Mesazhi për Ditën Botërore të Teatrit - Gazeta Express
string(37) "mesazhi-per-diten-boterore-te-teatrit"

Lajme

Gazeta Express

27/03/2026 16:39

Mesazhi për Ditën Botërore të Teatrit

Lajme

Gazeta Express

27/03/2026 16:39

Nga Willem Dafoe

Unë përgjithësisht njihem si aktor filmi. Por rrënjët e mia janë thellë në teatër. Kam qenë anëtar i Wooster Group që prej vitit 1977, e deri në vitin 2003, ku kam krijuar dhe interpretuar pjesë origjinale në The Performing Garage në Nju Jork, me të cilat kam bërë turne në mbarë botën. Kam punuar edhe me Richard Foreman, Robert Wilson dhe Romeo Castellucci. Tani jam drejtor artistik i Bienales së Teatrit të Venecias. Ky emërim, ngjarjet që po ndodhin në botë dhe dëshira që ndiej për t’u rikthyer punës me teatrin, ma kanë forcuar bindjen në fuqinë e veçantë pozitive që ka teatri dhe rëndësinë e tij. Në fillimet e mia modeste me Wooster Group, një kompani teatrore njujorkeze, shpesh disa prej shfaqjeve kishin shumë pak publik. Rregulli i zakonshëm qe që, nëse kishte më shumë interpretues se sa publik, mund ta anulonim shfaqjen. Por ne nuk i anulonim kurrë. Shumë prej pjesëtarëve të kompanisë nuk kishin studiuar për teatër, por vinin nga disiplina të ndryshme dhe bëheshim të gjithë bashkë për ta krijuar teatrin, kështu që “shfaqjen nuk e ndal asgjë”, nuk ishte mantra jonë thelbësore, por e ndienim njëfarë detyrimi për ta ruajtur takimin me publikun. Shpesh ndodhte që materialin e provonim gjatë ditës dhe në mbrëmje e paraqisnim si një punë ende në proces. Ndonjëherë rrinim vite të tëra me një shfaqje dhe mbaheshim falë turneve me shfaqjet e vjetra. Kur punonim gjatë me një pjesë të vetme më dukej e bezdisshme dhe provat mezi i shtyja, kurse shfaqjet që qenë ende në fazë procesi pune ishin gjithmonë emocionuese, edhe pse publiku i pakët ishte treguesi i një gjykimi të sertë dhe tregonte nivelin e interesit ndaj asaj që bënim. Kjo më bëri të kuptoj se, pavarësisht se mund të ketë pak njerëz, publiku si dëshmitar, i fal teatrit kuptimin dhe jetën.

Ashtu siç shkruhet në sallat e lojërave të fatit: “FITUESI DUHET TË JETË I PRANISHËM”. Përvoja që ndajmë në çastin e një akti krijimi, e cila mund të jetë e strukturuar dhe e skicuar, por që mbetet gjithmonë e ndryshme, është padyshim forca më e dukshme e teatrit. Si nga pikëpamja shoqërore, edhe politike, teatri nuk ka qenë kurrë kaq i rëndësishëm dhe jetik, në përpjekjen tonë për të kuptuar veten dhe botën. “Rrobat e reja të mbretit” janë teknologjitë e reja dhe rrjetet sociale, që premtojnë të na lidhin, por, me sa duket, i kanë veçuar dhe izoluar njerëzit nga njëri-tjetri. Unë e përdor kompjuterin çdo ditë, nuk kam rrjete sociale, kam kërkuar veten në Google si aktor dhe kam përdorur inteligjencën artificiale për informacione. Por duhet të jesh i verbër që të mos kuptosh se kontakti njerëzor rrezikon të zëvendësohet nga marrëdhëniet me pajisjet. Disa teknologji mund të na shërbejnë për mirë, por të mos dish se cilin ke në anën tjetër të komunikimit është një problem i thellë, që kontribuon në një krizë të së vërtetës dhe të realitetit. Interneti mund të hapë debate, por shumë rrallë arrin ta kapë ndjenjën e mrekullisë që krijon teatri. Ajo është një mrekulli e bazuar në vëmendjen dhe angazhimin e një komuniteti të vetvetishëm, mes atyre që janë të pranishëm në një rreth veprimi dhe reagimi.

Si aktor dhe krijues teatri, mbetem besimtar në fuqinë e teatrit. Në një botë që duket se është gjithmonë e më shumë përçarëse, kontrolluese dhe e dhunshme, sfida jonë si krijues teatri është ta shmangim korruptimin e teatrit, duke mos e parë vetëm si një ndërmarrje tregtare që ofron argëtim përmes shpërqendrimit ose si një ruajtës institucional i thatë i traditave, përkundrazi, duhet të ushqejmë forcën e tij për të lidhur njerëzit, komunitetet, kulturat dhe, mbi të gjitha, për të ngritur pyetje se ku po shkojmë… Teatri i madh sfidon mënyrën se si mendojmë dhe na nxit të imagjinojmë atë çka synojmë të mbërrijmë. Ne jemi qenie shoqërore dhe biologjikisht jemi projektuar të angazhohemi me botën. Çdo organ shqisor yni është një portë për takime dhe përmes këtyre takimeve përcaktojmë më mirë cilët jemi. Përmes rrëfimit, estetikës, gjuhës, lëvizjes, skenografisë: përmes teatrit si një formë gjithëpërfshirëse arti, mund të shohim si ka qenë, si është dhe si mund të bëhet bota jonë.

*Përktheu nga anglishtja Dr. Anxhela Çikopano / Studiuese e teatrit pranë Qendrës së Studimit të Arteve në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

Advertisement
Advertisement
Advertisement