasadorit të BE-së Soreca?

Meta: Nuk kisha pse, sepse që ditën e parë që ka ardhur në Shqipëri, unë atij i kam thënë të ndërhyjë urgjentisht pasi do të kemi probleme serioze me gjykatën e lartë e kushtetuese. Të gjithë e dinë se kush përfiton nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese.

Kujtojmë se javën e kaluar ambasadorja bëri një deklaratë të fortë duke thënë se po bëhet një ‘Pazar’ për ‘vrasjen e reformës në drejtësi’. Palët politike në Shqipëri reaguan shpejt ndaj kësaj deklarate, duke hedhur akuza në adresë të njëri- tjetrit./Express