Lionel Messi shkëlqeu sërish, duke i dhënë fund një momenti të dobët të Inter Miami-t në mes të sezonit. Ai shënoi për të pestën herë në tri ndeshje të kampionatit amerikan dhe ndihmoi ekipin e tij të mposhtte Columbus Crew me rezultatin 5-1 të shtunën në mbrëmje, duke regjistruar fitoren e dytë radhazi.
Messi ishte i përfshirë në të pesë golat e Inter Miami-t. Ai shënoi dy herë – në minutat 15 dhe 24 – duke arritur në 10 gola këtë sezon, më shumë se çdo lojtar tjetër në ekip dhe në vend të tretë në MLS. Ai asistoi golin e Tadeo Allende në minutën e 13-të, golin e Fafà Picault në minutën e 89-të dhe ishte gjithashtu pjesë e aksionit për golin e Luis Suárez në minutën e 64-t.
Kjo ishte ndeshja e dytë radhazi që fituesi i tetë “Topave të Artë” regjistron të paktën dy gola dhe një asist. Ai ka gjithsej 16 kontribute në gola këtë sezon – më shumë se çdo lojtar tjetër në kampionat.
“E shohim çdo ndeshje, është gjithmonë i njëjtë,” tha trajneri Javier Mascherano përmes një përkthyesi. “Përpiqemi ta ndihmojmë sa më shumë. Është qartazi lojtari më i mirë në histori. Kur nuk është brilant, do të thotë se dikush prej nesh ka dështuar. Kjo është e vërteta.”
Miami e nisi ndeshjen me agresivitet. Kishte shtatë goditje – katër në portë – në 25 minutat e para kundër një skuadre të Columbus që njihet për mbrojtje të fortë. Ata kishin pësuar vetëm 19 gola në kampionat para kësaj ndeshjeje.
Allende hapi rezultatin pas një pasimi të gjatë nga Messi. Disa minuta më vonë, Messi përfitoi nga një vendim i gabuar i portierit Nicholas Hagen dhe realizoi, pavarësisht se ky i fundit e preku topin.
Në golin e dytë të Messit, Sergio Busquets dha një pasim të gjatë për shokun e vjetër të skuadrës, i cili shënoi me lehtësi.
Kjo fitore ishte e rëndësishme për Inter Miami-n, që para kësaj kishte vetëm dy fitore në tetë ndeshjet e fundit dhe renditej në vendin e gjashtë në Konferencën Lindore. Pas fitores ndaj Montreal (4-2) të mërkurën, triumfi ndaj Columbus i çoi në kuotën e 29 pikëve, duke u ngjitur në vendin e tretë.
“Fitorja në këtë mënyrë na jep besim,” tha Mascherano. “Tregon se jemi të guximshëm dhe të qetë, dhe se mund të luajmë kundër kujtdo, sidomos në MLS. Turneu (Kupa e Botës për Klube) është një histori tjetër. Aty rivalët janë në një nivel tjetër.”
Inter Miami do të përballet me Al Ahly të Egjiptit më 14 qershor në “Hard Rock Stadium”. Përpara kësaj, Messi do t’i bashkohet kombëtares së Argjentinës për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës kundër Kilit më 5 qershor dhe Kolumbisë më 10 qershor.
Columbus e ngushtoi diferencën në 3-1 në minutën e 70-të kur Dylan Chambost asistoi nga këndi dhe Cesar Ruvalcaba shënoi me kokë ndaj portierit Rocco Ríos Novo, që zëvendësoi Oscar Ustari në pjesën e dytë për shkak të një shqetësimi në këmbë.
Luis Suárez riktheu epërsinë prej tre golash me golin e tij të dytë në po aq ndeshje, ndërsa Messi dha pasimin final për Picault në minutat e fundit, duke vulosur një nga fitoret më dominuese të sezonit për Inter Miami.
Skuadra luajti pa mbrojtësin Jordi Alba, i cili pësoi një dëmtim në fundjavën e kaluar kundër Montreal.