Liverpool po lëviz me shpejtësi në merkato për të zëvendësuar Luis Diaz, i cili është pranë transferimit te Bayern Munich.
Me kolumbianin që pritet t’i bashkohet Bundesligës, drejtuesit e klubit të Anfieldit kanë identifikuar tre kandidatë për ta zëvendësuar në sulm: Rodrygo Goes, Antonio Nusa dhe Malick Fofana.
Objektivi kryesor është afrimi i një lojtari të ri, teknikisht të fortë dhe me aftësi për të sjellë ekuilibër dhe fleksibilitet në ofensivë.
Favoriti kryesor është Rodrygo, sulmues i Real Madridit dhe pjesë e rregullt e kombëtares braziliane.
Përvoja e tij në ndeshje të mëdha dhe aftësia për të luajtur në disa pozita sulmuese përputhen me stilin e lojës që trajneri Arne Slot dëshiron të aplikojë.
Megjithatë, operacioni nuk do të jetë i lehtë. Real Madridi nuk e përjashton shitjen e tij, por kërkon një shumë të lartë dhe Liverpool ende nuk ka paraqitur një ofertë bindëse.
Në rast se transferimi i Rodrygos rezulton i komplikuar për arsye financiare, “The Reds” kanë dy alternativa më të përballueshme: Malick Fofana, anësori belg 20-vjeçar që po shkëlqen te Lyon, dhe Antonio Nusa, gjithashtu 20 vjeç, i transferuar së fundmi te RB Leipzig dhe i konsideruar një nga talentet më premtues të futbollit norvegjez.
Me largimin e Diaz tashmë pothuajse të konfirmuar, Liverpool duhet të veprojë shpejt për të mos mbetur pa një zëvendësues të besueshëm. Zgjedhja përfundimtare do të varet nga zhvillimet në merkato dhe prioritetet e trajnerit holandez, i cili synon të ndërtojë një skuadër të balancuar, të aftë për presing të lartë dhe sulm të shpejtë./GazetaExpress/