Që nga shtatori, nxënësit e pesë shkollave në Prishtinë do të kenë mësim tërëditor, e në lidhje me këtë reformë, në emisionin “Frontal” në T7 ka treguar detaje, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku – Sadriu.
Ajo ka shpjeguar se si do të funksionoj ky model që po praktikohet për herë të parë në Kosovë.
“Në kryeqytet ka mijëra nxënës në një shkollë, në ciklin e ulët nga klasa e parë deri në të pestën do të implementohet mësimi gjithëditor, ndërsa nxënësit e klasave 6-9 do të akomodohen në objekte të tjera. Ne i kemi rinovuar të gjitha objektet ku do të sistemohen këta nxënës. Nxënësit e shkollave “Xhemail Mustafa” dhe “Faik Konica” nga klas 6-9 do të shkojnë në shkollën “Xhevdet Doda”, ndërsa nxënësit e shkollave “Shkolla e Gjelbër” dhe “Nazmi Gafurri” do të shkojnë në “Eqrem Qabej”, ka shpjeguar ajo.
Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, ka dhënë edhe një lajm të mirë për nxënësit që do të përfitojnë që nga shtatori.
“Në orën 12:00, kryqyteti i ka bërë zotimet se do të ofroj një shujtë të ngrohtë për të gjithë nxënësit në objektet e shkollave, e që do të financohet nga Komuna e Prishtinës. Ushqimi do të përgatitet në baza ditore. Do të kemi edhe aktivitete tjera, si p.sh e kemi ndërlish sportin me matematikën, ku sot nxënësit po e praktikojnë basketbollin me thyesa. Këto modele nuk janë shpikje tona, por janë praktika ndërkombëtare, më herët kanë provuar të bëjnë këso modele po kanë dështuar për shkak të kushteve”, ka thënë Lushaku – Sadriu.