Mesazhi i kryetarit të FBK-së, Arben Fetahu - Gazeta Express

Sport

Gazeta Express

27/03/2020 13:06

Mesazhi i kryetarit të FBK-së, Arben Fetahu

Sport

Gazeta Express

27/03/2020 13:06

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu e ka përçuar një mesazh në periudhën e koronavirusit, me të cilin po përballet mbarë bota.

Virusi COVId-19 e ka paralizuar krejt sportin botëror, e rrjedhimisht edhe Superligën e Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Prandaj, kreu i basketbollit kosovar e ka një porosi për të gjithë tifozët e basketbollit, lojtarët dhe zyrtarët tjerë të këtij sporti.

Ai kërkon nga të gjithë të jenë të kujdesshëm dhe të ruhen nga përhapja e kësaj pandemie.

Duke e pasur parasysh se shëndeti është në plan të parë, Fetahu thotë se garat në basketbollin kosovar do të rifillojnë kur të rikthehet normaliteti.

Më poshtë mund ta lexoni mesazhin e kryetarit Arben Fetahu:

“Të dashur basketbolldashës, komunitet i basketbollit në Kosovë,

Të dashur qytetarë,

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) është duke i përcjellë me vëmendje të shtuar të gjitha zhvillimet që ndërlidhen me pandeminë COVID-19.

Si pothuajse të gjitha aktivitetet tjera në shoqërinë tonë, e edhe anembanë globit, edhe sporti ynë i zemrës basketbolli është ndikuar shumë nga pandemia COVID-19.

Megjithatë për momentin ne duhet të adaptohemi me realitetin e ri të krijuar në të gjithë botën dhe në të njëjtën kohë duhet që të ndjekim me kujdesin më të madh të mundshëm të gjitha këshillat e autoriteteve në vendin tonë në mënyrë që së bashku ta fitojmë edhe këtë betejë, e që kësaj radhe është me një armik më dinak dhe të padukshëm.

Ne do ta kalojmë këtë sfidë së bashku, por derisa të vijë ajo ditë është e rëndësishme  duhet t’i zbatojmë masat e udhëzuara nga autoritetet në vendin tonë, pra të qëndrojmë në shtëpi dhe në këtë mënyrë do të kujdesemi për veten dhe për njëri-tjetrin.

Federata e Basketbollit të Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me anëtarët e saj, me basketbollistët e Përfaqësueseve të Kosovës, si dhe me grupet tjera të interesit të FBK-së, dhe i gëzohet faktit se të gjithë janë shëndosh e mirë, kurse uron që të vazhdojë të jetë kështu deri në fund të kësaj beteje.

Gjithashtu, Federata e Basketbollit të Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me FIBA-n, ndërsa stafi i zyrës ekzekutive është duke punuar nga shtëpitë e tyre në detyrat që na presin si shtet organizues i Kampionatit Evropian për grupmoshën U16, Divizioni C, i planifikuar të mbahet prej 11 deri më 19 Korrik 2020.

Me kujdes të shtuar po i vëzhgojmë edhe zhvillimet në federatat simotra sa u përket garave dhe Bordi i FBK-së do të vendosë ditëve në vijim për fatin e garave që organizohen nën ombrellën e saj. Këtë vendim do ta marrim gjatë muajit mars dhe në bashkërendim me autoritetet e Republikës sonë.

Mesazhi i Federatës së Basketbollit të Kosovës është i qartë: mirëqenia e popullatës në përgjithësi dhe e komunitetit të basketbollit në veçanti është dhe do të mbetet prioriteti ynë gjatë kësaj periudhe të rëndë. Prandaj ju lutem kujdesuni dhe ndiqni këshillat e autoriteteve profesionale të vendit tonë që po e bëjnë të pamundurën për ta luftuar armikun global në këto ditë të rënda. Disa thonë që sporti është gjëja më e rëndësishme dytësore në jetë. Edhe ne që sportin e kemi pasur në rend të parë në jetët tona, në këtë kohë pa kohë duhet të pajtohemi me këtë thënie sepse është e qartë se shëndeti dhe mirëqenia janë në rend të parë. 

Ndeshjet e basketbollit do të kthehen së shpejti, edhe atë më fuqishëm se kurdoherë më parë!

Ndërkohë, ju lutem pranoni urimet e mia dhe të Federatës së Basketbollit të Kosovës për shëndet të mirë dhe tejkalim sa më të lehtë të kësaj situate.

I juaji, Arben FETAHU, Kryetar”. /Gazeta Express/