Me dy ndeshjet e ditës së sotme të grupit H, që u luajtën në orën 03:00 të mëngjesit, është mbyllur edhe faza e grupeve e Kupës së Botës për Klube, që po luhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me fitoren e Real Madridit ndaj Salzburgut, dhe atë të Al-Hilalit ndaj Pachucas, tashmë janë mësuar edhe çiftet e 1/8 së finales.
Real Madridi i Xabi Alonsos në këtë fazë do të ketë punë me Juventusin e Igor Tudorit – i cili mbrëmë u shpartallua nga City me shifrat prej 5-2.
Sipas “Opta Analyst”, përqindja më e madhe për kualifikim në këtë përballje i përket Realit me 67%.
Në ndeshjen tjetër mes Dortmundit dhe Monterreyt, skuadra gjermane favorizohet me 75%.
Edhe Bayerni llogaritet si më favorit në garën për kualifikim tutje me Flamengon e Brazilit. Të besuarit e Vincent Kompany kanë mundësi kualifikimi prej 77%.
Lionel Messi në 1/8 e finales do të përballet me ish-klubin e tij, PSG-në.
Mirëpo, sipas “Optas”, duket se ka fare pak mundësi kalimi tutje. Inter Miami ka vetëm 17% mundësi kalimi tutje.
Të njëjtin ‘fat të keq’ e ka edhe Al-Hilali, i cili në këtë fazë do të ketë punë me Manchester Cityn.
Interi i Christian Chivu do të luajë me Fluminense. Italianët hyjnë si favorit absolut në këtë takim, duke u llogarit me 84% fitorja e tyre ndaj brazilianëve.
Përballje, pak më e barabartë – të paktën në letër – është ajo mes Benficas dhe Chelseat.
“Opta” vlerëson se Benfica ka mundësi kalimi tutje prej 41%, teksa Chelsea 59%.
Në këtë fazë do të ketë një përballje braziliane.
Palmeiras do të përballet me Botafogon. Ky i pari llogaritet si më favort me 56% mundësi kalimi tutje, në krahasim me 44% të Botafogos.
Ndeshjet e para të kësaj faze nisin më 28 qershor dhe përfundojnë me 2 korrik./GazetaExpress/