FC Barcelona ka nisur të lëvizë herët në merkato për të shmangur problemet me regjistrimin e blerjeve të reja, të cilat kanë qenë një pengesë serioze në afatet kalimtare të mëparshme.
Plani është i qartë: përpara se të mendohet për përforcime, prioritet mbetet ulja e faturës së pagave dhe krijimi i të ardhurave përmes shitjeve strategjike.
Hapi i parë është bërë tashmë. Shitjet e lojtarëve si Jean-Clair Todibo dhe Álex Valle i kanë sjellë klubit rreth 14 milionë euro falë klauzolave të mëparshme të dakorduara.
Në rastin e mbrojtësit francez, ishte Ëest Ham që ushtroi opsionin për blerjen e tij, nga ku Barça përfitoi 20% të shumës totale. Po ashtu, Como përmbushi klauzolën e blerjes për Valle, e vlerësuar në 6 milionë euro.
Klubi nuk ka ndërmend të ndalet me kaq. Po pritet të finalizohen të ardhurat edhe nga shitjet e mëparshme të lojtarëve si Trincao, Mingueza dhe Mika Mármol, të cilët mund të sjellin fitime të konsiderueshme në arkën e klubit.
Përveç tyre, edhe largimi i përhershëm i lojtarëve që nuk kanë rol të rëndësishëm në skuadër, si portieri Iñaki Peña apo mesfushori Pablo Torre, mund të ndihmojë në uljen e kostove dhe lirimin e hapësirës në kufirin e pagave.
Sipas Mundo Deportivo, qëllimi kryesor i këtij plani ekonomik është përmbushja e rregullit 1:1 të La Ligës, që do t’i mundësonte Barcelonës të regjistrojë përforcimet e reja pa pengesa.
Vetëm pasi të përmbushet ky kriter, do të mund të finalizohet ardhja e Joan Garcia, një transferim që tashmë është në fazë të avancuar. Nëse do të ketë lëvizje të tjera, atëherë Barça mund të synojë operacione më ambicioze, si ai për Luis Díaz. Në tryezë janë edhe emra si Grimaldo apo Perisic, por ardhja e tyre do të varet drejtpërdrejt nga largimet./GazetaExpress/